Dy fjalë rreth ekspozitës individuale të piktores Laura Siner Brahimi me titull “Prezenca e Mungesës”
Këto ditë me shi me një mot të ndryshueshëm me intervale kohore, një erë e cila fyente nga veriu nuk mund ta ndalonte pasionin dhe dashurinë e madhe për artin dhe kulturën artistike të pikturës. Pikërisht në qytetin e Ferizajt piktorja Laura Siner Brahimi e cila qysh herët ishte përkushtuar me pasionin e saj për artin, këtij qyteti iu dhuroi një ekspozitë e cila la mbresa të shumta tek komuniteti artistik dhe vizituesit e shumtë të cilët ishin të pranishëm nga shumë treva shqiptare.
Në fakt, ishte ekspozita e saj e parë e cila u mbajtë në Galerinë e Arteve në qytetin e bukur të Ferizajt. Për kompletuar këtë vepër arti, ishin përkujdesur edhe kuratori Jetullah Sylejmani drejtori i galerisë Skënder Bedriu, drejtori i kulturës në komunën e Ferizajt Naim Ferati, profesor Esat Valla, kritik prof. Kadri Metaj, si dhe Hajro Hajra. Ndërsa, me zërin e tij radio fonik këtë ekspozitë e hijeshoi edhe moderatori Nexhat Xhokli nën tingujt e kitarës nga Ruzhdi Gjini. Pasqyrë të madhe kësaj nate i dhanë edhe prezenca e komunitetit artistik, profesor nga fusha e psikologjisë, sociologjisë, profesor nga lëmit e ndryshme, si dhe publiku i gjerë. Në kohën kur vlerat artistike pothuajse janë shndërruar në një kiç dhe shound, në atë që sociologu i famshëm Baudrillard thekson se “kultura jonë është përmbytur nga pavlera, kiçi, si dhe produktet në masë të tregut, të cilat kontribuojnë në shoqërinë tonë të simulimit dhe konsumizmit”, kjo ekspozitë mblodhi, njëherit tregoi se arti mund të jetë vepër madhore e cila ndërlidhë kulturat ndërmjet veti, komunikon me publikun dhe mund të jetë indikator që shoqëria e dëshiron një art të pastër dhe kreativ dhe jo imitues, atëherë edhe publiku nuk do të mungon. E veçanta e kësaj ekspozite ishte grumbullimi i pikturave në formën e katalogut dhe prezantimi i mbi 75 pikturave individuale me përmasa të ndryshme nga piktorja Laura. Ndërsa, sa i përket teknikës së përdorur, kryesisht ishe teknika e vajit në pëlhurë, si dhe teknikat e kombinuara. Në analizën sociologjike të artit, secila pikturë kishte një ndërlidhje me pikturën tjetër dhe secili pjesëmarrës në një apo tjetrën mënyrë kishe një të përbashkët me pikturat. Piktorja e cila tërë mundin dhe përkushtimin e kishte dhënë për këtë ekspozitë, mbërthehej me emocione dhe qysh në fillim të katalogut të saj kishte shkruar një paragraf mbi ekspozitën të cilën i dedikohej babait të saj të ndjerë, duke ia dedikuar përmes shprehjes së emocionit në këtë frazë: “Njeriut që më besoj. Njeriut që më mësoj për jetën. Njeriut që më dha kurajo të vazhdoj. Edhe nëse ai nuk do të jetë prezentë më. Kjo ekspozitë i dedikohet babit tim”. Ky dedikim babait të saj, Laurën e forcoi edhe më shumë të shpërfaq ndjenjën e artistes së vërtet, duke krijuar një kristalizim të vlerave sublime artistike dhe kulturore. Ekspozita po ashtu ishte një motiv tjetër psikologjik për të demomstruar shpirtin artistik dhe pasionin për të. Si duket ky emocion i artit, piktoren e re e orienton më shumë nga një energji e re e cila është promotor krijimi i një sërë veprash artistike, të cilat burojnë nga energjia e brendshme shpirtërore dhe thellohen diku në metafizikë!
Nga imagjinata sociale deri tek prekja e realitetit
Nëse analizojmë me kujdes pikturat e piktores Laura, do të shohim se pikaturat e saj kanë një interdialog dhe komunikojnë njëra me tjetrën, pavarësisht faktit që secila pikturë në vete përmban aspektin filozofik dhe estetik. Disa nga pikturat të cilat janë edhe të kataloguara janë: Vajë në letër, nostalgji nga e kaluara, dromca dëshpërimi, hierarki brezash, bota dhe dimensionet e saj, ëndrra, kufiri transparent, më lejo të kthehem brenda, edhe heshtja flet, si dhe shumë piktura të tjera. Kreativiteti i Laurës i paraqitur në secilën pikturë komunikon me publikun dhe jep një mesazh të qartë. Në pikturat e saj, Laura flet për problemet e shumta shoqërore të cilat çdo ditë e më shumë na preokupojnë, flet për dashurinë dhe pasionin për artin, flet për diskursin filozofik, psikologjik dhe social të mjedisit që na rrethon. Po ashtu, rëndësi ka imagjinata e saj që thellohet edhe në metafizikën e shpirtit të pikturës. Vlerat të cilat i gjejmë në këto piktura pasqyrojnë imagjinatën e një piktoreje të re e cila premton shumë në këtë drejtim, si dhe përmes artit pasqyron realitetin e hidhur të postmodernizmit i cili është duke krijuar një determinizëm mbi vlerat dhe normat shoqërore, e që për fat të keqe është duke u pasuar verbërisht nga kiçistët dhe shaundistët përmes formës së komercializmit. Andaj, në ekspozimin e pikturave, Laura fuqishëm pasqyron energjinë kolosale të shpirtit artistik që shfaq një origjinalitet të lloj të saj në tërë atë konglomerat veprash.
Kreativiteti dhe shija
Në diskursin e dikurshëm filozofik mbi artin dhe raportin e tij me shijen Kanti theksonte se për shije nuk diskutohej, por Nietzsche më vonë i kundërvihet Kantit dhe pohon se edhe për shije diskutohet, por varet mënyra dhe forma. Pikërisht në këtë ekspozitë të piktores Laura, mund të vërehen dy elemente të rëndësishme: a) kreativiteti dhe b) shija. Lidhur me kreativitetin shihet se Laura ka një talent ndoshta të lindur i cili siç përshkruhet edhe në biografinë e saj deri vonë ka qenë latentë dhe ajo e ka mbajtur në vete për një kohë të gjatë deri tek shpërthimi i emocioneve dhe gjetja e shpirtit binjak me artin dhe kulturën e përgjithshme artistike. Qasja psikologjike dhe kreativitetin e ndërlidh më shumë tiparet dhe funksionet e personalitetit dhe të identitetit, si: imagjinata, motivimi, introspeksioni, aftësia krijuese, e të tjera. Ndërsa, sociologët rëndësi i kushtojnë kreativitetit për shkak se sipas tyre ai konsiderohet si fenomen social i cili rrënjët i ka tek idetë inovative. Kurse, shija është element kyç i logjikës së artit për shkak se konsiderohet si model personal dhe kulturor i një individi i cili në fakt ka një preferencë të caktuar. Shija ndërlidhet më shumë me racionalizmin e njeriut për të dalluarën të bukurën dhe jo të bukurën. Përmes kreativitetit dhe shijes së shfaqur, piktorja Ferizajase paraqet po ashtu lëvizjet e valëve të jetës, ndjenjat e brendshme dhe mendimet, frymëzimin e saj, si dhe shumë valë të vlerave të cilat shpërfaqin një dimension të artit të mirëfilltë, sidomos oazën e origjinalitetit. Në fund, kjo ekspozitë u vlerësua lartë nga të pranishmit dhe u theksua se ekspozitat e tilla janë të nevojshme në këtë kohë, sidomos nga artistëve të rinj të cilët mund të ndikojnë në shpërfaqjen e talentit të tyre, fuqizimin e kohezionit social, si dhe integrimit të përgjithshëm shoqëror. /tesheshi.com/