Politika shpesh krijon çiftime të çuditshme. Partitë e të djathtës ekstreme në Britaninë e Madhe e më gjerë në Europë nxisin gjithçka që do të dobësonte Bashkimin Europian – një synim ky i përbashkët me Vladimir Putin dhe Donald Trump. Këtë javë, kolegu i tyre që kërkon largimin e Britanisë nga BE, Boris Johnson shkoi aq larg sa të përsëriste vargun e Kremlinit se Europa mban një pjesë të fajit për pushtimin e organizuar të Ukrainës nga Putini.
Askush nuk pret deklarata të qarta politike nga Trump apo Johnson, por arsyetimi alla Putin është i pakundërshtueshëm. Qëllimi i tij është të dobësojë institucionet, përfshirë NATO-n dhe BE-në, që të mund të realizojë ambicjet e veta neosovjetike. Kremlini ishte në zi kur Skocia votoi me një diferencë të ngushtë për të qëndruar në Britaninë e Madhe. Putini e sheh Europën si armiken e tij dhe dëshiron që kundërshtarët e saj të ndahen, të jenë më të vegjël e më të dobët.
“Përça dhe sundo”, nuk është një devizë e re, por kjo nuk do të thotë se nuk është më efektive. Gjatë 16 vjetëve të pushtet, Putin ka bërë punë të mirë duke mbledhur anëtarët më të dobët, më të përpunueshëm nga tufa e liderëve europiane dhe duke i përdorur ata si një pykë kundër një Europe të bashkuar. Ai kishte Silvio Berluskonin, që mburrej se ishte avokati personal i Putinit. Ai kishte Gerhard Schröder – dhe në fakt, ende e ka atë si kreun e gazsjellësit Nord Stream që lidh Rusinë me Gjermaninë, të cilin Schröder e nënshkroi për zbatim kur ishte kancelari gjerman.
Brexit nuk është thjesht një objekt tjetër në listën e dëshirave të Putin. Russia Today dhe Sputnik, mjetet e propagandës së Kremlinit që nuk di pse trajtohen në mënyrë të pashpjegueshme si burime legjitime informacioni në perëndim, janë plot me artikuj për Brexit. (radhiten në krah të artikujve pro-Trump)
Putin gjithnjë ka mbështetur elementët më përçarës në politikën europiane, dhe shpreson se kjo mbështetje do të shpërblejë favorin duke votuar fundin e sanksioneve të BE-së, vendosur mbi Rusinë pas pushtimit të Ukrainës. Partitë anti-emigrantë të Europës, ato pothuajse fashiste apo më pak të tilla, e lajkatojnë hapur personin që aneksoi territory europian dhe që vazhdon sulmin e armatosur mbi Ukrainë – një vend që Putin dëshiron ta ndëshkojë se ndoqi ëndërrën për t’u bashkuar me BE-në, një ëndërr që disa në Britani e braktisin hapur fare.
Brexit do të ngrinte lart forcat e ndarjes dhe urrejtjes që tashmë janë në rritje. Do të ishte një nder për grupet terroriste që tashmë janë aktive brenda dhe jashtë kufijve të Europës, ndaj diktatorit rus që po marshon përmes këtyre kufijve dhe do të reduktonte mundësinë e Britanisë dhe Europës për t’i rezistuar këtyre sulmeve. Do të ishte një hap gjigand pas për rendin botëror, për rritjen ekonomike të globalizuar që varet nga ky rend, dhe për vlerat e të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Ka kufij sigurisht ndaj apeleve për të mirën e përgjithshme apo atë që Uinston Çërçilli e quante “përgjegjshmëria e madhështisë”. Eshtë e arsyeshme që britanikët të pyesin: “çfarë përfitoj unë”?. Egoizmi i shëndetshëm është gur themeli i demokracisë dhe i sistemit të tregut të lirë që ka sjellë lirinë dhe prosperitetin në kaq shumë pjesë të botës – liria dhe prosperiteti që e kemi pasur kaq shumë zili nga përtej Perdes së Hekurt.
Por gjithsesi, pa ndikimin britanik, BE do të drejtohet tek ideologjitë dhe politikat që frustrojnë shumë britanikë dhe jo britanikë. Ndërkohë, Britania e Madhe ende do të mbështetej tek Bashkimi Europian, një BE që do ta bënin më pak efektiv dhe më shumë vulnerabël ndaj tendencave për të cilat britanikët ankohen kaq shumë.
Për të zgjidhur problemet dhe për t’u shndërruar në një version më të mirë të vetvetes, BE ka nevojë për Britaninë e Madhe – dhe kjo e fundit ka nevojë për një BE më të mirë.
Unë nuk kam ndonjë simpati të madhe për burokracinë e Brukselit. Askush që është rritur në një shtet totalitarist nuk ka marrë përsipër një problem për të dhënë se ajo që nevojitet është një tjetër shtresë politikanësh apo funksionarësh. Në këtë rast, sidoqoftë, kura ka provuar të jetë më e mirë sesa sëmundja. Me gjithë kufizimet, BE është shumë më superior sesa epoka e ndarjes që ishte përpara tij.
Një vëzhgim i shpejtë i atyre dëshirojnë më së shumti të kthehen në atë epokë është mjaftueshëm për të hezituar. Nëse nuk jeni të sigurtë për drejtimin e duhur që duhet ndërmarrë, mund të shohësh se çfarë dëshiron Putini dhe të bësh të kundërtën.
Ëndrra europiane është ende me vlerë për të luftuar për të, dhe ne duhet të luftojmë. Çërçilli, duke iu adresuar popullit amerikan më 6 shtator 1943, apeloi për vlerat e përbashkëta të unitetit anglo-amerikan. Koalicioni i tij i popujve anglishtfolës është i vjetëruar. Unioni është zgjeruar për të përfshirë të gjithë ata që dëshironin një gjuhë të përbashkët të paqes dhe demokracisë. Por fjalët e Çërçillit vlejnë ende: “Unë them se nuk mund të ndalemi. Nuk ka një pikëndalimi ku kemi arritur. Ne kemi arritur në një fazë të udhëtimit ku nuk mund të ketë pauzë. Ne duhet të vazhdojmë. Duhet të ketë ose anarki botërore ose rend botëror”.
* Garry Kasparov është kryetar i fondacionit për të Drejtat e Njeriut me seli në Nju Jork dhe ish-kampion botëror i shahut.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/