Denis Diderot, filozof dhe shkrimtar francez thotë për gruan: “Të shkruash për gruan duhet ta zhytni penën në ylber dhe letrën ta thani me flatrat e fluturave”.
8 Mars!
Dita e cila shënon pikënisjen e Lëvizjes për të drejtat e Grave. Në çdo cep të globit manifestohet Dita Ndërkombëtare e Gruas. Ditët e caktuara janë si një pikëtakim kohor ku ne risjellim dhe analizojmë situatat e ndryshme në të shkuarën, gjendjen e tanishme, dhe shikojmë përpara. Planifikojmë, hedhim strategji reale si ta ndërtojmë të nesermën në mënyrë që të jetë më e mirë. Një ditë mund të mos jetë mjaftueshëm për të ndryshuar gjithçka, por mund të jetë e konsiderueshme për të zgjuar shumë zemra dhe mendje, për t’u sensibilizuar, për të gërmuar brenda vetes dhe për të gjetur forcën, energjinë, mobilizimin mbi ide të qarta për hapat e së nesërmes.
Gratë gjithmonë kanë luajtur një rol jetësor në zhvillimin njerëzor. Është një rol i cili fillon sëbashku me krijimin e kësaj bote dhe vazhdueshmërinë e njerëzimit. Zoti thotë: “Njerëz, Ne ju kemi krijuar të gjithëve nga një mashkull dhe një femër.” (Huxhurat: 13) …”Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër.” (Imran: 195)
Por, jo rrallë herë është një rol i cili kryesisht trajtohet në mos si i panjohur, i dorës së dytë. Ditët e sotme, edhe mëmësia është kthyer në një ngarkesë për disa femra. Duke mos patur mundësinë e përfshirjes në një rreth më të gjerë kontributi në shoqëri, ajo fillon e nënvlerëson misionin më të shenjtë të saj, ndër ta edukimi i njeriut të së Nesërmes.
Pak flitet se gruaja është një kujdestare e mirë në familje dhe po aq profesioniste e aftë në shoqëri. Pak ose aspak flitet për gra të forta, çelës kyc në periudha të ndryshme të historisë. Është e natyrshme të promovojmë emra meshkujsh ndër nesh, apo të shpërndajmë thënie motivuese si: “Njeriu mund të bëjë çdo gjë, pasi çdokush ka të njëjtën kohë ditore si Anshtajni, Edisoni, etj”.
Ndonëse femra me gjurmë të mëdha në histori janë edhe Fatima al-Fihri- themeluesja e universitetit të parë, matematicientja Sutayta al-Mahamili apo Ada Lovalace, shkencëtarja Marie Curie (e cila është femra e parë që mori çmimin Nobel në 1903), Rosalind Franklin, Margaret Thatcher apo Labana e Kordobës, Sitt al-Mulk, Melike Nënë Hatun, nëna e Isait- Merjem, gruaja biznesmene- Hatixhja r.a.. Nëse duam të kuptojmë qartë rolin e femrës në shoqëri është pikërisht njohja e emrave të tillë, mijëra gra në çdo epokë dhe pozicion gjeografik, përgjatë gjithë historisë ishin politikane, juriste, mjeke, aktiviste për të drejtat e njeriut, artiste, shkrimtare, mësuese, edukatore, ndërtuese virtytesh, dijesh, intelekti, edukimi.
A është e lehtë në realitetin e sotëm të jesh e sukseshme në cdo sferë të jetës? Besoj se është e vështirë, por jo e pamundur. Nuk ishte e pamundur as për nënat dhe gjyshet tona. Nuk është e pamundur nëse i qëndron stoike ëndrrës, dëshirave, qëllimit për të përmirësuar botën në të cilën frymojmë.
Jemi koshient se sfidat e gruas në ditët e sotme janë të shumta. Sfida të cilat mund edhe të të thyejnë apo të të stepin. Pas një karriere të gjatë dhe sukseseve të njëpasnjëshme, Ana Maria Slaughter kuptoi se femra nuk mund t’i ketë të gjitha, (të paktën) akoma jo. Me të drejtë, argumentonte se arsyeja pse një femër s’mund të ketë çdo gjë në këtë jetë, mbështetet në vështirësinë për të arritur një ekuilibër midis jetës personale, familjes dhe karrierës. Kjo, jo për shkak të paaftësisë së saj, por sepse sistemi në të cilin rrotullohet çdo gjë është ndërtuar mbi një model që e disfavorizon femrën dhe e detyron atë të bëjë kompromise të vazhdueshme duke sakrifikuar midis familjes dhe punës. Pra, ne femrat nuk kemi hapësirën për të planifikuar itinerarin e aktiviteteve sipas prioriteteve dhe përgjegjësive tona. Nuk kemi fleksibilitetin e orarit, të ditëve apo vendit.
Mos të përmendim edhe faktin ku statistikat dëshmojnë se vlerësimi i punonjësit femër nga ana e pagëdhënies apo punësimit është më e ulët se e mashkullit.
Një tjetër sfidë është padyshim mungesa e mbështetjes nga familjarët apo partneri. Ndonëse në kohën e industrializmit menduam se barazia mes gjinive u arrit, kjo nuk është e saktë. Ne sot kemi një femër e cila jep 100% të saj në shtëpi dhe 100% në ambjentet e punës, ndërsa bashkëshorti në familje kontribon 50-% ose dhe 10%. Kemi pengesë sociale- kulturore, ndër ta edhe traditat apo mentaliteti.
Jasmin Mogahed në lidhje me fuqizimin e gruas risjell një episod interesant. Kur një shok i Profetit a.s. shkoi në një qytet për të përhapur mesazhin e Islamit, ai u thotë atyre: “Unë erdha t’ju çliroj nga shërbimi si skllevër dhe t’ju ngrej në shërbyes të Zotit të skllevërve.”
Brenda kësaj deklarate qëndron një thesar i fuqishëm. Ky është çelësi i fuqizimit dhe e vetmja rrugë e vërtetë për çlirim. Në momentin që ne lejojmë dikë tjetër të përcaktoj suksesin apo dështimin tonë, përveç Zotit, ne dashje padashje jemi kthyer në skllevër. Qoftë kjo skllevër të botës mashkullore, të modës dhe trendit, apo dhe të nismave apo idealogjizmave të ndryshme. Ne rezultojmë duke matur vetveten me çdo parametër përveç standarteve të vendosura nga Zoti. Në momentin që Zoti fshihet nga jeta sociale, familjare, individuale e njeriut, njësia matëse do të jetë diçka e kësaj bote, dhe rrjedhimist nuk do të kemi balancë, por do të kemi zhgënjime, nënvlerësim dhe zhvlerësim të vetvetes. Sot po përpiqemi të fitojmë rolin që na takon mes një ambjenti rrethues jo të shëndetshëm dhe rregulla jo të drejta. (Rendi kryesisht është i vendosur nga udhëheqës së gjinisë mashkullore, të sistemit kapitalist dhe axhenda të ndryshme)
Nga ana tjetër, ndikimi i teknologjisë, rrjeteve sociale, dëshira për t’u dukur, për t’i dëshmuar botës se po, unë vlej, unë mundem po dëmton dita ditës femrën. Duke jetuar çdo ditë nën presionin e idesë se konsiderohemi si dytësore në zhvillimin jetësor, duke u munduar të konkurojmë në çdo pozicion që ka mashkulli, duke u përpjekur të harxhojmë energjinë tonë t’i përgjigjemi çdo sulmi të qëllimshëm, si për shembull: “Femra nuk mund të bëjë dot punë te rënda fizike”, dhe që në fakt nuk ka pse t’i bëjë.
Ne duhet të jemi për drejtësi gjinore e cila shkon përtej barazisë. Femra dhe mashkulli kontribojnë atje ku janë më të fortë. Jo të gjithë punojnë në ngritje peshash, dhe jo të gjithë në mësimdhënie. Këto slogane dhe intimidime duhet të anashkalohen duke u fokusuar tek pikat tona të forta me të cilat mund të japim maksimumin tonë.
Duhet të marrim frymë lirisht, të kuptojmë se është totalisht e pranueshme nëse nuk mund të jesh fizikisht në dy vende të ndryshme në të njëjtin orar. Është e pranueshme të marrësh kohën që të nevojitet për të pushuar, për t’ju kushtuar fëmijës, apo cfarëdo gjëje që ti beson se duhet të jetë primare.
“Mund t’i kesh të gjitha në të njëjtën kohë!- Është një gënjeshtër”– thotë Michel Obama.
Forca e vazhdueshme që të shtyn për të ecur para është Qëllimi që ti i ke vendosur vetes për të arritur në një destinacion të caktuar. Ky qëllim të ndihmon të ngrihesh e ringrihesh sa herë rrëzohesh. Nëse njeriu nuk do kishte nje synim për të arritur atëherë çdo nismë do e linte përgjysmë. Qëllimi i tij nuk matet vetëm me produktin final në tokë, por matet edhe me përpjekjen e vazhdueshme që bën për të arritur objektivin. Madje vetëm me këtë të fundit.
Nëqoftëse femrat dhe meshkujt do arrinin të kuptonin dhe vinin në jetë fjalën e Zotit “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja,”(Suretu Teube; 71) Ne do të kishim një shoqëri më bashkëpunuese, dhe më të shëndetshme qoftë shpirtërisht dhe moralisht.
Thomas Gray thotë: Shumë fshatarë do të ishin bërë Milton, vetëm nqs do iu ishte dhënë mundësia. Ndaj le mos t’i mbyllim ato dyer të cilat femra ashtu si dhe mashkulli ka çdo të drejtë për t’i patur hapur, e nëse tashmë janë mbyllur, duhet bashkarisht t’i hapim. /tesheshi.com/