Përqindja më e madhe e lajmeve të një portali kësaj nahie të gjurrulldishme të info-ve, shoqërohet nga cilësimi “skandal” para çdo titulli, pa e kuptuar se sa skandaloz e bën kjo prirje për të parë skandale gjithandej.
Dhe ndër skandalet e servirura aty për gjindjen, ishte dhe ai që kahja qeveritare në këtë fushatë po kërkonte tashmë vota dhe ndër kisha e xhamia, e këtë, e kish ilustruar me foton e dy besimtarëve myslimanë gjatë një aktiviteti të kreut të Bashkisë së Korçës, e njëherësh kandidatit për ta drejtuar këtë bashki, Sotiraq Filo. Një prej atyre besimtarëve, quhet Dritan Bilbili dhe është biznesmen.
Në një sqarim të shkurtër telefonik, Dritani tha është ndodhur aty si një prej kontributorëve për projektin e sheshit të ri tek xhamia e Iljaz bej Mirahorit, që sigurisht është në partneritet me bashkinë, pavarsisht kontekstit elektoral ku i ka rënë të gjendet, të cilin duhet ta paguajë me rrufetë e shumta që tashmë lëshohen mbi të nga shumë drejtime, përfshirë dhe komunitetin e tij ku bën pjesë.
Më kryesorja që duhet sqaruar është se çdo forcë politike ka të drejtën e saj të kërkojë vota ku t`ja merr mendja se mund të marrë, makar dhe në kisha apo xhamia, meqë dhe aty njerëz ka, si gjithë të tjerët dhe padyshim me të drejtë vote.
Këto vatra besimi nuk ka pse shihen në një dritë të atillë shenjtërie sa t`jua heqësh të drejtën e të qënit dhe tokësore, veç dimensionit qiellor që mëtojnë ta kenë.
E përsëris: nga njerëz përbëhen dhe ato, që duan, me një fjalë të vetme, një cilësi jete më të mirë, e që për këtë, kanë gjithë të drejtën e Zotit që ta kushtëzojnë politikën, në daç me votë pro e kundër, me përkrahje publike apo me refuzim publik, si ta shohin të arsyeshme, nisur dhe nga kriteret morale që ua dikton feja, besimi i tyre.
Në respekt të kësaj logjike të thjeshtë të gjërave, nuk ja vlen të stërzgjatesh më tepër; edhe pse kjo nuk pritet ta frenojë të bërit tërkuzë të rastit në fjalë.
Etja për të prodhuar medoemos “skandale”, përngjan në çdo fushatë me një llavë vullkanike që përhapet gjithandej, duke përvëluar gjithëkënd, pa bërë dallim.
Dhe sa të zgjasë kjo, shumica e onlineve, kanë vetëm një emër: “www.skandal.al” /tesheshi.com/