Saga “Tahiri”, e endur mes politikes dhe juridikes, përfundoi me një dënim për të, që, siç vetë personazhi kryesor e tha në reagim, të kishte qenë më fisnik; më mirë të ishte dënuar për trafik droge se sa për shpërdorim detyre.
Që në nisje, ajo pati një ngarkesë të dukshme politike, dhe të natyrshme gjithashtu, teksa bëhej fjalë për një personazh politik të niveleve më të larta, e kur gjithçka zhvillohet nën sfondin e një tensioni politik. Ndërsa juridikisht, po që në nisje, ajo pati mangesë të dukshme nga ana e akuzës. Në seancën e parë kur prokuroria dha një lloj pretence duke kërkuar arrestimin e ish-ministrit, ajo e qe nën nivelin e mbrojtjes, ku fillimisht, një rol të tillë e pati avokati i njohur Artan Hajdari. Më pas, ajo, akuza, vijoi të qe nën nivelin edhe të mbrotjes mediatike që Tahiri i bënte vetes, i vetmi aspekt ku ka treguar vërtet talent në ligjërim publik. Erdhi më pas dhe pafajësia e italianëve, e finalja me seancat e fundit ku u dha dhe pretenca, ishte po ajo e nisjes së procesit; pa asnjë të re, pa asnjë risi, pothuajse i njëjti formulim, pa ofruar, qoftë dhe në rrugë mediatike në formë okulte, një provë vërtet kokëfortë për Tahirin, për implikim të tij direkt, në formën më të rëndomtë, në trafik droge.
Edhe armiqtë e tij më të egjërt, politikë e mediatikë, e pranojnë me dhimbje këtë; një akuzë infantile, deri dhe naive juridikisht.
Kështu që ajo çka mbetet për t’i bërë gjyqin Tahirit, është vetëm aspekti politik. Ky lloj gjyqi, mbart me vete verdiktin e opinionit, te i cili vrundullojnë lloj-lloj motivesh e arsyesh, sa racionale po aq dhe irracionale, por dhe të vetë politikës. Por nëse në parin ka një lloj legjitimiteti, te i dyti jo. Tahiri si precedent duhet të shërbejë për t’i mbyllur gojën politikës e jo t’ja hapë më tej asaj, si një çorap. Reagimet e ardhura nga PD e LSI, prej krerëve përkatës, duke e sulmuar politikisht verdiktin e gjykatës, e ndërfytur aty rolin e Edi Ramës, është një tjetër akt i pështirë amoralieti.
Sido-sido, trafikant apo jo, horr politik apo jo, pis burrë apo jo, Tahiri moralisht ua ka mbyllur gojën rivalëve politikë, referuar precedentëve që kanë lënë pas, për mënyrën se si zgjodhi të përballej me drejtësinë, duke ndërmarrë dhe aktin e vetëdorëzimit të mandatit të deputetit.
Krahasimisht, Lulzim Basha, me dy akuza të rënda mbi shpinë, atë për abuzime të rënda financiare në Rrugën e Kombit e vrasjet e 21 Janarit, as që e ka parë derën e gjykatës, e sot vijon i patrazuar karrierën politike (edhe në një proçes nën dyshimin për lobim me para “të papastra” ruse), e madje synon të rikthehet në pushtet duke qenë kryeministër.
Ilir Meta, njeriu i një video-skandali ku me bllok në dorë bënte pazare milionash, ia hodhi paq me një proces gjyqësor, ku në verdikt nuk u bë e qartë se ç’e nxorri videon “me probleme” e atë vetë, Metën, të pastërt. Tej kësaj, mendja dhe shpirti i LSI-së, vijoi të jetë personazh politik pa “gjemb në këmbë”, ku sot e gjithë ditën bën “të fortin” e saj, duke e sjellë vërdallë. Më e pakta, Saimir Tahiri nuk e ka më këtë shans; pra nuk do jetë kaq i përkëdhelur nga fati siç Basha e Meta. Sigurisht as si Berisha, një kampion që sa ç’akuzon, po aq akuza ka kundrejt tij ç’prej kur morri përgjegjësi politike e qeverisëse.
Nëse do kishte sadopak moral në politikë, në këtë rast nga opozita, ajo duhej të mbyllte sqepin. Le të flasë publiku, gjindja, ata që s’janë aktorë politikë; le ta çojnë në ferr Tahirin! /tesheshi.com/