Terrorizmi në literaturë paraqitet si përdorim joligjor të forcës dhe dhunës nga ana e individëve ose grupeve, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejta me fuqitë e huaja ose aktivitetet e të cilave i kalojnë kufijtë nacional, e që janë të orientuara kundër personave ose objekteve, me qëllim që ta frikësojë ose detyrojë popullatën ose cilindo segment tjetër të shoqërisë në realizimin e qëllimeve të tyre politike ose të atyre shoqërore. Tashmë dihet se asnjëri definicion i terorizmit nuk ka gëzuar ndonjë njohje të gjerë ndërkombëtare. Studiuesi dhe eksperti amerikan i terrorizmit, Brian Michael Jenkins konstaton se: “Terrorizmi është përdorim i forcës ose kërcënim përmes saj në realizimin e qëllimeve politike”.
Aktin monstruoz të kryer më 15.03.2019 në dy xhami të Christchurch të Zelandës së Re nga Brenton Tarrant i cili masakroi mbi njëqind besimtarë myslimanë, ndër të cilët 50 prej tyre u mbytën, pothuajse e dënuan të gjithë njerëzit e edukuar e të qytetëruar. Për masakrën në Zelandën e Re (ku humbën jetën 50 myslimanë), media britanike BBC nuk e përdori termin “sulm terrorist”, ndërsa Daily Mirror publikoi fotografi të fëmijërisë dhe e quajti vrasësin “fëmijë engjëll”. Ish redaktori i BBC-së, Rifat Jawaid, ka reaguar duke thënë “Si një ish-redaktor i BBC, unë jam tepër i zhgënjyer me publikimet tuaja të njëanshme në mënyrë të verbuar. Derisa kryeministrat e Australisë dhe Zelandës së Re i cilësojnë sulmet si një sulm terrorist, ky për televizionin dhe redaktorët tuaj është vetëm një sulm në xhami! E turpshme“. Gazeta Le Figaro, e cila e sulmin që ndodhi në Paris më 13 nëntor 2015 ku humbën jetën 130 persona, e cilësoi si sulm terrorist, nuk e ka parë si sulm terrorist masakrën në dy xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re!
Sidoqoftë, shumë analistë, sociologë e publicistë shprehën mendimin se ky akt terrorist në dy xhamitë të Zelandës së Re, në fakt, është pasojë e mesazheve të urrejtjes dhe islamofobisë së përhapur nëpër disa media, kjo si rezultat i diskursit të liderëve politikë populist dhe gjetkë! Vërtet, në këtë sulm Brenton Tarrant-i u frymëzua nga ideologjia fashiste e nacionalizmit serb, nga shkrimet dhe stereotipat islamofobe, e antiturke, madje edhe nga disa terrornxitës shqiptarë katolikë. Opinionisti Bujar M. Hoxha në një shkrim të tij do të shprehet: “Gjaku i derdhur në xhamitë e Zelandës së Re nga mizori i frymëzuar prej një retorike të përditshme po aq mizore, nuk shkoi në rrjedhën e synimeve të organizatorëve të krimit. Ai gjak u kthye në bumerang për ta nga reagimi i të vënëve në shenjë, nga populli në gjirin e të cilit jetojnë, nga shtetarët e atij populli”.
Megjithatë, jo të gjithë do të shprehen me ndjenjën e njëjtë njerëzore dhe fisnike për këtë akt të rëndë terrorist! Disa prej tyre pa fije turpi e ndërgjegje në ndonjë formë u munduan ta vendosin fajin te mërgimtarët myslimanë, të cilët tanimë disa dekada ose më pak jetojnë në shtetet e Perëndimit, me këtë edhe në Australi e Zelandë të Re. Kishte edhe nga ata të cilët këtë akt u munduan ta paraqesin si tragjedi të rëndomtë, e asgjë më tepër, duke e hedhur “fajin” në anën tjetër, siç ishte rasti me senatorin famëkeq australian, i cili si pasojë e deklaratës së tij terrornxitëse e hëngri një vezë kokës nga një djalosh australian paqedashës 17-vjeçar.
T’i vendosësh në vijën e të akuzuarëve të mbyturit dhe të plagosurit, përkatësisht viktimat e terrorit, vërtet është një çoroditje mendore dhe terrorizëm i llojit të vet!
A thua senatori Fraser Anning, të cilit iu thye një vezë në kokë e ka të njohur historinë e tij dhe familjes së tij si mërgimtar dhe kolonizues i Australisë disa shekuj më parë? Si do t’i karakterizonte senatori dhe bashkëmendimtarët e tij veprimet uzurpuese të ardhacakëve evropianë, siç ishin kristianët spanjollë, francezë dhe ata britanikë, ndaj vendasve indigjenë, e inkë të Botës së Re ose ndaj aborixhinëve australianë, përveç se kolonizim i organizuar i tokave të tyre!? A thua si erdhën të bardhët në Australi dhe ku u tretën vendasit aborixhinë?
Shkoni e pyetni ata meksikanë autoktonë në Amerikë ose ata pak aborixhinë të mbetur të Australisë dhe Zelandës së Re se si i konsiderojnë “misionarët e religjionit të dashurisë”, të cilët disa shekuj më parë erdhën nga Evropa me Bibël në dorë dhe ua uzurpuan tokat dhe pasuritë! E sot, po këta ardhacakë të bardhë i akuzojnë disa ardhacakë të tjerë për “element rrezikues të qytetërimit perëndimor”!
Është mjerim kur edhe në shoqërinë tonë shqiptare paraqiten jo rrallëherë “publicistë” dhe “njerëz të shkrimit”, të cilët përpiqen disi që terrorin e kryer nga jomyslimanët ta minimizojnë ose, së paku, ta krahasojnë me ndonjë “sulm ndaj ndonjë kishe ose sinagoge” gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë, siç vlerëson një mërgimtar shqiptar në Zvicër. Ky pa fije perdeje thotë se “sulmi mbi myslimanët e Zelandës së Re që në faltoren e tyre po i luteshin Zotit të tyre është po aq barbar sa sulmet e vrasësve islamist ndaj kishave dhe sinagogave. Ashtu siç paraqet rrezik terrorizmi islamik për mënyrën se si jetojmë në shoqëritë e lira, po aq i rrezikshëm është edhe terrorizmi i djathtë”! Pohimi i tij s’është asgjë tjetër, përveç se një deklaratë terrornxitëse dhe islamofobe!
Cilët ishin ata myslimanë që sulmuan ndonjë kishë apo sinagogë?
Kush po bombardon me fosfor të bardhë dhe me armë më të sofistikuara vendbanimet myslimane, ku ditë e natë shkatërrohen dhe rrënohen xhami, shkolla dhe vendbanime të tëra myslimane? Fotografia e djeshme (27.03.2019) e një personi palestinez flet shumë, kur tre fëmijët e tij të vegjël i fuste në morg, duke thënë: “Ju na i vrisni fëmijët, e pastaj kur unë e kap armën për t’ju dëbuar e për t’u hakmarrë, më quani terrorist”!
Ju zotërinj, që flisni edhe shqip e që terrorin e të bardhëve e quani vetëm “të djathtë”, a nuk ndjeni aspak dhembje për këto dëshmi!? Paramendoni sikur të ishin ata fëmijët e juaj!
Pse nuk flisni për terrorin kur u godit një familje siriane dhe një familje afgane me fëmijë në Bottrop dhe kur në Essen u godit një grup njerëzish në një stacion autobusi?! Pse nuk përmendni terrorin i cili ndodhi në Qendrën Kulturore Islamike të Quebecut, kur në një mbrëmje të vitit 2017, gjatë lutjeve, gjashtë persona u vranë me armë zjarri, ndërsa 18 të tjerë u plagosën!?
Pse nuk shkruani ju z. Robelli për terrorizmin (jomysliman) kur më 19 qershor të vitit 2017 një 47-vjeçar me një furgon shtypi për vdekje një person dhe plagosi dhjetë të tjerë te pragu i një xhamie në Finsbury Park në veri të Londrës, ku të gjitha viktimat ishin myslimanë që po shkonin të falnin namazin? Pse nuk u marshua për Xhaminë en-Noor të Zelandës së Re, ashtu siç u marshua për Charlie Hebdo-në?
Pse nuk pyetët ju, madje një herë, pse vallë asnjëra nga mediat shqiptare nuk e përmendi më gjerësisht vrasjen e vajzës së re shqiptare (17-vjeçe) nga Kosova me emrin Lejla Selaci, e cila u masakrua së bashku me 68 të rinj tjerë të Partisë Laburiste norvegjeze në ishullin Utoja të Norvegjisë nga terroristi katolik norvegjez Anders Behring Breivik më 22 korrik të vitit 2011? Paramendoni sikur vrasësi të ishte një mysliman e jo katolik norvegjez i racës së bardhë!
A e dini ju se shpirtziu Brejvik veten e quante “kristian fundamentalist” dhe pohoi se është një përkrahës i një “Evrope monokulturore kristijane”?
A keni njohuri për rastin kur terroristi Devin Kelley (26 vjeç), më 5 nëntor të vitit 2017 i vrau 26 besimtarë në Kishën e Parë Baptiste të Sutherland Springs në Texas (SHBA) dhe i plagosi rreth 20 të tjerë, kur ky vrasës nuk do të karakterizohet si terrorist, meqë “konstatuan” se ishte “i sëmurë mental”?
A e dini ju se gjatë varrimit të Baruch Goldsetin-it i cili ishte ekzekutuar pasi që ai në shkurt të vitit 1994 kishte mbytur 29 palestinezë në Xhaminë e Ibrahimit në Halil/Hebron/, njëri nga rabinët e pranishëm kishte deklarua se “është dallimi i madh në dënim për atë i cili e lëndon një hebre dhe për atë që e lëndon ndonjë johebre… jeta e një hebreu është më e vlefshme se jeta e një johebreu”!?
Pse ju nuk shkruat asnjëherë për aktin terrorist që u krye më 27.10.2018 në sinagogën Tree of Life të Pitsburgut të Pensilvanisë (SHBA) nga 46-vjeçari Robert Bowers, i cili duke bërtitur “të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin” hyri me furi në sinagogën e Pitsburgut gjatë shërbesave të Shabatit duke qëlluar pa dallim dhe duke vrarë 11 besimtarë hebrenj?
Dijeni mirë, se e keqja është e keqe, pa marrë parasysh se ju dhe ata të llojit tuaj terrorin e dikujt ndaj myslimanëve dhe xhamive e quani të “djathtë”. Terroristët, të motivuar nga aspekti religjioz, e shohin veten si detyrimisht të inkuadruar në luftën ndërmjet së mirës dhe së keqes, ku të gjithë ata të cilët nuk e ndajnë mendimin e tyre, janë në anën e së keqes.
Në vazhdim po ua sjell një vlerësim mjaft real sa i përket çështjes për të cilën flasim!
Studiuesi perëndimor i terrorizmit dhe historiani i njohur Alain Gabon thotë se vërtet bëhet fshehje e akteve terroriste në shumë raste të caktuara dhe deklaron: “…Pjesa më e madhe e terrorizmit ekstremist kundër refugjatëve dhe pakicave në Evropë është pothuajse e përjashtuar nga statistikat, sistematikisht dhe qëllimisht… Standardet e dyfishta, të cilat strukturojnë mbulimin medial, hulumtimet dhe politikat mbi terrorizmin, tani janë të njohura… Realiteti i terrorizmit është sistematikisht i shtrembëruar dyfish… Terroristët e bardhë, në përgjithësi, nuk janë terroristë, por thjesht “vrasës” ose “kriminelë”, ndërsa arabët dhe myslimanët menjëherë perceptohen dhe kategorizohen si “terroristë”. Një terrorist i bardhë ose i krishterë asnjëherë nuk do të paraqitet si tipik i të bardhëve ose i të krishterëve… Fajësia dhe përgjegjësia kolektive zbatohen vetëm kur terroristi është mysliman. Shprehja “terrorizëm i krishterë”, ndryshe nga “terrorizëm islamik”, nuk ekziston. Përdorimi i fjalës “terrorizëm” dhe i nocioneve që ndërlidhen me të (radikalizmi, ekstremizmi etj.) bëhet në një mënyrë tepër selektive…”.
Po qe se nuk keni mundur të liroheni akoma nga stereotipat islamofobe, ja, po ua sjell edhe një vlerësim shkencor të një juristi dhe politikani gjerman me emër Jurgen Todenhofer, i cili për stereotipat mediatike, që kanë të bëjnë me myslimanët, Islamin, Perëndimin, Orientin dhe terrorizmin, vlerëson: “Sot shumica e perëndimorëve nuk e kanë idenë rreth botës islame. Shumica e evropianëve kanë harruar se paraardhësit e tyre kolonizuan tokat islame dhe vranë miliona myslimanë. Nëse kjo merret parasysh, atëherë rezulton se Perëndimi dhe evropianët perëndimorë janë dhunues dhe terroristë më të mëdhenj. Për fat të keq, ne perëndimorët nuk e pushtuam botën për shkak se ideologjia dhe feja jonë janë më të madhërishme, por nga shkaku se në mënyrë të pamëshirshme dhe të pashpirt përdornim forcën mbi të tjerët. Nuk masakruan myslimanët 4 milionë njerëz gjatë luftërave të kryqëzatave, nuk vranë myslimanët mbi 50 milionë njerëz gjatë kohës së kolonializmit, nuk i filluan luftërat botërore myslimanët, në të cilat u vranë mbi 70 milionë njerëz… Terrorizmi luftohet vetëm me drejtësi, dhe ne, bota Perëndimore duhet të ndërmarrim diçka krejtësisht tjetër. Perëndimi është shumë më i dhunshëm se bota myslimane. Miliona civilë myslimanë janë vrarë që nga fillimi i kolonializmit. As edhe një (1) herë në dyqind (200) vitet e fundit një shtet mysliman nuk e ka sulmuar ndonjë shtet perëndimor (evropian). Sulmuesit gjithnjë ishin fuqitë e mëdha evropiane… Bota perëndimore vetëm në shtatë vitet e fundit ka mbytur qindra e mijëra myslimanë të pafajshëm… Terrorizmi nuk është një problem tipik mysliman, por një problem global. Sipas autoriteteve policore evropiane (EUROPOL), në vitin 2012 në shtetet evropiane kishte 249 sulme terroriste dhe vetëm 3 (tre) sulme ishin bërë nga myslimanët, pra jo 100 (njëqind), e as 200 (dyqind), por vetëm 3 (tre). Numri më i madh i sulmeve (160 prej tyre) u kryen nga ETA. Myslimanët ishin dhe janë të paktën po aq tolerant sa hebrenjtë dhe kristianët”.
Prandaj, në fund, ju rekomandoj t’i merrni parasysh këto të dhëna para se ta hani edhe ju ndonjë vezë kokës, sepse – mund të bëjë vaki që as veza të mos thyhet aq lehtë! /tesheshi.com/
Shënime:
KARLSSON, Ingmar, “Tro, terror och tolerans”, Wahlström&Widstrand Stockholm, 2004.
М–р. Фахри Сали, “Меѓународен тероризам”, https://www.pravdiko.mk/wp-content/uploads/2017/06/Megjunaroden-terorizm.pdf, 30.12.2018.
https://www.rand.org/pubs/papers/2008/P5261.pdf
https://www.nrk.no/ostfold/lejla-_17_-ble-drept-pa-utoya-1.7731972, https://www.findagrave.com/memorial/74003773/lejla-selaci.
https:/www. fandresen.com/2011/08/02/the-price-of-immortality/.
http://www.telegraph.co.uk/news/2017/11/06/devin-kelley-texas-church-gunman-kicked-air-force-domestic-violence/, (07.11.2017),
http://www.businessinsider.com/who-is-devin-kelley-sutherland-springs-church-shooter-texas-2017-11, (07.11.2017).
https: //kosovapost.net/si-fsheh-ja-aktet-terroriste-te-ekstremit-te-djathte-kunder-myslimaneve/ (26.11.2017);
http://gazetaimpakt.com/si-i-fsheh-ja-aktet-terroriste-te-ekstremit-te-djathte-kunder-myslimaneve/ (25.11.2017);
“How the EU conceals far-right acts of terrorism against Muslims”; http://www.middleeasteye.net/essays/how-eu-conceals-far-right-acts-terrorism-against-muslims-298795357 (22.12.2017).
Alain Gabon, “La majorité du terrorisme n’est pas «islamique», ni en Occident ni au Moyen-Orient”: http: //www.middleeasteye.net/fr/opinions/la-majorit-du-terrorisme-n-est-pas-islamique-ni-en-occident-ni-au-moyen-orient-661601253\;
http://www.alterinfo.net/La-majorite-du-terrorisme-n-est-pas-islamique–ni-en-Occident-ni-au-Moyen-Orient_a130958.html (26.11.2017).