Gjatë javës, një nga emisionet investigativë me shikueshmëri të lartë na përcolli një nga historitë e shumta të korrupsionit që konsumohen rëndom në institucionet shtetërore shqiptare, dhe jo vetëm. Kamerat e emisionit në fjalë, përveç zbulimit të një rasti korruptiv dhe të dy zyrtarëve të përfshirë në të, diçka në fakt jo aq tronditëse po të marrim parasysh se korrupsioni është një fenomen i pranishëm edhe në vende me ndërgjegje qytetare më të lartë, shërbyen për të na shpalosur edhe një të vërtetë tjetër, fatkeqësisht ekskluzivisht shqiptare. Pikërisht lehtësinë me të cilën një nëpunës administrativ mund të përfshihet në një akt të tillë. Një lehtësi që mund të lexohej nga konteksti i videos së shfaqur. Duke nisur nga marrja e ryshfetit në ambientet e institucionit, ditën për diell, tek prezantimi i ryshfetdhënësit me shefin dhe ndarja e parave me të. Nëse do të tregoheshim më skrupulozë, element tjetër i kësaj lehtësie, edhe pse në formën e veprimeve ndihmëse, apo aksesore, është edhe kafja jashtë institucionit, për interesa private, gjatë orarit zyrtar të punës.
Në një të këtillë mjedis, pyetja që natyrshëm lind është se ku e ka burimin kjo lehtësi për të kryer një akt të tillë? Dhe po flasim për një vepër të rëndë, për të cilën ryshfetdhënësi, tok me ryshfetmarrësin, duhet të përballen me burgun. Mos vallë është thjesht paligjshmëria e ulur këmbëkryq në institucionet tona që inkuadron jo vetëm veprat penale të kryera përmes veprimeve aktive, por edhe ushtrimin e kompetencave në shkelje të procedurave, si dhe mosveprimin apo heshtjen kur ekziston detyrimi ligjor për të vepruar. Apo kjo paligjshmëri është simptomë e një tjetër problemi akoma më të madh, që i mundëson asaj të lulëzojë e patrazuar?
Nëse do t’i referohemi përvojës politike të viteve të tranzicionit, e gjithë energjia është përqendruar tek lufta ndaj korrupsionit po përmes ligjit; pra, paligjshmëria është parë dhe trajtuar si një kokëçarje e krijuar si rrjedhojë e ligjeve ineficiente, e shpesh pamjaftueshëm të ashpër. Ndryshimet strukturore, riorganizimet apo krijimet e organizmave të reja që duhet të luftojnë korrupsionin, janë po ashtu ilustrim i të njëjtit botëkuptim. Sa herë na është dashur t’i tregojmë dhëmbët korrupsionit, kemi mbajtur frymën të miratojmë një ligj të ri, apo të krijojmë një drejtori të re. Kështu, në vend që të zbythim korrupsionin, thjesht kemi shtuar të tjera nyje korrupsioni në rrjetën që ka mbështjellë shoqërinë, por që është e paaftë të kapë ndonjë nga peshqit e mëdhenj a të vegjël që notojnë të shfrenuar në ujërat e pellgaçes sonë ujëturbullt. Në një ndërhyrje të tillë po rrezikon të shndërrohet edhe reforma në drejtësi, telenovela e së cilës, falë kokëfortësisë së faktorit ndërkombëtar, po u afrohet serive të fundit, që me sa duket nuk do të jenë të lumtura për të gjitha forcat politike. Ky argument u përdor frytshëm edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, që më shumë për konveniencë politike, sesa si shprehje e një shqetësimi të sinqertë, shpjegoi se shoqëria shqiptare nuk do të zgjohet e drejtë dhe e pakorruptuar të nesërmen e miratimit të paketës me ndryshime kushtetuese dhe ligjore.
Përpjekjet e pandalshme, por çuditërisht të ngjashme, për ta vënë korrupsionin me “shpatulla pas murit”, përveçse kanë ekspozuar lakuriq budallallëkun tonë (sipas shprehjes së urtë, se është budallallëk të presësh pasoja të ndryshme duke përsëritur të njëjtën zgjidhje), kanë zgjeruar më tej shtrirjen vertikale dhe horizontale të korrupsionit, dhe e kanë shndërruar administratën në një makineri burokratike të frikshme, vështirësisht të depërtueshme.
Dështimet e papërkora të trajtimit të korrupsionit si një problem ligjor, që mbetet të zgjidhet po përmes ndërhyrjeve ligjore, kanë krijuar kamuflimin e nevojshëm, aq sa për t’iu shmangur shënjestrës së duhur, por edhe kanë rënduar shkakun e vërtetë të situatës ku gjendemi. Përvoja e dështimeve të akumuluara duhet të na kishte iluminuar aq sa për të kuptuar se ky shkak, para se të jetë ligjor, është kulturor, dhe i kushtohet mirëkuptimit që shqiptarët si shoqëri shfaqin ndaj korrupsionit. Një kulturë kjo e farkëtuar kryesisht gjatë periudhës së komunizmit, kur u çrrënjosën shumë morale e doke të konsideruara si trashëgimi e të shkuarës së prapambetur, por që vazhdon të mbizotërojë edhe në vitet e tranzicionit të stërzgjatur.
Aq mirëkuptues janë shqiptarët ndaj korrupsionit, sa në psikologjinë e tyre pasurimi përmes korrupsionit etiketohet si “shkathtësi” dhe “zotësi”, ndërkohë që ndonjë syresh i cili guxon të refuzojë përfitimet e papastra që mund të sigurohen përmes tij nuk meriton të cilësohet më shumë se një “humbameno”. Dhe faktikisht, të tillët, përveçse të gjendur përballë presionit të kësaj kulture mbizotëruese, shpeshherë nuk janë të denjë as për të mbuluar funksionet që u janë besuar, pasi shndërrohen në problem për konjukturat ekzistuese, partiake apo qeveritare, që ushqehen përmes korrupsionit. Dhe në një vend ku kultura mbizotëruese nuk e stigmatizon korrupsionin, ndërkohë që ligji është plotësisht i pafuqishëm, refuzimi i njerëzve të tillë duket plotësisht irracional, në mos pastë ndonjë shpjegim metafizik, të bazuar tek besimi në Zot, çka gjithsesi nuk të bën më pak të “çmendur”.
Mirëkuptimi zemërgjerë i shqiptarëve ka bërë që të korruptuarit, në vend se t’i fshihen vëmendjes publike, pra, të shndërrohen në hije, t’i shfaqin me arrogancë dhe përçmim privilegjet dhe përfitimet materiale të siguruara në rrugë të pandershme. Politikanët nuk e kanë asfare siklet të reklamojnë banesat luksoze dhe makinat tejet të shtrenjta, të blera me të ardhura të pajustifikuara nga rrogat e tyre modeste.
E vetmja përpjekje vërtet sfiduese ndaj status quo-së do të ishte formësimi i një kulture të re antikorrupsion, të ngritur mbi premisat e superioritetit moral, por edhe intelektual. I një kulture që përmes argumenteve është e aftë të bindë shoqërinë se ky mirëkuptim, sa apatik dhe amoral, është në thelb një padrejtësi ndaj shoqërisë, ndaj familjes, por edhe ndaj vetes. Sigurisht që përpjekjet e qeverisë në këtë aspekt do të ishin të pamjaftueshme, edhe nëse do të ofronte një tjetër model nga ky që po shohim, madje edhe nëse në vend të mësimit mbi fetë do të propozonte mësimin mbi dëmet e korrupsionit. Institucionet fetare po ashtu nevojitet të jenë më të zëshme, përfshirë dhe artin, me varietetet e tij. Vetëm sinergjia e tërësisë së përbërësve kulturorë të një shoqërie mund të përmbushë misionin e sendërtimit të një kulture të re, në themelet e së cilës gjendet mosdurimi, dhe jo mirëkuptimi, ndaj një kanceri të tillë social. /tesheshi.com/