Demokracia si nocion, por edhe si proces, ka një jetëgjatësi të gjatë, qysh prej civilizimeve të lashta, e ka ndryshuar kohë pas kohe deri në ditët e sotme. Edhe pse, në kuptimin ontologjik, demokracia nënkupton një qeverisje nga qytetarët, mund të themi se, si qeverisje e qytetarëve (popullit), demokracia sot nuk e ka të njëjtin kuptim. Kjo për shkak të tipareve të saj, ndryshimeve dhe funksionit, po ashtu edhe për shkak se ky koncept sot ka më shumë atribute të një etniteti politik, që apriori ndërlidhet me shtetin, me përfaqësimin e klasave politike të pushtetit dhe interesave të tjera. Sido që të jetë, sot jemi dëshmitarë të asaj që demokracia, edhe pse ka kaluar nga tipari klasik në atë liberal dhe përfshin segmente të shumta të jetës politike, kulturore, sociale, ekonomike, ajo ballafaqohet me shkelje të parimeve të saj nga vetë klasat elitare të cilat e promovojnë atë më së shumti.
Sipas profesorit të njohur Fukuyama, sot në mbi 200 vende kanë përqafuar konceptin e demokracisë liberale, e cila si synim primar ka lirinë e individit, edhe pse ajo liri ka një kufi të caktuar. Ky koncept sot i atribuohet një sistemi demokratik të qeverisjes në të cilin të drejtat dhe liritë individuale janë të njohura dhe të mbrojtura zyrtarisht, dhe ushtrimi i pushtetit politik është ai i cili kufizohet nga sundimi i ligjit. Kjo është pjesa teorike, kurse pjesa praktike shpeshherë dëshmon të kundërtën, sepse në emër të parimeve të demokracisë shpeshherë shkelen të drejtat fundamentale të njeriut. Shembull kemi disa shtete perëndimore, ku një burrë dhe një grua, për shkollimin e njëjtë që kanë, dhe që ushtrojnë punën e njëjtë, kanë pabarazi në të ardhura.
Shembuj të tillë nuk mungojnë as në vendet e tjera, përfshirë këtu edhe shtetin e Kosovës. Tek shoqëria jonë, kur flitet për këtë koncept, shpeshherë mendohet ndryshe dhe veprohet krejtësisht ndryshe. Andaj, kur mendimet dhe veprimet tona nuk përputhen, atëherë kemi të bëjmë me disonancën njohëse. E njëjta gjë ndodh edhe në jetën e përditshme, që duke u treguar ndoshta në shumë aspekte liberalë, shndërrohemi në njerëz që shkelim parimet tona. Ndoshta për këtë me siguri që ka një sërë faktorësh, si mungesa e një edukimi demokratik, propaganda mediale, mungesa e kulturës së debatit, mungesa e programeve adekuate të partive politike, profilizimi jo i qartë i partive politike, ndërlidhja e aspektit emocional me liderin e partisë karshi atij racional.
Globalizmi dhe demokracia
Sipas autorit David Held, globalizmi “kuptohet si proces ose grup i proceseve që mishëron një transformim në organizimin hapësinor të marrëdhënieve shoqërore dhe transaksioneve – të vlerësuara në aspektin e shtrirjes, intensitetit, shpejtësisë dhe ndikimit të tyre, që gjenerojnë flukse transkontinentale ose ndërrajonale, dhe rrjeteve të veprimtarisë, bashkëveprimit dhe ushtrimit të pushtetit”. Krahasuar me konceptin e globalizimit, koncepti i demokracisë duket të jetë më pak kontravers. Ekziston një traditë e gjatë e teorive të demokracisë, dhe ka disa përkufizime të përcaktuara në terma normativë. Andaj, demokracia, si parim i qeverisjes, duket se nuk duhet të kontestohet më. Por në kontekstin historik mund të shohim se demokracia gjithashtu erdhi nga valët historike, shkoi nëpër disa thyerje dhe anulime. Kuptimi i demokracisë përjetoi disa transformime, ndryshoi përmbajtjen e tij, dhe gjithashtu shtrirjen e saj. Sot ekziston një lidhshmëri në mes të globalizmit dhe demokracisë, për shkak se demokracia është sfiduar nga anët e ndryshme; të gjitha këto të lidhura me globalizimin, por që kanë implikime krejt të ndryshme. Në këtë drejtim, mund të themi se globalizmi dhe demokracia mund kuptohen përmes zgjerimit të demokracisë, thellimit të bashkëpunimeve ndërmjet shteteve demokratike në sferën e ekonomisë, si dhe vetë përmirësimit të demokracisë.
Demokracia si qeverisje
Theksuam edhe më lart se koncepti ontologjik i demokracisë është qeverisja e qytetarëve, dhe pasi qytetarët nuk mund të qeverisin, atëherë ata zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Në këtë drejtim, demokracia shihet si qeverisje e qytetarëve për qytetarët, mirëpo për shkak se qytetarët janë njësi heterogjene, janë të shumtë në numër, atëherë ata mund t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre që në emër të tyre qeverisin. Ky akt ka të bëjë më shumë me aspektin formal juridik. Por problemi qëndron në atë se a kuptohet në të vërtetë demokracia si qeverisje? Në përgjithësi, në shumë demokraci ndodh që të abuzohet me pushtetin, të infiltrohet pushteti për shkak të interesave të ngushta partiake dhe klanore. Në anën tjetër, qytetari nuk është prioritet! Në rastin e Kosovës, këto gjëra janë të shfaqura qysh herët, dhe pothuajse njerëzit janë adaptuar me një menaxhim të tillë, e mungon tipi i qytetarit i cili kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi për veprimet e pushtetit.
Demokracia si intrumentalizim i politikës
Sipas Joseph Schumpter-it, demokracia “është më shumë sundim i politikanit, dhe jo i popullit, pelikanët janë tregtarë votash, ashtu siç janë ndërmjetësit që janë shitblerës të aksioneve në bursë”. Në këtë drejtim, demokracia del se qeveriset nga një oligarki, thënë kështu në gjuhën e Robert A. Dahl-it. Kjo për shkak të asaj se pushteti kryesisht është i koncentruar tek një grup njerëzish, te një lloj oligarkie, që për interesa të tyre, qofshin ato personale, partiake apo ideologjike, instrumentalizojnë politikën nga arti dhe vlera në kiç dhe shound. Ky fakt po ndodh edhe tek shqiptarët, të cilët shpeshherë politikën e shohin si qasje ose instrumentalizim për arritje të qëllimeve të ndryshme; ndoshta një makiavelizëm modern, cili po ndikon që klasat politike në njëfarë mënyre të jenë të “paprekshmit”.
Prandaj, si përfundim i këtij refleksioni, mund të themi se sot koncepti i demokracisë nuk perceptohet si formë e qeverisjes, e krijimit të një mirëqenie sociale, e zhvillimit ekonomik apo e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, por më shumë si instrumentalizim i politikës, më shumë si ardhje në pushtet e partive politike me qëllim shfrytëzimin e posteve publike për arritjen e qëllimeve dhe interesave të ndryshme. Demokracia e shekullit XXI duhet të jetë e atillë që të ketë një partneritet në mes të pushtetit dhe qytetarëve, pavarësisht dallimeve ideologjike/partiake, me qëllim që të fuqizohet demokracia e pushtetit dhe, në anën tjetër, pushteti të ketë prioritet qytetarin. /tesheshi.com/