Provincat juglindore të Turqisë u tronditën nga tërmete të dyfishta me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë duke lënë një vijë të madhe vdekjesh dhe shkatërrimi. Ekipet e menaxhimit të fatkeqësive në Turqi kanë bërë çdo gjë të mundur në zonat e goditura nga fatkeqësia, por përmasat e saj ishin aq dërrmuese sa Ankaraja deklaroi menjëherë alarmin e Nivelit 4, duke kërkuar ndihmë nga jashtë.
Dridhjet nuk janë diçka e huaj për Turqinë. Ajo është ndër 10 vendet më të prekura nga tërmetet në botë. Lëkundjet e dyfishta të së hënës janë deri tani më shkatërrueset dhe apokaliptiket që ka përjetuar vendi që nga viti 1939. Të paktën dhjetë provinca, sa madhësia e Kubës, me një popullsi prej 13.5 milionë banorësh, janë prekur drejtpërdrejt nga katastrofa. Siria fqinje në veri të saj po vuan gjithashtu.
Më shumë se çdo gjë tjetër, Turqia dhe Siria kanë nevojë për mbështetje humanitare. Më shumë se sa për retorikë, ne kemi nevojë për veprime – ekipe shpëtimi, mbështetje teknike dhe çdo ndihmë logjistike të mundshme për misionet e huaja në organizimin e ndihmës. Por, për fat të keq, një pjesë e mediave perëndimore kanë filluar të hedhin baltë qeverinë turke në një kohë kur vendi është i zënë me mbikëqyrjen e misioneve të kërkim-shpëtimit në të gjithë vendin.
Një akuzë që po qarkullon veçanërisht në mediat e huaja përqendrohet në bumin që ndërtimet kanë parë në 20 vitet e fundit të qeverisjes së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Në një kohë kur pasgoditjet e njëpasnjëshme përhapin frikë dhe panik në rajonin e goditur nga katastrofa, mediat perëndimore po publikojnë raporte dhe opinione ku pretendohet se rritja ekonomike e Turqisë “e nxitur nga ndërtimi” është fajtorja kryesor për numrin në rritje të vdekjeve në zonat e goditura nga tërmeti. Qeveria po akuzohet se ka bërë një sy qorr ndaj respektimit të standardeve të rëndësishme të ndërtimit dhe sigurisë. Akuza të tilla po përsëriten vazhdimisht.
Edhe pse të gjitha ndërtesat e shembura duhet të hetohen dhe palët përgjegjëse duhet të ndëshkohen nëse shpallen fajtore për shkelje të normave të ndërtimit, qeverisë duhet t’i lihet hapësirë për t’u fokusuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe zbatimin e planeve të emergjencës si strehimi i dhjetëra mijëra njerëzve që humbën shtëpitë e tyre në katër ditët e fundit si dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe furnizimeve të tjera thelbësore për popullsinë e prekur.
Përforcimi i zërave kritikë gjatë një fatkeqësie natyrore mund të perceptohet si një përpjekje e shëmtuar për ta politizuar krizën. Nga gjeologët tek liderët botërorë, përfshirë presidentin e SHBA-ve Joe Biden, çdo mendje racionale mund ta shohë se sa e paprecedentë dhe e madhe është shkalla e tërmeteve të dyfishta të së hënës. Tërmeti i dytë që ndodhi me një distancë të shkurtër kohore nga i pari dhe me një magnitudë po aq të lartë, e bën këtë fatkeqësi një fenomen të rrallë në historinë e regjistruar sizmike.
Turqia nuk është i vetmi vend në botë me një masë ndërtimesh që, ose janë të vjetra ose mund të mos e kalojnë testin e sigurisë nga tërmeti. SHBA ka gjithashtu një masë të dendur ndërtesash të pashëndetshme. Për shembull, merrni Los Anxhelosin: bashkia e saj nuk ka të dhëna se sa ndërtesa në të gjithë qytetin janë të rrezikuara. Në vitin 2013, një analizë e pavarur vuri në dukje se të paktën 1000 ndërtesa në qytetin e LA dhe qindra të tjera në qarqe të tjera ishin të prirura të shemben po të ndodhte ndonjëherë një tërmet me magnitudë të lartë.
Në dritën e lëkundjeve të dyfishta në Turqi, ka shumë gjëra që duhen përtypur. Veçori të tilla si shumësia e linjave kryesore të thyerjes dhe çarja sizmike në një thellësi të cekët e kanë bërë këtë fatkeqësi një nga më të rëndat në rajon. Goditja ishte aq e fortë sa rrugët dhe autostradat u çanë, ndërsa ndërtesat u përplasën si një paketë letrash. Edhe kalaja 2000-vjeçare e Gaziantepit u përball me dëmtime të rënda, pavarësisht se ishte rinovuar disa herë në historinë e vonshme.
Ndonëse fokusi në këtë fazë duhet të mbetet në shpëtimin e sa më shumë njerëzve dhe nxjerrjen e trupave nën rrënoja, qeveria duhet të hetojë ndërtesat për të zbuluar se ku janë shkelur ligjet e ndërtimit dhe të identifikojë personat përgjegjës për anashkalimin e normave.
Por në të njëjtën kohë, mediat, veçanërisht ato që veprojnë nga vendet perëndimore, duhet të përmbahen nga shfrytëzimi i një fatkeqësie të kësaj shkalle për oportunizëm të thjeshtë politik.
*Bilgehan Ozturk është studiues i politikës së jashtme pranë Fondacionin SETA. Interesat e tij kërkimore përfshijnë politikat e jashtme dhe të sigurisë të Turqisë në rajonin e MENA-s, aktorët e armatosur jo-shtetëror, luftën civile, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe marrëdhëniet turko-ruse. /tesheshi.com/