Fitorja e mbrëmshme e preliminareve nga Trumpi në Karolinen e Jugut ishte shumë domethënëse për te, sepse bëhej fjalë për shtetin ku kunderkandidatja e tij, Nikki Haley, ka qenë guvernatore. Pra edhe në bastionin e Haley, Trump-i fitoi preliminaret. Tani ka mbetur vetem edhe super e marta më 5 mars për të plotësuar mozaikun republikan të nominimit për zgjedhjet prresidenciale të këtij viti.
Kandidatja Haley, edhe përkundër humbjes së preliminareve në Iowa, New Hampshire, Nevada dhe mbrëmë në Karolinen e Jugut, pas numërimit të votave, iu drejtua përkrahësve të saj dhe tha se nuk do të dorëzohet, por do të vazhdoi garën për të fituar nominimin republikan për zgjedhjet presidenciale edhe në shtetet e tjera ku do të mbahen preliminaret në ditët në vazhdim.
Super e marta do të jetë përcaktuese
Pasnesër mbahen preliminaret ne Michigan, kurse me 5 mars, ditën e martë, mbahen në 15 shtete të tjera, e cila ditë jo rastësisht quhet super e marta, për shkak të mbajtjes së preliminareve në shumë shtete. Si duket Helay dëshiron të pres 5 marsin për të vendosur tërheqjen nga gara apo vazhdimin tutje. Pa dyshim, me preliminaret e 5 marsit, harta e kësaj gare zgjedhore bëhet më e qartë. Gati 1/3 e 50 shteteve të ShBA-së dhe territoreve tjera përmbyllin kapitullin e preliminareve dhe kështu bëhet e qartë kush mund të jetë i nominuari republikan për zgjedhjet presidenciale.
Kurse në kampin tjetër, te Partia Demokratike nuk ka ndonjë zhvillim të veçantë. Siç kam përmendur edhe në artikullin e kaluar, kjo ndodhë edhe për një arsye e cila ka një traditë te partitë kryesore në ShBA, ku partia e cila ka presidentin në mandatin e parë zakonisht fushata brenda partiake është më e zbehtë për arsye që kandidatit aktual t’i jipet edhe një mundësi për të qenë i nominuar partiak për një mandat të dytë presidencial.
Imigracioni dhe Ekonomia
Është interesant se për çështjet me interes për publikun, që zakonisht bëhen sondazhe para votimeve në preliminare, për matjen e disponimit të votuesve nepër secilin shtet, edhe në Karolinën e Jugut, votuesit republikanë kishin pak dallim në preferencat e tyre, krahasuar me ata në Iowa, ose në New Hampshire në muajin e kaluar. Derisa 37% e të anketuarve në Iowa iu interesonin politikat rreth imigrimit, e në New Hampshire numri i tyre ishte vetëm 31%, në Karolinën e Jugut interesimi për politikat e imigracionit ishte 41% e të anketuarve. Në politikën e jashtme, Iowa dhe Karolina e Jugut ndajnë të njëjten përqindje të interesimit me vetëm 11%, derisa në New Hampshire interesimi ishte deri në 17%. Dallimet prej shtetit në shtet te votuesit republikanë do të kenë ndikim të madh në përcaktimin e kandidatit presidencial në Konventen Kombëtare të GOP-it, pra të republikanëve. Interesimi i votuesve amerikan për çështjet e brendshme do të ketë fjalën kryesore besoj në nominimin e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale, madje edhe për zgjedhjet presidenciale në Nentor. Mbrëmë, votuesit republikanë, janë deklaruar se janë shumë të pakënaqur me ekonominë e vendit. 46% e të anketuarve e kanë konsideruar ekonominë si shumë të ulët, kurse vetëm 2% mendojnë se ekonomia është shumë e mirë.
Drejtësi apo Paqe
Ajo që e bënë edhe më interesante këtë fushatë parazgjedhore në ShBA, është edhe përballja e ish Presidentit Trump me drejtësinë. Gjatë kësaj periudhe, Trump ka pasur brenda ditës seanca gjyqësore në disa gjykata e madje jo vetëm me një shtet. Paditë janë të natyrave të ndryshme, por Trump po vazhdon fushatën dhe nuk po dorëzohet. E derisa Trump po fiton preliminaret në secilin shtet që po mbahen ato, ka filluar një debat i gjërë në ShBA, veçmas nga juristët të cilët po e shohin me frikë ndjekjen e Trumpit nga drejtësia. Nëse Trump fiton nominimin republikan do të jetë shumë i rrezikshëm pretendimi i disa gjyqtyrëve për ta denuar atë, e sidomos për akuzat për krime, siç është rasti për kaosin e Janarit të vitit 2021, ku një denim i tillë do t’ia ndalonte garën për president, ashtu siç parasheh Kushtetuta. Por nëse ndodhë denimi, disa juristë, vlerësojnë se mund të ketë kaos edhe më të madh dhe shumë të rrezikshëm për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare. E në raste të tilla, më mirë është të kemi paqe se sa të ndajmë drejtësi, argumentojnë juristët.
*Autori është kandidat për PhD në të drejtën ndërkomëtare, njëherit ekspert i zgjedhjeve presidenciale në ShBA dhe autor i librit “Zgjedhjet Presidenciale në ShBA, drejt kontinuitetit apo ndryshimit të këtij sistemi elektoral”.