Eshtë thënë shpesh se pushteti korrupton, por, me shumë gjasa, më e vërtetë është se pushteti tërheq të korruptuarit. Në këto ditë bisedimesh për koalicionet e zgjedhjeve për pushtetin vendor, disa parti po largohen njëra pas tjetrës nga opozita, e po shkojnë në koalicion me qeverinë. Në fillim ishte partia e ish-presidentit Bamir Topi, e cila në të vërtetë ka kohë që kalamendet mes qëndrimit në opozitë dhe bashkimit me qeverinë. Topi u takua me kryeministrin dhe tha se partia e tij do të kontribuojë në pushtetin vendor dhe “do të bashkëpunojë në të mirë të vendit”.
Po ashtu partia PDIU, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, u fut në koalicionin qeveritar me arsyetimin se “do të maksimalizonte votat e saj dhe do ta mbronte më fort çështjen çame”. I fundit nga partitë parlamentare që iku nga opozita për në qeveri ishte Nard Ndoka i PDK-së. Ai ishte më i thjeshtë në gjetjen e arsyeve: “nuk kishte hapësira për bashkëpunim me PD-në”. Një numër i madh partish të vogla, e askush nuk e di me saktësi numrin e tyre (as vetë Rama me siguri), ikën gjithashtu nga opozita për në qeveri. Veç partive, një tjetër fenomen është dhe largimi i deputetëve nga njëra parti në tjetrën.
Sapo mbaruan zgjedhjet e para dy viteve, dy deputetë të opozitës ikën në qeveri, duke i dhënë asaj mundësinë të arrijë numrin 85 (kërkohen 84) të shumicës së cilësuar, që mund të miratojë çdo lloj ligji pa nevojën e opozitës. Parti ka ndërruar deputeti Sterkaj pak vite më parë, duke kaluar nga PS-ja te PD-ja. Më pas iku sërish, dhe nga deputet demokrat u bë deputet i PS-së. Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani ikën nga PS-ja dy muaj para zgjedhjeve. Ilir Meta me disa deputetë (Ilir Zela, Ndre Legisi, Gjergj Koja, Sabit Brokaj) ikën në 2004-ën nga PS-ja.
Lëvizje të tilla e kanë shoqëruar thuajse gjithë jetën politike të këtyre 23 viteve. Një individ mund të lëvizë nga një parti në tjetrën vetëm kur pikëpamjet, idetë e parimet që ai mbron kanë ndryshuar aq sa ai i gjen ato më shumë në anën tjetër. Pavarësisht kësaj lëvizjeje, nuk është e moralshme që një deputet apo një parti të votojë duke nëpërkëmbur vullnetin e votuesve. Senatori Jim Jeffords i shtetit të Vermontit në SHBA u largua nga Partia Republikane në vitin 2001 për shkak të luftës në Irak. Ai tha se do të ishte i pavarur, por nuk do të votonte kurrë gjatë atij mandati kundër republikanëve, sepse nuk mund t’u jepte demokratëve një shumicë që nuk e kishin marrë në popull.
Në të njëjtën kohë, bëri të ditur se pas zgjedhjeve të reja (në rast se do të fitonte) do të votonte edhe si demokrat. Senatori Arlen Spekter, një republikan nga Pensilvania, u largua nga partia e tij në vitin 2010. Ai u shpreh se i shihte pikëpamjet e tij më afër demokratëve se sa republikanëve. Në Australi, tre senatorë të pavarur, me prirje të djathta, u kritikuan pa fund nga shtypi dhe opinioni në vitin 2010 sepse votuan për qeverinë e kryeministres laburiste Giulia Gillards, dhe jo për konservatorin Tony Abbot. Ata ishin të pavarur. Nuk i përkisnin asnjë partie, megjithatë mbi ta u ngrit një furtunë, dhe qeveria ra në mes të mandatit, edhe për shkak të tyre.
Gjendja është po kaq e shëmtuar në Kosovë. Partitë politike e tërhoqën zvarrë vendin për muaj me radhë, duke mos formuar dot një qeveri. Disa parti opozitare u bënë bashkë pas zgjedhjeve dhe kërkuan të jenë shumica qeverisëse. Partia e kryeministrit Thaçi, me një këmbëngulje të padëgjuar, e pengoi krijimin e kësaj shumice duke përdorur Gjykatën Kushtetuese dhe disa artifice qesharake juridike. Ajo kërkonte të kishte kreun e parlamentit, duke qenë se ishte partia e parë, me interpretimin tekstualisht të kushtetutës së vendit bash siç bëjnë fundamentalistët e çdo ngjyre.
Nga ana tjetër, LDK-ja e Isa Mustafës, me një këmbëngulje gjithashtu të padëgjuar, kërkoi prej saj marrjen e postit të kreut të kuvendit, e nga Ramush Haradinaj, atë të kryeministrit. Pasi tërë bota u tall dhe u lodh, partia e ish-kryeministrit Thaçi ndërtoi një qeveri me kryeministrin e ri Isa Mustafa. Në pushtet kemi partinë që drejtoi për vite me radhë qeverinë dhe atë që drejtoi opozitën. Në opozitë janë vetëm disa parti të vogla, por shumë energjike. Askush në Kosovë nuk ka votuar që në qeveri të jenë Thaçi dhe Mustafa. Përkundrazi, një lexim më i drejtë i votës thotë se është votuar që ata të dy të mos jenë në drejtim të qeverisë.
Kosova ka lënguar jo pak gjatë këtyre viteve liri nga kjo sjellje e turpshme e partive dhe e deputetëve që lëvizin pa përgjegjësinë më të vogël ndaj zgjedhësve. Sot nuk ka asnjë rajon në botë me këtë shkallë lëvizjeje të partive nga një anë në tjetrën. Rajonet më problematike pas Shqipërisë dhe Kosovës janë Vanuatu dhe Polinezia në Oqeanin Paqësor, ku në vitin 2007 pati rrëzim të shumicës qeverisëse për shkak të lëvizjes së partive. Shumica e studiuesve të politikës dhe demokracisë as që i marrin fare në konsideratë këto vende. Pas këtyre dy zonave, lëvizja e partive dhe e deputetëve mund të vihet re në përmasa shqetësuese në Filipine, Indi, Ukrainë, dhe në ndonjë rast edhe në Itali.
Në asnjë vend në Europën Perëndimore dhe në ato të Amerikës Veriore nuk formohet që prej vitit 1947 shumicë deputetësh, apo shumicë e cilësuar deputetësh, nga lëvizjet e partive ose deputetëve nga një anë në tjetrën. Një gjë e tillë është vënë re në vendet ish-komuniste. Thuajse të gjitha vendet e Europës Lindore kanë patur raste të krijimit të shumicave me anë të këtyre makinacioneve të pista. Ayn Rand thotë në librin monumental Revolta e Atlasit se epshi për pushtet është bimë kanabisi që rritet vetëm në djerrina të braktisura nga mendja. Gjithë kjo që po ndodh me politikën dhe politikanët tanë në Tiranë, por edhe në Prishtinë, dëshmon pikërisht kundërmimin trullosës të kësaj bime, që bën të shpërthejë ky epsh për pushtet.
As partia e Topit, e Idrizit, e Ndokës, etj., as lëvizjet e deputetëve që i janë bashkuar qeverisë, nuk kanë në themel mbrojtjen e parimeve, të pikëpamjeve apo vlerave politike të cilat gjenden pikërisht para zgjedhjeve tek qeveria. As Thaçi, as Mustafa nuk janë në qeveri për shkak të këtyre parimeve apo bindjeve. Kryeministri britanik Churchill thoshte se disa njerëz ndërrojnë parti për shkak të parimeve, disa ndërrojnë parimet për shkak të partive. Në Shqipëri dhe Kosovë jemi përballë ndërrimit të parimeve për shkak të partive! /tesheshi.com/