Çdo vit më 31 Tetor në SHBA dhe vende perëndimore, një ushtri egërsirash të ngjyrosura fillojnë të mblidhen pranë muzgut.
Kjo paradë palaçosh me fëmijë që veshin kostume të rriturish shkojnë derë më derë dhe bëhen si lypës për ca karamele, duke shfrytëzuar rastin që të “çmenden nga sheqeri” në festën që amerikanët e quajnë “më cool nga të gjitha”
E megjithatë, jo të gjithë fëmijët kanë nevojë të bëhen vampirë e të provojnë ndjenjën e të bërit i frikshëm. Në fakt, ka shumë prej tyre që jetojnë në ambiente që rrezikojnë seriozisht jetën.
Këtë vit, në SHBA, ata nuk ka nevojë të shtiren për festa të frikshme, kur vet presidenti i ka mbyllur fëmijët në kafaze dhe nuk i lejon të bashkohen me familjet e tyre. Familjet emigrante nga Meksika po vuajnë nga ndarjet e paligjshme, ku fëmijët nuk kanë as kushte elementare si tualete apo brusha dhëmbësh.
Për të kuptuar pse disa fëmijë dalin e luajnë, e disa të tjerë ngelen në gjemba të kufirit si emigrantë, mjafton të lexohet origjina e mitologjive të frikshme që inspiruan Halloween-in.
Mitologjia e Halloween shfaq frikë, e për fëmijët, nuk ka asgjë më të frikshme se të kalosh jetën në frikë se dikush do të të qëlloj nga momenti në moment.
Raportet e mediave flasin se me mijëra fëmijë në Jemen po vdesin nga kequshqyerja dhe mungese e ilaçeve elementare si pasojë e bllokadave humanitare që imponojnë shtetet e forta përreth. Një version edhe më i rëndë se vet frika është uria dhe sëmundja.
Në Irak e Siri, jeta e fëmijëve të rrezikuar as që llogaritet më në lista statistikore. Në fakt, OKB ka kohë që nuk numëron më viktimat civile nga konflikti në këto vende.
Në Rripin e bllokuar të Gazës, shumë fëmijë as që duan të dinë çfarë është kjo festë, pasi mjerimi nga bllokada i ngjan një frike që shtohet sa herë që raketat shpërthyese kalojnë nëpër qiell.
Në Greqi, fëmijët refugjatë nuk kalojnë kohën duke marrë apo shpërndarë sheqerka. Ata janë duke mbijetuar në kushte të këqija, në përpjekje për një strehë të sigurt drejt Evropës.
Ngjashëm edhe në kampet e Bullgarisë dhe Kroacisë, askujt nga ta nuk u shkon mendja për kunguj të ndezur me qirinj. Një dritë e mjaftueshme drejt një rruge së paku pa gjemba, do të ishte gati e mjaftueshme.
Teksa afrohemi pranë Kosovës, situata nuk përmirësohet aspak. Në rrugët e Prishtinës, fëmijët rom nuk bëjnë “trick or treat”. Ata kërkojnë të pastrojnë xhamat e veturave në kërkim të pak parave, dhe në rastet më të shpeshta, shihen të zhytur në pisllëkun e kërkimit në kazanët e mbeturinave.
Teksa i gjithë viti i ngjan një feste shtrigash me situata që nuk janë aspak normale, mbetet të lutemi që të ndajmë qoftë edhe një ditë, ku fëmijët do të gëzonin fëmijërinë, pa frikë dhimbje a izolim. /tesheshi.com/