Java që sapo lamë pas u shënjua nga disa ngjarje debatndjellëse, ndër të cilat vëmendjen më të madhe e tërhoqi publikimi i një audiopërgjimi, në epiqendrën e të cilit ishin dy figura politike, deputetja e BDI, Ermira Mehmeti, dhe Musa Xhaferri, përfaqësues i të njëjtës parti, në postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Maqedonisë.
Në ditët që vijuan, BDI-ja vendosi tërheqjen e përfaqësuesve të saj nga qeveria. Një masë kjo ndoshta e menduar edhe si lëvizje purifikuese në sytë e elektoratit, me synimin për të krijuar një shkëputje psikologjike nga qeverisja e deritanishme e Maqedonisë, dhe pse jo, një alibi për shmangien e përgjegjësisë qeverisëse në prag të zgjedhjeve të parakohshme; të planifikuara për t’u organizuar në datën 5 qershor.
Publikimi i audiopërgjimit nuk mund të konsiderohet si i veçuar nga seria e përgjimeve të publikuara nga kryetari i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, në kuadër të denoncimit të aferave korruptive të partisë kryesore maqedonase në pushtet, të etiketuara si “bombat e Zaevit”, pavarësisht faktit se në këtë rast burimi i publikimit ishte një gazetar.
Përtej nevojës për t’u përfshirë në debatet mbi vërtetësinë e audiopërgjimit, në implikimet e tij në politikën e ditës në Maqedoni dhe në konsiderimin e tij si mënyrë e shantazhimit politik, por edhe si sinjal paralajmërues se publikime të tjera akoma më flagrante mund të publikohen nëse nuk ndërmerren aksione të caktuara politike (si i tillë mund të lexohet edhe tërheqja nga qeveria), përgjimi shërbeu edhe në një tjetër prizëm. Ai ndihmoi për të risjellë në vëmendjen e publikut debatin mbi etikën e komunikimit publik dhe mediatik, si dhe të respektimit të së drejtës së privatësisë, gjerësisht të diskutueshme kur subjekti gëzon profil publik.
Duke abstraguar nisur nga audiopërgjimi në fjalë, mund të themi se sot është një sipërmarrje tejet e komplikuar ta ndash sferën publike nga ajo private. Nuk ka rregulla të gatshme dhe të gjithëpranuara, qoftë edhe ligjore, që mund të aplikohen për çdo rast. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka krijuar një jurisprudencë relativisht të pasur në këtë fushë; gjithsesi, mbrojtja ligjore mbetet në nivel parimor, dhe përqasja e ndjekur është ajo “rast pas rasti”.
Nëse i referohemi Hannah Arend-it në veprën “Gjendja Njerëzore”, në Athinën e lashtë, dallimi i sferës private dhe asaj publike ishte qartësisht i përkufizuar. Sfera publike ishte shtëpia e angazhimit politik, sfera e aksionit dhe fjalës. Vetëm njerëzit e lirë mund të ishin pjesëmarrës të sferës publike, sepse vetëm ata nuk ishin peng i nevojave bazike njerëzore, kryesisht me karakter biologjik. Sipas konceptimit të atëbotshëm, të ishe i lirë nënkuptonte të qenit i lirë nga nevojat. Skllavi s’mund të ishte i lirë, sepse duhet të bënte punë fizike për të siguruar mbijetesën, nevojë nga e cila zotëruesi i tij ishte i çliruar. Sfera publike, e njëtrajtësuar me atë politike, ishte hapësira që u kushtohej individëve që mundeshin dhe kishin zgjedhur të ishin të dukshëm, apo të vëzhgueshëm. Ndërkohë që sfera private ishte ajo që i kushtohej familjes, ku zotëria i shtëpisë ruante funksionet e tij autoritare, vendi ku nuk ekzistonte hapësira e lirisë që karakterizonte sferën publike. Në përkufizimin që bën neni 8 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, mbrojtja e privatësisë shoqërohet me të drejtën për jetë të pashqetësuar familjare. Duket se diçka është ruajtur nga koncepti fillestar i privatësisë, pavarësisht transformimit që ai ka pësuar gjatë shekujve.
Po sipas së njëjtës studiuese, epoka moderne karakterizohet nga shfaqja e diçkaje që nuk është as publike dhe as private, e quajtur sfera sociale, forma politike e të cilës është shteti-komb. Formimi i shoqërisë si i tillë, imponoi ndriçimin e shumë aktiviteteve shtëpiake të konsideruara si pjesë të sferës private, duke i nxjerrë ato nga errësira dhe padukshmëria në dritën e sferës publike.
Shfaqja e sferës sociale mjegulloi kufirin mes privates dhe publikes, përderisa socialja përmban elementë të të dyjave. Ky mjegullim u shoqërua në epokën moderne me kufizimin e sferës private, pothuajse duke e barazuar atë me gjithçka që sot konsiderohet si intime. Kur flasim për privatësi, sot përgjithësisht nënkuptojmë intimitetin, një koncept shumë më i ngushtë. Duke iu rikthyer publikimit nga i cili morëm shkas për këtë trajtesë, konkretisht përmbajtjes së tij, bazuar edhe në arsyetimin e sipërcituar, pikëpyetja që meriton të ngrihet, nëse ka një të tillë, është ajo nëse duhet ta pranojë etika mediatike publikimin e detajeve intime të figurave publike? Dhe a mund të shërbejë interesi publik si arsyetim?
Ka një konsensus të gjithëpranuar mediatik, por edhe juridik, se kur flitet për figurat publike, aq më tepër me profil politik, që zgjidhen dhe përgjigjen përpara votuesve, kufijtë e hapësirës që konsiderohet si private janë shumë më të ngushtë se të njerëzve jopublikë, dhe toleranca ndaj ndërhyrjeve zhbiruese është më e lartë. Ndërsa për sa i përket hapësirës intime, që përfshihet nga privatja, por që është më e ngushtë se ajo, dhe që fatkeqësisht shpesh identifikohet me privaten, dallimi mes individëve publikë dhe jopublikë mbetet i pavlerë. Sepse, pavarësisht statusit, intimja, si pjesa më delikate dhe sensitive e personalitetit, e lidhur ngushtësisht me dinjitetin dhe integritetin personal, duhet të gëzojë një mbrojtje të veçantë. Është e vështirë të identifikosh një interes publik që mund të justifikojë cenimin e intimitetit të dikujt, pavarësisht statusit që gëzon.
Ngjashëm, argumenti se detajet intime të njerëzve me profil publik mund dhe duhet të publikohen, pasi zgjedhësit duhet të njihen me moralin e atyre që i drejtojnë, paraqet disa mangësi. Publikimi i rasteve të tilla, pavarësisht efektit sensacional dhe “demaskimit” të personave të përfshirë, nuk mund të përcjellë ndonjë leksion moral, përkundrazi, ai shërben si një arsye legjitimuese e sjelljeve të tilla edhe në nivelet e tjera të shoqërisë. Aq më tepër që infiltrimi në skutat e intimitetit të individëve është një praktikë thellësisht antidemokratike, karakteristikë thelbësore e regjimeve autoritare, por edhe e organizatave mafioze që funksionojnë mbi bazën e shantazhit dhe kanosjeve.
Edhe në planin e etikës mediatike, publikimi i intimitetit të individit mbetet njëlloj shqetësues. Edhe pse ajo pjesë e gazetarëve që vendosi të publikonte përgjimin u justifikua me argumentin e sipërpërmendur të interesit publik, sërish kjo mbetet thjesht një përgjigje. Një përgjigje që sigurisht do të tingëllonte dyfish absurde kur bëhet fjalë për njerëz me status jopublik, apo edhe të mitur, e që megjithatë të tillë gazetarë nuk ua kursejnë publikimin e fotografive, mesazheve, apo të çdo detaji tjetër intim, përfshi edhe përshkrimin patetik dhe sadist të vuajtjeve që kanë pësuar kur fatkeqësisht shndërrohen në pre të mediave të tilla, pasi janë shndërruar fillimisht në viktima të realitetit të ashpër shqiptar. /tesheshi.com/