Përtej lokalizmave…
Të ishte për Tetovën, Gostivarin, Dibrën, bile edhe për Zajazin, qeveria maqedonase gjatë konfliktit të 2001 ishte e gatshme t’ia “dhurojë” këto toka Shqipërisë. Nga këtu kuptojmë se beteja politike mes dy etnive më të mëdha në vend është gjetkë – Shkup.
I njohur si udhëkryqi i rrugëve ballkanike, Shkupi është qyteti më i rëndësishëm kulturor dhe historik i Maqedonisë dhe dikur të Vilajetit të Kosovës. I destinuar për t’u shpallë pavarësia e Shqipërisë, ajo dështoi si pasojë e tradhtisë së krerëve. Këtë e kuptojmë në artikullin e 1 dhjetorit 1928 të poliglotit shqiptar Fan Stilian Noli në “Federation Balkanoque”, ku shkruante “…sikur të mos ishin tradhëtuar prej krerëve, Shqiptarët (në Shkup) do ta kishin proklamuar që athere independencen e tyre”.
Bëhet fjalë për disa vite para vitit të pavarësisë, 1912, ku elita shqiptare e asaj kohe akoma ishte në mëdyshje mbi autonominë ose pavarësinë e shqiptarëve nga Perandoria Osmane. Kjo vonesë, karakteristike e periudhave shqiptare, pamundësoi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Shkup me ç’rast shqiptarët do humbnin Shkupin edhe në kufijtë e Konferencës së Londrës 1913.
Historianët shqiptarë me të drejtë theksojnë se sikur krerët shqiptarë të merreshin vesht në Shkup për pavarësinë e Shqipërisë, kufijtë e saj do ishin më në favor të tyre, ku me domosdoshmëri Shkupi do ishte pjesë e saj dhe me gjasë edhe kryeqyteti. Pas disa kohësh, krerët shqiptarë do takoheshin përsëri, por kësaj here në Vlorë, një qytet gjeostrategjik por jo i përmasave që kishte Shkupi.
Ç’po ndodh tani?
Në kohën kur betejat prej atëherë janë zhvilluar për Shkupin, në historinë 30-vjeçare të pluralizmit në Maqedoni, qendrat e partive politike shqiptare (PPD, PDSH, BDI), universiteteve, teatrove, sporteve janë vendosur në Tetovë – larg Shkupit. Kjo ka qenë domosdo e motivuar nga politika tjera, që shqiptarët e kryeqytetit të kuptojnë se kryeqendra e tyre është Tetova, ndërsa Shkupi është “vetëm” i maqedonasve. Për këtë kuptohet lehtë se pse kemi shumë të arsimuar nga Tetova, Dibra, Struga dhe vende tjera shqiptare; por rrallë i kemi gjetur në Shkup – gjithmonë në përmasa të numrit të banorëve. Për hir të së vërtetës këtu ka pasur përmasa ndryshimesh, po të llogarisim përqindjen e deputetëve shqiptarë të lindur në Shkup gjatë parlamentit të parë 1991-1994 dhe viteve të mëvonshme.
Lëvizja BESA përmbysi klishetë se Shkupi nuk është kryeqendra shqiptare
Lëvizja BESA përherë të parë ktheu Shkupin kryeqendër për shqiptarët me një frymë te re plot të arsimuarish dhe që bazamenti i saj (me të drejtë) janë të rinjtë shkupjanë dhe tetovarë. Është hera e parë që një grup kaq të arsimuarish nga Shkupi, zënë pozita kaq të rëndësishme në një parti shqiptare. Shkupi përherë të parë duhet të votojë bijtë e tyre që tashmë u tregojnë edhe rajoneve tjera sesi të rrëzohet një pushtet i kalbur shumëvjeçar. Me dije, guxim, dhe turp kundër faqerrogozëve. Shqiptarët e Shkupit duhet dyherë të mbështesin masovikisht Lëvizjen BESA, njëherë se theu mitin se shkupjanët nuk janë për politika madhore dhe e dyta, që për ata të mos vendosë ndokush nga gjetkë. /tesheshi.com/