As prognozat më të holla politike nuk do mund të kishin parashikuar ditën kur PD-ja do ta kishte futur në ligjërimin e saj Sorosin, për ta telendisur atë në funksion të politikës së ditës; kjo, sikur t’i kishte rënë drejtimi në duart e Altin Goxhajt, një personazhi që në gjithë performancën e tij publike në vite lë pak vend për t’u marrë seriozisht, edhe nëse ia qëllon ndonjëherë.
Fryma që promovon Sorosi, politikat e tij, vizioni i tij mbi shoqërinë e botën, ka shumëçka për të mos qenë dakort, madje për t’u luftuar, në kuptimin më intelektual të fjalës, por ai nuk është aq okult në rrezikshmërinë e vet për t’u servirur si i tillë. Në këtë pikë, krahasimi i Sorosit me FETO-n e Gylenit sikur çalon. Sorosi nuk rekruton njerëz në administratën publike, sidozot tatimorë, policë, ushtarakë, të cilët një ditë mund të të bëjnë gjëmën me cenim të rendit kushtetues; ai rekruton elita intelektuale, akademike dhe politike që pikëtakohen me idetë e tij, me bazë liberalizmin, krejtësisht legale dhe të hapura, pa u konfrontuar me ligjin, që është dhe “A”-ja e gjithë kësaj meseleje.
Mu në këtë pikë, Ermal Hasimja, një opinionist i njohur për inteligjencën e tij në debatet publike, arriti t’i mbyllë gojën një antisoroisti të orëve të vona nga radhët e gazetarisë së portaleve gjatë një përballjeje në Opinion-in e Fevziut.
Por dhe njëherë duhet thënë që vizioni dhe idetë soroiste meritojnë në çdo kohë një kritikë të imët, të tillë ama që duhet ta bëjnë individë me staturë akademike, politologë, sociologë, historianë, etj., e vlefshme kjo për çdo vend e kohë, sa soroizmi është aktiv.
Dhe ndërsa kjo i ka munguar ndonjëherë debatit politik në vend për gati çerekshekulli, ku Sorosi ka qenë dhe është i pranishëm gjithë ditën, pa u fshehur skutave, madje duke financuar një pjesë të mirë të elitës politike shqiptare, ku një skotë e saj është dhe në barkun e PD-së, vjen një ditë e shpërthen befas me një pamundësi irracionale për t’u shpjeguar një ligjërim flakërues ndaj tij, ku vetëm halli i madh që shkakton në disa sallone të politikës, ajo, Reforma në Drejtësi, mund ta racionalizojë deri diku irracionalitetin e këtij antisoroizmi pa pikë kuptimi.
A e mbani mend se kur dhe si doli në skenë Sorosi? Ka qenë koha pas miratimit të reformës në parlament, ku disa media, më saktësisht portale pranë opozitës, të nivelit nën mesatar, si duket kaluan në planin B pas dhënies së “Po”-së me pahir, duke shfrytëzuar dhe atë çfarë po ndodhte përtej oqeanit me shfaqjen e Trump-it dhe të frymës së tij antisoroiste, e denjë ndoshta për realitetin amerikan, por pa lidhje me atë shqiptar, e aq më pak me Reformën në Drejtësi. Dhe këto portale i servirën publikut faktin se pas draftit të reformës bujëmadhe ishte e ububushmja e duarve të ekspertëve të Sorosit në të.
E para, në këtë pikë nuk ka kurrfarë lajmi, aq më pak scoop-i, akoma më pak skandali, sepse Sorosi në radhët e veta ka ekspertë nga të gjitha fushat, dhe, siç ofron financime projektesh, ashtu ofron dhe ekspertiza për fusha të cilat i kërkohen. E dyta, në shqyrtim politik e gjithashtu juridik mes aktorëve politikë shqiptarë e diplomacisë perëndimore, përfaqësuar kjo në rastin konkret nga dyshja Lu-Vllahutin, por shtoi po të duash dhe Merkelin, si iniciuesja e parë e reformës, nuk ka qenë elementi njerëzor pas tekstit, por vetë teksti, që jo vetëm ka marrë dakortësi nga palët – miratimi me konsensus të plotë në parlament – por ka kaluar dhe filtrin më të imët të mundshëm, atë të Komisionit të Venecias, legjitimitetin e së cilit PD-ja jo vetëm nuk e ka vënë kurrë në dyshim, por madje dhe e ka thirrur gjithnjë në ndihmë sa herë i është dashur për beteja politike.
Dhe këtu është vendi për të bërë një spekulacion pozitiv: po sikur dhe në radhët e ekspertëve të Venecias të ketë soroistë? Dhe nuk është asfare habi që të ketë, për gjithë arsyet që u thanë më lart. Mjafton fakti që një pjesë e mirë e elitës politike europiane dhe e inkuadruar në institucionet e Brukselit është e tillë, siç është dhe gjysma e lidershipit të PD-së, dhe e cila nuk ka asnjë arsye pse të penalizohet për këtë, vetëm në rastin kur, siç po vepron, ia kthen armën vetvetes; një penalizim moral.
Dhe pas “zbulimit” të Sorosit të “fshehur mes rreshtave” të Reformës në Drejtësi, i gjithë ligjërimi opozitar, përfshirë dhe atë të LSI-së, një tregues ky shumë kuptimplotë, u investua në bërjen pis të kësaj reforme me “praninë kimike” të Sorosit në të, ndërkohë që do kish qenë shumë më burrërore ta kontestonin atë me argumente juridike, hem për të treguar seriozitetin dhe konsistencën e tyre politike, hem për ta edukuar faktorin ndërkombëtar në një qasje më parimore e më morale ndaj zhvillimeve shqiptare.
Dhe për ta kuptuar më mirë idiotësinë, paburrërinë dhe xhambazllëkun në sjelljen ndaj reformës, krahas kapjes pas Sorosit, nisën atentatet mediatike dhe ndaj ambasadores Vllahutin, me argumentin pa argument të një vile të shtrenjtë të blerë prej saj – më saktë, BE-së, pasi nuk ka gjasë të ndodhë e kundërta – që gjithsesi nuk ka asnjë pikë lidhjeje me tekstin e reformës, edhe sikur znj. Vllahutin, përpos një e korruptuar, të ishte – të na ndjejë për krahasimin – kërcimtare në klubet e natës; ashtu siç nuk ka lidhje as ai pak gjak kinez ndër dejet e organizmit të ambasadorit Lu, meqë në kuadër të reformës i është vënë në dukje dhe ky “cen”: të qenit pak kinez!
Dhe tani, të vijmë tek “qershia mbi tortë” e gjithë e këtij lloj teatraliteti që mund të ishte i justifikuar para 20 vitesh, atëherë kur dija e shqiptarëve mbi mënyrën e funksionimit të gjërave në botën politike përtej ishte në nivele minimale, por jo sot. E ajo është stigmatizimi i Ramës si soroist, jo nga Altin Goxhaj, por nga vetë kreu i opozitës, Lulzim Basha, gjatë një interviste në një portal amerikan, partizan i Trump-it dhe i frymës së tij.
Dhe ka ca pyetje që të vijnë natyrshëm për t’i bërë. Pse sot? Basha ka 12 vjet në politikë, gati po aq dhe Rama. Pse nuk ka ekzistuar më parë një kontekst i tillë i të parit ndaj të dytit, e që shfaqet tani? Për çfarë arsye pra?
Basha e akuzon Ramën si soroist, por, vini re, pikërisht në atë lloj forme stigmatizuese ku epiteti – në rastin konkret, me burim një emër njeriu – merr trajtë pezhorative në varësi të përdorimit, pa u analizuar në asnjë moment, mjaft të zërë vend në turma.
Ndryshe, do ishte e nevojshme, serioze po ashtu, si dhe morale e parimore, që Basha ta sqaronte se çfarë dëmesh i ka sjellë Sorosi Shqipërisë dhe në ç’fusha? Kush është katastrofalja e ideve dhe e vizionit të tij në zhvillimet shqiptare? Ç’politika në dëm të Shqipërisë ndjekin të gjithë ithtarët e tij apo njerëzit që ai i ka sponsorizuar për studime e trajnime?
Rama vetë, me soroizmin e tij, në ç’drejtime po e dëmton vendin, në ekonomi, në financë, investime publike, në administratë, drejtësi, arsim, politika sociale, në politikë të jashtme, në sigurinë kombëtare, në sjellje me opozitën? Ku pra?
Mos hasi kush sosh në intervistë? Aspak!
Dhe as mos rreket të dëgjojë a të mësojë ndonjëherë gjë rreth kësaj. Sorosi është vetëm një degë, një prej shumë degëve ku ligjërimi opozitar po kapet e po mbahet në pemën pa rrënjë të një politike e gjitha në absurd dhe që i drejtohet masës më amorfe të shoqërisë në të menduar.
Ah, në intervistë potencohej dhe fakti se vetëm Basha do mund ta luftonte ekstremizmin dhe radikalizmin islamik!
Vjen një moment që këta të lënë pa gojë, pa fjalë!
Sidomos kur kupton se është Altin Goxhaj ai që tashmë drejton opozitën, hija e tij…
P.S. Dhe të mendosh se Goxhaj gjithsesi mbetet më i besueshëm dhe më serioz në antisoroizmin e tij. Është një betejë që e ka nisur vite më parë, ka qenë i vetëm në të, ka qenë jopartiake, pa asnjë lidhje me ndonjë reformë të frikshme, me plot dyshime për motivet, por krejt e justifikuar për tipin e Goxhajt. Dhe në këtë pikë, PD-ja, siç po udhëhiqet nga hija e Goxhajt, po ashtu është shndërruar dhe në kopje të shëmtuar të antisoroizmit të tij. /tesheshi.com/