Linçimi me konotacione fetare (erdoganist, muslim brotherhood, ekstremist) tregon nivelin e lartë të dëshpërimit në konfliktin e brendshëm në PD që ushqen tezat serbe për rrezikun e “Islamit në Balkan” nga shqiptarët.
Kjo lloj retorike është fake news, anti-kombëtare dhe islamofobe.
Pse?
Së pari, duke mos pasur asnjë argument tjetër të qenësishëm, anëtarët e “kampit të Berishës”, janë nisur nga dy aspekte: a) besimi islam që kanë disa nga zërat publikë të mbështetësve të Bashës, dhe b) një “ekipi” të sigurisë fizike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut marrë me “qera” nga Basha.
Berisha u shpreh se ata janë “ekstremistë”.
Basha nuk e ka pranuar si të vërtetë si fakt dhe për sa kohë nuk është e vërtetuar duhet konsideruar një fake news. Ky kriter është edhe më i rëndë se ai i pari, pasi është një tezë e huzuar nga serbët të cilët vazhdojnë të investojnë për të ushqyer zërat ekstremë në BE duke i paraqitur shqiptarët muslimanë në Balkan si rrezik për Perëndimin.
Nga ana tjetër, si qasje bie tërësisht në kontradiktë me qasjen “patriotike” që Berisha e shpërfaq si një ndër kostot që ai nënkupton në lidhje me shpalljen “non grata” apo dhe qasjen e tij “sovraniste” ndaj marrdhënies së Bashës me ambasadën amerikane.
Së dyti, në lidhje me “Erdoganizimin” apo “Neo-Erdoganizimin” e disa mbrojtësve të Bashës. Artikulimi i kësaj teze, në mungesë të argumenteve thelbësore është tipike e llojit “fake news” e cila targeton faktorin ndërkombëtar. Duke qenë se Erdogan konsiderohet si një lider autokrat dhe josimpatik për Perëndimin, duke përdorur besimin fetar musliman të disa prej zërave publikë pro Bashës, ky do të ishte rasti më i mirë për të cenuar tezën e lëvizjes së Bashës ndaj Berishës, e cila lidhet me shpalljen “non grata” nga SHBA.
Ky lloj artikulimi ka nëntekste islamofobe, pasi e bën lidhjen e këtyre zërave publike me Erdoganin nisur nga besimi i tyre musliman. Pra të qënit musliman sipas kësaj teze të bën automatikisht erdoganist dhe si rrjedhojë kundërshar të Perëndimit.
Ndërkohë, Rama i cili akuzohet pa fund nga PD se gëzon një mbështetje të konsiderueshme nga komuniteti ndërkombëtar e shpreh haptaz miqësinë e tij me Erdoganin. Nga ana tjetër, Bashën e mbështesin dhe zëra publike të besimit të krishterë por për këtë segment “linçimet” janë të karakterit personal ose hidhen e priten në formë memesh dhe humori.
Në të dy kampet ka besimtarë dhe të stigmatizosh duke përdorur besimin fetar vetëm për ata që mbështesin kampin kundërshtar, është jo vetëm e padrejtë por dhe e pandershme. Nuk po merrem këtu me termin “Neo-Erdoganist” për të cilin nuk gjej as bazë shkencore dhe as logjikë.
Së treti, përdorimi i fake neës-eve me përmbajtje fetare tashmë njihet si domen i grupeve ekstreme të djathta, të cilat synojnë elektoratin e tyre i cili vjen nga ky kontigjent. Por keqpërdorimi i besimit fetar nuk duhet të tolerohet duke pasur parasysh traditën e shkëlqyer të mirëkuptimit midis feve në Shqipëri, por dhe situatën gjeopolitike në Ballkan, ku instrumentalizimi fetar për qëllime nacionaliste është shekullor.
Si përfundim, të tilla retorika politike tregojnë dhe nivelin e përgjegjshmërisë së politikaneve tanë të cilët mund të rrënojnë cdo lloj vlere shekullore vetëm e vetëm për përftimin e momentit.
Dhe një përgjigje ndaj këtyre sjelljeve mund të jetë, duke huazuar refrenin e këngës së grupit patriotik “Lira” të Korçës: “Po nga gjithë ato më parë dua më shumë Shqipërinë”.
Marrë nga profili i autorit në FB