Shteti i Kosovës edhe pse së fundi ka pasur një rritje ekonomike simbolike, megjithatë konsiderohet si vendi më i varfër në Evropë, me një papunësi të lartë e cila ka gjenëruar një varfëri të lartë. Të dhënat nga Agjensimi i Statistikave për vitin 2017 flasin se “Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.3%, krahasuar me meshkujt me 26.9%. Shkalla me e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.2%. Sipas rezultateve të AFP-së në TM4 2017, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 58.7%, me fokus të veçantë te femrat me 80.4 %, krahasuar me meshkujt me 37.6 %”, shih: (ASK – Anketa e fuqisë punëtore TM4, 2017), gjë që tregon për një papunësi të lartë në mesin e të rinjve. Këtë gjë e vështirëson edhe më shumë fakti që tregut të Kosovës pothuajse çdo vit i shtohen rreth 30.000 të rinj të cilët konsiderohen se janë të aftë për punë. Sido që të jetë, ajo që bie në sy më shumë edhe zhvendosja e vëmendjes nga problemet dhe sfidat e shumta të qytetarëve përmes reklamave të ndryshme nga ana e bizneseve, ku së fundi ishte edhe e ashtuquajtura “Black Friday” ose Premtja e Zezë.
Kjo ngjarje ka të bëjë më shumë me zbritjen e produkteve nga kompanitë e ndryshme si dhe e tillë viteve të fundit në Kosovë dhe më gjerë, është bërë praktikë që zakonisht në fundin e nëntorit të një të Premteje, sikurse në vendet tjera të botës të ketë zbritje në produktet e ndryshme. Nëse shëtisim në retrospektivën e historisë do të shohim se “Përdorimi i parë i regjistruar i termit “Black Friday” kishte ndodhur për shkak të krizës financiare: në mënyrë të veçantë, rënies së tregut në SHBA më 24 shtator, 1869. Atë kohë dy financierët të “Wall Street” tejet të pamëshirshme, Jay Gould dhe Jim Fisk, kishin punuar së bashku për të blerë sa më shumë mallra duke shpresuar për të përzënë çmimin e njësisë standarde ekonomike të llogarisë dhe duke vënë një çmim shumë të lartë, për të shitur mallrat për fitime të habitshme. Në atë të premte në shtator, komploti kishte marrë fund me rënien e tregut të lirë dhe falimentimet e të të gjithë aksionarëve të “Wall Street”. Historia e vërtetë pas “Black Friday”, megjithatë nuk është se ka të bëj me blerje të lirë, sepse në vitin 1950 policia në qytetin e Filadelfias kishte përdorur këtë term për të përshkruar kaosin që pasoi ditën pas Falënderimeve. kurse, në 1961, “Black Friday” ishte e përhapur në Filadelfia, në atë masë sa që tregtarët ishin përpjekur për të ndryshuar atë në “Big Friday” por pa sukses në mënyrë që t’i heqin konotacionet negative. Në fund të viteve 1980, megjithatë, shitësit kishin gjetur një mënyrë tjetër për të shpikur përsëri termin “Black Friday” dhe për të kthyer atë në diçka që reflektohet pozitivisht dhe jo negativisht mbi ta dhe klientët e tyre (shih: http://www.history.com/news/whats-the-real-history-of-black-friday). Sot ky term asocion më shumë me marrëveshjet që kanë kompanitë e mëdha për të krijuar një zbritje solide për qytetarët në fund të vitit. Black Friday/Premtja e zezë është përhapur pothuajse në të gjitha vendet e botës dhe qëllimi i saj është në një ditë të vetme kah fundi i nëntorit, që dyqanet/marketet t’i vendosin produktet e tyre në zbritje.
Një gjë e tillë, si duket është bërë traditë edhe në Kosovë, megjithëse për dallim nga shtetet tjera ku ka zbritje nga dyqanet ose kompanitë e shumta, në Kosovë shohim se zbritjet e tilla pothuajse janë të pakta. Javën që lamë pas ishte pikërisht ngjarja e Premtes së zezë, ku shumë dyqane/markete hapën dyert e tyre për shitjen e produkteve me çmime më të lira. Mirëpo, në bazë të raportimeve nga mediat, por edhe prezencës së shumë qytetarëve, pjesa më e madhe e dyqaneve kishin zbritje në disa produkte dhe në disa të tjera jo. Madje, kishte edhe raste edhe të zënkave të qytetarëve për limitin e produkteve. Por, kjo gjithsesi se ishte një maskim për t’i sjellë qytetarët në ngjarje të tilla, duke u munduar që përmes një marketingu të tillë së pari të zhvendosin vëmendjen nga problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët, së dyti kur një qytetarë viziton dyqanet e tillë domosdoshmërisht ai/ajo do të merr ndonjë produkt dhe së treti, mënyra e lansimit të ngjarjes si “Black Friday”, disa ditë para fillimit të muajit, ku pjesa më e madhe e qytetarëve kanë ngelur pa para është edhe një instrument tjetër nga dyqanet e tilla për t’i futur akoma më shumë qytetarët në kredi.
Mirëpo, sipas mediave, ka pasur edhe dyqane/markete të cilat vërtetë kanë pasur zbritje në disa produkte konkrete, madje për këtë qëllim “Instituti i Monitorimit të Ofertave ka mbledhur dhe hulumtuar të gjitha reklamat e prezentuara për Black Friday në Kosovë, që karakterizohen me zbritje kryesisht nga 20%-50%. Nga monitorimi i dhjetëra ofertave të lansuara këtë javë, mund të konstatojmë që ka biznese që kanë tejkaluar çdo parashikim duke ofruar ZBRITJE TË ÇMENDURA 70-80%. Vëzhguesit tanë nuk u besuan reklamave, prandaj vendosen të vizitojnë dyqanet për të konstatuar vërtetësinë e ofertave (shih: http://www.koha.net/arberi/59295/exit-poll-oferta-me-e-mire-per-black-friday/)/. Megjithëse, dyqanet/market tjera edhe pse kanë reklamuar zbritje të tillë, në realitet ka pasur zbritje vetëm tek disa produkte të caktuara.
Sido që të jetë, për një familje e cila ka një pagë mesatare rreth 350 euro, është goxha problematike për të mbushur shportën dhe për të arritur fundin e muajit, kur kemi parasysh edhe standardin e shtrenjtë jetësor në Kosovë. Black Friday do të ishte një ndihmesë e madhe po të ishte serioze sikurse në shtetet tjera dhe mos të abuzohej me të, duke rënduar edhe më shumë shportën e qytetarit i cili mezi se ia del në këtë stinë dimri të vështirë. Prandaj, ngjarjet e tilla janë të nevojshme po qese zbritjet e tilla do të ishin reale dhe konkrete, të cilat do të ndikonin që edhe qytetarët e shtresave më të ulëta dhe grupet e margjinalizuara të kishin mundësinë që produktet e tilla t’i merrnin dhe që zbritja të bëhej edhe për produktet tjera e jo vetëm për disa produkte konkrete ashtu siç ndodh. /tesheshi.com/