Na ka ndodhur të gjithëve muajve të fundit që në shtëpinë e tjetrit të shohim të mbledhur një grumbull të kuponëve fiskalë. Kuponë 2 eurosh, e 200 eurosh. Në vend që të harronin ta merrnin kuponin fiskal me vete, apo ta linin me qëllim tek arka, njerëzit po i mbledhin ato. Dhe kjo është mirë. E tëra kjo për shkak se në muajin prill të këtij viti pati hyrë në fuqi në Kosovë një udhëzim administrativ i cili parasheh që për të gjithë konsumatorët që i grumbullojnë kuponët fiskalë, dhe si të tillë i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, do të aplikohet rimbursimi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori. Për blerjet prej 250 deri në 500 euro do të kthehen nga 10 euro prej TVSH-së që kanë paguar. Për blerjet prej 501 deri në 800 euro kthehen nga 15 euro, dhe për blerjet mbi 800 euro do të kthehen nga 20 euro.
Me anë të këtij akti, njerëzit po veprojnë siç duhet. Me anë të mbledhjes së kuponëve fiskalë, qytetarët fitojnë një pjesë të tatimit mbi vlerën e shtuar. Domethënë, në vend që të mos fitojnë asgjë, ata fitojnë diçka. Ndonëse shuma që kthehet nga mbledhja e këtyre kuponëve është simbolike, më mirë të marrësh diçka se asgjë. Por njëkohësisht konsumatorët po sigurohen që pagesat e bëra prej tyre të shkojnë në arkë të shtetit. Edhe pse besoj se rritja e shumës kthyese për kuponë do të ishte akoma më inkurajuese për konsumatorët, me gjasë një numër i madh konsumatorësh do të vepronin në të njëjtën mënyrë.
Në anën tjetër, jo të gjitha bizneset ta japin kuponin fiskal pas blerjes, ca për shkak se i mbajnë për vete, e ca sepse nuk janë të fiskalizuara. Me anë të kësaj iniciative, qytetarët mund të ndihmojnë në fiskalizimin e bizneseve. Duhet pasur parasysh se edhe pse ka vite që ka filluar procesi i fiskalizimit për bizneset e Kosovës, deri më tani as gjysma e tyre nuk janë pajisur me mjetet elektronike fiskale. Me anë të kërkimit të kuponëve fiskalë, bizneset mund të ndiejnë presionin e konsumatorit për ta shpejtuar procesin e fiskalizimit.
Kjo iniciativë, përveҫ që ndikon në procesin e mbushjes së arkës së shtetit dhe të fiskalizimit të bizneseve, sjell dhe shndërrimin në kulturë të kërkimit të kuponëve nga konsumatorët prej bizneseve. Kosovarët s’është që e kanë të rrënjosur në kulturën e tyre të kenë dëshmi të shkruara për atë që bëjnë, por, duke i mbledhur kështu kuponët fiskalë, edhe mund të vetëdijësohen me një shpërblim simbolik se ato u përkasin atyre, e se me këtë ndihmojnë shtetin dhe veten, prandaj duhet t’i marrin pas çdo blerjeje.
Por, para të gjithash, ajo çka duhet në tërë këtë mesele, sipas meje, është që konsumatorët ta kuptojnë njëmend rëndësinë e veprimit të tyre. Konsumatorët duhet ta dinë se me këtë veprim jo vetëm fitojnë 10 euro a më shumë, por ndihmojnë në luftimin e evazionit fiskal, dhe me këtë ndihmojnë në pasurimin e buxhetit të shtetit. Dhe pasurimi i buxhetit të shtetit do të thotë, së paku teorikisht, një jetë më e mirë. /tesheshi.com/