Benjamin Netanjahu nuk ka arritur të sigurojë shumicën parlamentare as me aleancën që bëri me të djathtën, duke humbur kështu në zgjedhjet e dyta që u organizuan në më pak se 6 muaj.
Sipas exit-polleve kjo është një goditje shkatërruese për karrierën politike të kryeministrit i cili bëri fushatë nën hijen e aktakuzës për tri raste të korrupsionit.
Sondazhet u publikuan nga stacionet kryesore televizive pasi qendrat e votimit u mbyllën në të gjithë vendin. Rezultatet fillestare treguan se e ardhmja e tij politike veçse ishte në dyshim.
Edhe te dhënat e pjesshme të publikuara disa orë më vonë nga komisionet zgjedhore, bazuar në mbi 40 përqind të votave të llogaritura treguan se Netanjahu, i cili kryeson partinë Likud, nuk kishte arritur të fitonte shumicën e vendeve në parlament.
Sondazhet nga kanalet televizive izraelite nxorën si fituese partinë e qendrës Blu e Bardh, të kryesuar nga ish-gjenerali Benny Gantz, ndonëse kanë mbetur edhe 10% të votave për t’u numëruar.
Rezultatet zyrtare priten në mbrëmje. /tesheshi.com/