Më 11 shkurt 2022, e përjavshmja gjermane Der Spiegel citoi burime të CIA-s, shërbimit sekret amerikan, që parashikonin pushtimin e Ukrainës nga ushtria ruse, duke specifikuar se ai do të ndodhte pesë ditë më vonë. Burimi i cituar nga revista, shpjegonte se Moska e kishte përfunduar tashmë vendosjen në gatishmëri luftarake të trupave të saj në kufi.
Pasaktësia e vetme, ishte se sulmi nuk do të fillonte më 16 shkurt, por më 24 shkurt, disa ditë më vonë. Ndërkohë gazeta amerikane New York Times analizoi së fundmi një dokument, që kishte kaluar nëpër duart e krerëve të ushtrisë izraelite dhe të inteligjencës që në vitin 2022.
Ai përshkruante me detaje një sulm të mundshëm që do të vinte nga Gaza. Por sado realist dhe i detajuar që ishte, plani “Muri i Xherikos”, sikurse u pagëzua nga shërbimet sekrete, nuk u mor seriozisht. Udhëheqësit izraelitë e konsideruan atë shumë kompleks për t’u kryer nga një organizatë si Hamasi.
Tani ne e dimë se më 7 tetor 2023, ai plan u zbatua gati gërmë për gërmë nga militantët e Hamasit, , duke i shkaktuar një disfatë të madhe aparatit mbrojtës të Izraelit. Më 12 prill, CIA njoftoi publikisht se brenda 48 orëve do të kishte një sulm iranian ndaj bazave ushtarake në territorin izraelit.
Sipas rrjetit televiziv CBS, u lëshuan rreth 100 dronë kamikaze dhe dhjetëra raketa balistike. Sulmi ndodhi mbrëmjen e 13 prillit me lëshimin – sipas burimeve më të besueshme – të rreth 170 dronëve dhe rreth 150 raketave, përfshirë ato balistike.
Është mbresëlënëse se si vitet e fundit aftësia për të vëzhguar dhe përpunuar të dhëna, dhe për rrjedhojë edhe për të parashikuar ngjarjet, është përmirësuar nga përdorimi i satelitëve, internetit dhe algoritmeve të Inteligjencës Artificiale.
Sot është shumë e vështirë për çdo shtet që të fshehë sulmet në shkallë të gjerë, që përfshijnë lëvizjen e trupave dhe të armëve të rënda. Po ashtu, nuk është e lehtë të ketë nivele të larta të fshehtësisë në qarkullimin e informacionit të ndjeshëm, si dhe të parandalohet përgjimi dhe deshifrimi i tij.
Kjo vlen për të gjithë protagonistët e skenës ndërkombëtare, pa asnjë përjashtim. Ata që mbajnë sot postet kyçe të politikës botërore, rrallëherë mund të thonë se janë të befasuar nga ngjarjet madhore që ndodhin në nivel global. Nëse politika i kushton pak a shumë vëmendje raporteve që merr nga shërbimet sekrete, atëherë kjo është një çështje tjetër.
Por nga ana tjetër, ajo që nuk është përmirësuar në të njëjtën mënyrë, është aftësia për të parandaluar incidentet e luftës përmes një “diplomacie emergjente”, që së paku të përpiqet të shmangë konfliktet e afërta. Në skenarin që po përshkruajmë, media luan një rol të rëndësishëm.
Investigimet e kryera nga gazetarë dhe gazeta, që kanë një marrëdhënie të privilegjuar me CIA-n amerikane, Mossad-in izraelit apo MI5 britanike, dhe që zbulojnë paraprakisht për publikun pushtime, bombardime apo akte terroriste, përfundojnë duke krijuar një marrëdhënie toksike në raport me pritjen e ndodhjes së ngjarjes në fjalë.
Është njëlloj sikur të shpresonim që sulmi do të ndodhë vërtet, duke konfirmuar autoritetin e gazetës apo gazetarit dhe besueshmërinë e shërbimit të inteligjencës nga është marrë burimi i informacionit. Kështu lindi teatri i vogël që përfshin shërbimet, ushtritë, median dhe një opinion publik që pret në rrjetet sociale ngjarjet e mirë-lajmëruara, por gjithsesi tragjike, që shpesh shkaktojnë mijëra të vdekur e të plagosur.
Hendeku midis aftësisë parashikuese dhe paaftësisë për të parandaluar ngjarje pothuajse të sigurta apo në çdo rast shumë të mundshme, na jep një nxitje të mëtejshme për të reflektuar mbi botën tonë të përfshirë nga kaosi.
Aty ku politika ka bërë hapa prapa në lidhje me aftësinë për të ndërmjetësuar dhe për të ndërtuar kompromise, ashtu dhe mjetet e disponueshme për të mbledhur informacion kanë arritur sot në nivele që nuk mund të imagjinoheshin më parë. Dhe ky boshllëk nuk mund të plotësohet nga e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale. Ajo që nevojitet është inteligjenca njerëzore, e cila shpesh shpërdorohet për çështje të parëndësishme, por që mbetet ende mjeti më i rafinuar që kemi në dispozicion për të mbijetuar. /Huffington Post Italia/