Nga Shkëlzen Rrecaj
Një reagimi i dhunshëm mund të jetë joligjor, por jo jolegjitim. Kështu e përkufizon publicisti dhe analisti i njohur, Nexhmedin Spahiu, aksionin opozitar disajavor për të kundërshtuar Asocacionin dhe Demarkacionin.
Në një intervistë për portalin ‘tesheshi.com’ publicisti Nexhmedin Spahiu ndër të tjera flet për protestën e 28 nëntorit, për arrestimin e deputetes Donika Kadaj, për marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Si e vlerësoni protestën e 28 nëntorit të thirrur nga tri partitë opozitare?
Mendoj se është çështje e drejtë demokratike e opozitës të caktojë protesta, të protestojë në çfarëdo dite që ata e konsiderojnë që është e udhës për ta.
Spahiu a mendoni se opozita me protesta dhe mënyra të dhunshme mund t’ia arrijë qëllimit të saj?
Nuk e di nëse do t’ia arrijë qëllimit të saj apo jo, d.m.th ndonjëherë dhuna është legjitime në momentin kur shkelen të drejtat që janë jetike për një komunitet. Ta zëmë, reagimi i Adem Jasharit dhe i shokëve të tij nuk ka qenë legal, nuk ka qenë demokratik, ka qenë i dhunshëm, por legjitim. Nuk dua të bëjë një paralele në mes kësaj dhe asaj situate në të cilën ka vepruar Adem Jashari, por dua të tregoj se jo gjithmonë dhuna nuk është legjitime. Ndonjëherë ajo është edhe legjitime.
Spahiu si mund të dilet nga kjo situatë e krijuar? Kush duhet të reflektojë për të dalë nga kjo bllokadë?
Çështjet të cilat janë në diskutim mes pushtetit dhe opozitës janë Demarkacioni dhe Asociacioni. Asociacioni është një kompromis politik i cili është i debatueshëm nëse Kosova d.m.th ia vlen ta bëjë atë kompromis ose jo. Nga të gjithë perceptohet se Asociacioni është një gjë që e dëmton Kosovën. Por mospranimi i Asociacionit është se sa do të dëmtohet Kosova në qoftë se nuk do ta pranojë këtë kompromis me Serbinë. Kjo është një çështje me shumë pikëpyetje dhe natyrisht është e drejtë e palëve të mendojnë se interesi i Kosovës mbrohet me këtë apo atë mënyrë. Sa i përket Demarkacionit aty është mese evidente që kjo nuk është një çështje politike, por thjesht korruptive, në të cilën pushteti është zënë me presh në dorë, pra në flagrancë. Në raportin e komisionit qeveritar në bazë të cilit është lajthitur edhe qeveria dhe opinioni i gjerë thotë se nuk ka harta topografike që shënojnë kufirin në detaje në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, kufirin administrativ i cili me njohjen e Kosovës nga ana e Malit të Zi është shndërruar në kufi shtetëror mes këtyre dy shteteve. Në fakt, hartat topografike të cilat shënojnë që kufiri është në Çakor dhe jo në Kuqishtë, ekzistojnë dhe janë të shumta. Ky është një mashtrim për të cilin në çdo shtet normal anëtarët e këtij komisioni do të arrestoheshin e do të dënoheshin, ndërsa për një skandal të tillë qeveria do të kishte dhënë dorëheqje. Kjo nuk po ndodh as pas asaj që faktet tashme janë bërë të ditura në opinion. Qeveria po tregon një shenjë tërheqje në këtë drejtim, por jo ende një reflektim të duhur. Reflektimi i duhur do të ishte shkarkimi imediat i komisionit qeveritar, ndërsa prokuroria do të duhet ta iniconte procedurën e hetimeve dhe ndjekjes penale të anëtareve të komisionit e në ndërkohë edhe kryeministri është dashur të jepte dorëheqje. Kjo është më se evidente.
Cili është komenti i juaj për arrestimin e deputetëve të opozitës? Sipas jush a është i qëlluar ky veprim i pushtetit?
Jo, nuk është veprim i qëlluar i pushtetit. Në fakt është e vërtetë që opozita është treguar e dhunshme, që ka treguar dhunë dhe se nuk mendoj që përgjegjësia e opozitës mund të ndahet në katër deputetë, sepse të gjithë kanë marrë pjesë në ato vepra të dhunshme. Prandaj, nuk mund të akuzohet që Donika Kadaj Bujupi ka me shumë përgjegjësi sesa Ramush Hardinaj në këtë drejtim ose ta zëmë Albulena Haxhiu ka me shumë përgjegjësi sesa Visar Ymeri. Arrestimi i Donika Kadaj Bujupi është vetëm një akt qyqarllaku i institucioneve tona, që tregon dobësinë e institucioneve tona, sepse është arrestuar një femër dhe nuk janë arrestuar komandantët. Akoma me tepër kur të njëjtën kohë ka ndodhur edhe një vepër tjetër e dhunshme më e patolerueshme dhe më e paarsyetueshme kur ministri Avdullah Hoti nuk është lejuar që ta kryejë detyrën e vet për t’i vizituar pikat doganore në veri. Në këtë rast mendoj se policia, gjykata dhe prokuroria nuk e kanë kryer punën e tyre. Kështu që një deputet mund të arrestohet kur bën një vepër e cila është e dënueshme dhe e gjykueshme nga opinioni ose nga ligjet, por këtu kemi me një prishje të rregullave parlamentare, një vepër të dhunshme por në të cilën kanë marrë pjesë e gjithë opozita në përjashtim të deputetit Ilir Deda i cili është distancuar nga këto veprime. Të gjithë deputetët e tjerë kanë marrë pjesë në dhunën që është ushtruar në parlament dhe jashtë parlamentit për arritjen e qëllimeve politike dhe në këtë rast mendoj se qëllimet e tyre politike janë të drejta sidomos ajo për demarkacionin e cila është më se e qartë dhe më se legjitime. Për asociacionin e thashë edhe një herë që është një çështje pak më e komplikuar, sepse ajo vërtet dëmton te ardhmen e Kosovës, por tërheq pas njëqind pikëpyetje tjera. Nëse ne refuzojmë këto marrëveshje, cila është rruga tjetër dhe sa mund te dëmtohemi po që se ngecim në këtë pikëpamje në raport me dialogun me Serbinë dhe Bashkësinë Ndërkombëtare.
A do të mund të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel?
Së pari dua të them këtë që unë kam qenë ithtari i parë i dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit, akoma kur ky është kundërshtuar nga klasa politike e Kosovës. Që nga viti 2002-2003 kam shkruar dhe kam insistuar që duhet të ketë dialog edhe në kohën pas shpalljes së pavarësisë se Kosovës, kur opozita ka kundërshtuar, ndërsa qeveria ka thënë që ne duhet të bisedojmë edhe pse dialogu është i keq, por për këtë insistojnë miqtë tonë. Që atëherë pata thënë që dialogu është diçka që është në interes të Kosovës dhe ne nuk duhet të dialogojmë me Serbinë se na thonë të tjerët, por që ne jemi të interesuar që t’i rregullojmë këto probleme. Ç’është e vërteta, me rezultatet e dialogut me përfaqësimin e palës kosovare jam jashtëzakonisht i pakënaqur. Mendoj që pala kosovare në përgjithësi rrjedhën e dialogut të deritashëm nuk e ka kuptuar që dialogu nuk është gjetja frazave për bisedë, por është koordinimi i gjendjes në terren, sepse situata në terren e artikulon dialogun dhe jo fjalët që do t’ia thotë kryeministri i Kosovës ose ai i Serbisë. Mirëpo është punë sesi veprohet konkretisht në terren, çfarë hapash duhet të ndërmerren, etj. Këtë Kosova nuk e ka kuptuar, prandaj ka pasur një defanzivë permanente në këtë dialog.
Një gjë mund të shihet nga rezultatet e deritashme të dialogut që marrëveshjet janë zbatuar pjesërisht. Natyrisht Beogradi i ka zbatuar marrëveshjet që kanë qenë në interes të vetin dhe nuk i ka zbatuar marrëveshjet që kanë qenë në interes të Kosovës. Për çudi Prishtina e ka bërë po të njëjtën gjë d.m.th që e ka bërë Beogradi, por jo në interes të saj. Ajo i ka zbatuar marrëveshjet të cilat kanë qenë në dobi të Serbisë dhe nuk i ka zbatuar marrëveshjet që janë në dobi të Kosovës. Kështu që del që përfitues i dialogut në të dy rastet edhe i zbatimit edhe i moszbatimit të marrëveshjeve ka qenë Beogradi. Arsyet pse Prishtina nuk i ka zbatuar janë kryesisht korruptive. P.sh. marrëveshjet për gjykata akoma nuk është zbatuar, për shkak të Prishtinës. Po përse nuk është zbatuar? Ndërtesa e cila është paraparë për gjykatën, ku ka qenë UNMIK-u në jug të lumit Ibër është e zbrazët dhe në gjendje solide. Përse atëherë nuk vendoset gjykata pse nuk fillon së zbatuari marrëveshja e Brukselit për gjykata. Arsyeja është se pritet që ky objekt të privatizohet njëherë e pastaj ai që e privatizon t’ia japë me qira gjykatës. Kjo punë mund të kryhet vetëm për një minutë, që ky objekt nga prona shoqërore të kalojë në pronë publike, përkatësisht që pronësia të bartet nga AKP-ja tek Gjykata dhe mbaron muhabeti. Por mendohet me logjiken korruptive që ky objekt së pari të privatizohet ashtu që dikush të vjelë qiranë e këtij objekti dhe të pasurohet në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Përveç këtij dëmi është edhe vonesa e implementimit të marrëveshjes i cili i jep rast Beogradit që vazhdimisht të thotë që Prishtina po i vonon marrëveshjet dhe t’i arsyetojë vonesat ose moszbatimin e marrëveshjeve të veta. Ky është një skandal dhe përkundër që është bërë publike, mediat nuk po merren me të dhe kjo tregon dobësinë e shoqërisë sonë, sepse edhe gazetat po përtojnë t’i hyjnë çështjeve ku bëhen krime të mëdha në kurriz të qytetarëve të vendit.
A po shkon drejt dështimit Kuvendi i Kosovës?
Nëse Kuvendi i Kosovë shkon drejt dështimit, atëherë shkon si organi me i lartë i shtetit të Kosovës d.m.th dështon edhe shteti i Kosovës. Unë shpresoj që kjo nuk do të ndodhë dhe se liderët politikë do të gjejnë zgjidhje, do të jenë në gjendje të gjejnë kompromis dhe se do ta ulin retorikën e konfliktit. Pushteti duhet të tërhiqet nga vendimet e veta të gabuara me hapa konkret dhe opozita duhet me heq dorë nga dhuna në mënyrë që të bëhet një dialog dhe një kompromis për interes të vendit.
Tani ka zëra për zgjedhje të reja në marsin e vitit të ardhshëm. A janë të domosdoshme zgjedhjet për të dalë nga kriza e krijuar në Kuvend? Nëse po, a ka nevojë për një qeveri teknike deri në zgjedhje?
Mendoj se shkruarja e vendit në zgjedhje në muajt e ardhshëm do të ishte shumë e rrezikshme për shkak se situata është tepër konfliktuoze në mes të pushtetit dhe opozitës dhe se këto zgjedhje do ta kishin thelluar akoma më shumë konfliktin dhe nuk do të kishin prodhuar organe legjitime për shkak se në këto zgjedhje nuk do të reflektohej vullneti i popullit të cilët edhe ashtu nuk i zgjedhin më të mirët. Por edhe ai vullnet çfarëdo që është nuk do të realizohej si duhet, por do t’i fitonte votat ai që është më i aftë t’i grabisë kutitë e votimit. Për këtë arsye besoj që do zhvillohej një luftë shumë e madhe mes partive. Para se të ketë zgjedhje Kosova duhet të ketë një fazë qetësie, të uljes së gjakrave mes pushtetit dhe opozitës. Kjo mund të ndodhë nëse do të kishim një qeveri teknike gjithëpërfshirëse ku do të përfshiheshin të gjitha partitë për një periudhë gjashtëmujore ose njëvjeçare.
Nëse do të mbahen zgjedhjet, a mendoni se do të ndryshojë fuqia politike e këtyre partive që janë sot në parlament. Cilët do të jenë fituesit e cilët humbësit?
Në rast të zgjedhjeve eventuale, mendoj se humbës do të ishin të gjithë pasi që në këtë situatë nuk do kishin mundur të realizonim zgjedhje demokratike. Është pikëpyetje se PDK-ja apo partitë opozitare do të mund t’i grabisnin me shumë kutitë e votimit, për shkak se këto tri parti përbejnë një forcë goxha të madhe krahasuar me PDK-në. Ndërsa humbëse absolute do të ishte LDK-ja e cila më nuk është e prirur drejt dhunës e në anën tjetër elektorati i saj është i zhgënjyer totalisht me tradhtinë që iu ka bërë Isa Mustafa. Në radhë të parë për shkakun e elektoratit të vetë ku pati premtuar se unë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në dhe e theu atë premtim. Natyrisht që elektorati i LDK-së është tejet i zhgënjyer edhe për shkak të zgjedhjeve jo demokratike që i ka bërë brenda kuvendit të saj të fundit. Kështu që në rast që do të bëheshin zgjedhje humbëse absolute do të ishte partia e cila në fakt potencialisht paraqet elektoratin më të madh në Kosovë. Mos harroni se filozofia e Ibrahim Rugovës është dominante në Kosovë. Ajo paraqet elektoratin potencialisht më të madh. Ndërsa pse ajo nuk e ka 60-70 %, por 26% është problem që pas vdekjes se Ibrahim Rugovës më nuk ka mundur të organizohet për shkak që udhëheqësinë e LDK-së e ka marrë në dorë PDK-ja dhe kjo tashmë po shihet dhe është bërë më evidente. Kështu që në rast të mbajtje së zgjedhjeve natyrisht se lufta do të zhvillohej në mes këtij blloku opozitar dhe PDK-së, kurse viktima absolute do të ishte LDK-ja, e cila edhe nëse do të fitonte vota, nuk do të jetë në gjendje t’i mbrojtë ato.
Pse nuk po mund shteti i Kosovës ta kontrollojë edhe Veriun?
Udhëheqësia politike e Kosovës nuk po shpreh interesim për veriun, por interesim se si t’i zgjidhë problemet në Prishtinë d.m.th t’i qërojë hesapet në mes vete dhe jo si ta fusë në kontroll veriun. Shembulli më konkret është fakti që nuk e lejon ministrin ta kryejë punën e tij, por se çfarë ka bërë Donika Kadaj. Prioritet i jepet arrestimit të Donika Kadaj dhe jo arrestimit të atyre që kanë penguar Avdullah Hotin në kryerjen detyrës. Kjo tregon se çka është interesuar me shumë lidershipi i Kosovës.
Pse po zvarritet heqja e barrikadës mbi urën e lumit Ibër?
Marrëveshja për urën e Ibrit në Bruksel është marrëveshja më e keqe nga të gjitha marrëveshjet deri tani që janë bërë. Më mirë do të ishte të mos merreshin vesh fare se çfarë është bërë pastaj nga një barrikadë e vogël e Rakiqit e që tani është vendosur një barrikadë më e madhe nga Bashkimi Evropian. Nga ai që e ka mbuluar pjesën veriore të urës tani është bllokuar e gjithë ura. Edhe pse kemi një afat prej një viti të kryerjes së punimeve, ato fare nuk kanë filluar. Ajo që është më negativja nga gjitha gjërat në pjesën veriore është se në cep të kësaj pjese ka qenë xhamia më e vjetër e Mitrovicës, xhamia e Ibrit. Kjo xhami si monument kulture ka shpreh një lidhje të qytetit pjesës jugore me atë veriore – lidhje psikologjike të qytetit të Mitrovicës. Në vend që të rindërtohet xhamia është paraparë që në vendin, truallin e xhamisë të bëhet fushë basketbolli ose lulishte që t’i mundësoj serbëve që gjithmonë të thirren në atë që kjo është marrëveshje Brukselit dhe xhami më nuk mund të rindërtohet. Kjo është një kulm i papërgjegjësisë së lidershipit politik të Kosovës në Bruksel. Serbët janë të interesuar të ngrehin barrikada për shkak se janë të interesuar ta defunksionalizojnë shtetin e Kosovës, për të treguar që Kosova nuk bëhet shtet. Çelësi i gjithë kësaj është Mitrovica dhe veriu i Kosovës në të cilat janë resurset të cilat e mbajnë Kosovën, është liqeni i Gazivodës që furnizon me ujë gjysmën e Kosovës përfshirë këtu edhe termoelektranat e që për momentin kontrollohet nga KFOR-i. Shtrohet pyetja, kush do ta ketë në kontroll liqenin e Gazivodës në momentin kur largohet KFOR-i. Trepça e cila gjysma e saj operohet nga serbët gjysma nga shqiptarët, po ashtu një nga resurset që ardhmëria e Kosovës është e lidhur në Mitrovicë. Mitrovica është kryeqyteti i natyrshëm i Kosovës dhe duhet të trajtohet si i tillë, sepse aty takohen katër lumenj dhe aty janë resurset ekonomike gjeostrategjike. Me një fjalë Mitrovica është çelësi i gjithë Kosovës. Politika që institucionet tona e bën me Mitrovicën është ajo e strucit – që fut kokën në dhé dhe mendon që i zgjedh problemet nga që nuk i sheh ato. Në fakt problemet nuk zgjedhin duke i mbyllur sytë, por duke shikuar drejt në to. /tesheshi.com/