Një ditë, jo si gjithë të tjerat, hyj në një lokal. “Barons”, çoç e quanin. Porosis dy kafe për me vete. Aty pashë kamerierin tim. Këtu nisi që kjo ditë të mos ishte më si gjithë të tjerat. Si padashur, nga xhepi më dalin pak si shumë para. Jo të miat, në fakt. Të punës. Kamerieri në moment ndryshoi ngjyrë, çere, mimikë, gjestikulacione, dhe çdo gjë tjetër që mund të lëvizte nga trupi i tij dhe me të cilat tentonte të më komunikonte respekt, admirim, vlerësim, servilizëm, skllavopronarizëm, e shumë gjëra të tjera, të cilat nuk më adresoheshin në fakt mua, por qartësisht parave që nuk ishin të miat.
Sa herë që shkoja të porosisja tek “Baronsi”, kamerieri rrëshqiste si algë e qullët dhe më dilte përpara për të më takuar dhe për të më vështruar me një shikim të tipit “mos i mbaj lekët vetëm për vete”! Kjo gjë më impononte që t’i lija ndonjë bashkish edhe kur s’kisha. Nuk e kuptoja sesi kamerieri nuk e bënte dot dallimin midis veshjes sime modeste dhe luksit që duhet të reflektonin ato para! Ndoshta mendonte si e tërë pjesa tjetër e shqiptarëve: “Ky maskara kërkon të kamuflohet”. Kështu vazhdoi historia ime me kamerierin tim, derisa hyra në muhabet me të. E kjo ngaqë kamerieri vinte fillimisht tek unë edhe kur hyja i fundit në lokal. Pas shumë bisedash mes nesh, doli se kamerieri ishte me shkollë të lartë dhe me master për psikologji. Mundësisht mesatarja mbi 9! Si gjithmonë. Ambiciet, edhe pse nuk fliste, ishin të qarta se i kishte për doktoraturë!
Më pas kamerieri na doli dhe me prejardhje nga një familje e ngritur agallarësh, e cila ishte persekutuar nga regjimi komunist. Sot fisi i tij, dhe ai vetë, nuk janë më njerëz të ngritur, siç e meritojnë, e as njerëz të ulët, siç padrejtësisht i kishte kthyer regjimi i shkuar, por kandidatë kryesorë për të qenë shtresë e mesme e një sistemi që s’ka për t’i bërë ndonjëherë të tillë. Intelektual, me prejardhje të lartë, i persekutuar, siç përndiqet njerëzit me vlera në këtë vend, dhe i papunë, sepse kamerierllëku nuk është zanat e as profesion, por, në fakt, hyzmeqarllëk. Çudia në këtë mes qëndronte në faktin se si një njeri i ngritur si ai të sillej në këtë mënyrë meskine. Ndoshta kështu i katandis njerëzit me vlera ky sistem. Nga ana tjetër, sheh njerëz të shëmtuar, idiotë, servilë e fodullë, të cilët punojnë në administratë apo janë drejtorë; të pashkollë, të pamend, shkurt, as për kamerierë nuk bëjnë. E vetmja meritë është se ata janë militantë partiakë. Një versioni i sofistikuar ky i servilizmit!
Kamerieri, megjithëse si kallëp duket njeriu më i pavlerë, në fakt është emblemë e simptomës që vuajnë gjithë njerëzit me vlera në këtë vend. Të papunë, të parealizuar, të persekutuar, të flakur rrugëve dhe të detyruar të bëhen kamerierë dhe të durojnë “tangërllëkun” e njerëzve pa shkollë, por me lekë, dhe të cilët gëzojnë privilegjet që u jep ky sistem. Unik në llojin e vet, madje edhe në rang global. Sistemi i “Baronsave” i detyron njerëzit me vlera, tashmë “kamerierë”, që t’i durojnë tangërlliksat e aksidentuar me paratë, edhe pse nuk i meritojnë ato. Ky sistem u jep atyre privilegjin që të shohin se si njerëzit me shkollë, që duhet t’i udhëhiqnin, u shërbejnë atyre! Kjo sepse boshti i vlerave të këtij sistemi është pikërisht “servilizmi”, art ky që mund ta përsosin shumë lehtë ata pa shkollë. Madje më mirë sesa njerëzit që kanë mbaruar shkollën për aktrim! Këtë sistem do ta kishte zili edhe ish-diktatori, i cili karrocierët i bëri sekretarë partie vetëm sepse ishin servilë a spiunë, ndërsa njerëzit me shkollë i detyroi të bënin punë të rëndomta, sepse nuk e perfeksiononin artin e servilizmit. Komunizmi vazhdon të qarkullojë fatkeqësisht në venat dhe ADN-në e kombit tonë, sepse për aq kohë sa njerëzit me vlera do i bëjmë kamerierë, do vazhdojmë të gjerbim kafe dhe të hapim kafene “baronsash”.
Kamerieri është njeriu i fundit që duhet të shkojë në kafene, sepse kohën nuk e vret me helmin e ëmbël (me kafenë), por e gjallëron me germa dhe faqe librash. Baronsat, agallarët modernë, pinë kafe, sepse kooperativa vetëm sisteme kafeneje ka prodhuar. Në kafe sheh sot prokurorë, politikanë, biznesmenë, e çdokënd tjetër që nuk duhet të ishte klient aty, por kamerier! Ndërsa kamerierin e sheh shërbëtor të tyre! Krejt në kontrast, pra, me eksperiencën perëndimore. Sot Amerika i përthith njerëzit më me vlerë në botë pavarësisht ngjyrës, racës, fesë, kulturës, prejardhjes, etj. Dhe i vendos në krye të vendit thjesht sepse janë të ditur, ndërsa tek ne i bëjnë kamerierë, servilë, shitës, agjentë marketingu, punëtorë krahu. Shkurt, në çdo lloj shërbimi apo pune që nuk duhet ta bëjë një njeri me shkollë. Prandaj ata janë aty ku janë, dhe ne jemi këtu në kafene-land! Njerëzit me shkollë duhet të prodhojnë mendim, ashtu siç zdrukthtarët prodhojnë mobilje. Por meqë jemi në kafene, mendimin e prodhojnë druvarët, zdrukthëtarët, trafikantët, tutorët, të pavlerët që jetojnë me remitanca, ndërsa njerëzit me vlera u shërbejnë atyre, sepse po dhanë mendim e ndryshojnë komplet sistemin dhe i hedhin rrugëve ata që janë ulur buzë rrugës vetëm me pretekstin se kanë para të pinë një kafe bri saj.
Njerëzit e kafeneve, sado para të kenë, nuk e ndryshojnë dot sistemin, por thjesht e komentojnë atë, sepse ndryshimi nuk vjen me interpretime, por me mendime, dhe pikërisht burimin e saj e kemi bërë hyzmeqarë (kamerierë). Kamerierët e “Baronsave” dhe “Lordave” janë barometri i një sistemi që funksionon mbrapsht. Që të bëhesh pjesë e kësaj bote baronsash, duhet të heqësh dorë nga çdo gjë që ke përfituar në shkollë apo që ke lexuar nga eksperienca ndërshekullore humane e shpalosur në germa dhe libra, sepse këto gjëra u shkaktojnë alergji konsumuesve të kafesë, që janë edhe qelizat regresiste të sistemit. Ky është kamerieri im, por edhe i yti. Në këtë sistem të gjithë jemi kamerierët e dikujt, prandaj nuk duhet të ekspozojmë mendim dhe vlera, sepse do mbesim të tillë në rastin më të mirë, apo do përfundojmë kamerierë, në kuptimin e parë të fjalës, në rastin më të keq. Brezat e së ardhmes do thonë se rendi skllavopronar u pasua nga sistemi i “Baronso-kamerierëve”. Nuk e di si do të jetë sistemi pasardhës, por një gjë e di me siguri, që ky sistem do na bëjë që t’i shijojmë gjatë kafetë, kafenetë, kafedhënësit, kafepirësit, kafeshërbyesit, por asnjëherë librin edhe dijen. Ja pse truri po ikën nga Shqipëria, ngaqë nuk mund t’u shërbejë kafekonsumuesve që e mbajnë peng sistemin. Ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar vetë dhe për ta shpëtuar këtë sistem: lexo sa më shumë, sepse libri ka shpëtuar shoqëri edhe kur shkrimtari ka përfunduar në turrën e druve! I çuditshëm, në fakt, ky efekt. Prandaj, lexo sa më shumë që ta shpëtosh këtë sistem. Lexo që fëmija yt mos të bëhet kamerier! /tesheshi.com/