Avioni i Turkish Airlines, i dalë jashtë piste më 4 mars në aeroportin e Katmandusë për shkak të kushteve të vështira atmosferike, i ka shtënë në një siklet të pazakontë autoritetet aeroportuale vendase. Aeroporti i Tribhuvanit, i vetmi aeroport ndërkombëtar i Nepalit, ka mbetur për ditë të tëra i mbyllur sepse nuk ishte e mundur zhvendosja e avionit turk.
E gjithë kjo histori ka zbuluar paaftësinë e e aeroportit për t’iu përgjigj situatave emergjente. Fillimisht u sollën dy buldozerë për zhvendosjen, por qenë turqit ata që nuk e pranuan këtë variant, pasi kuptuan se avioni i blerë jo shumë kohë më parë do të pësonte dëmtime të pariparueshme prej ndërhyrjes së buldozerëve. Dhe zgjidhja u gjet krejt ndryshe.
Një ekip shpëtimi i ardhur nga India vendosi ta zhvendosë avionin me mjete rrethanore. Mbi një kamion u vendosën goma të dala jashtë përdorimit, e sipër tyre u mbështet pjesa e përparme e avionit, e lidhur dhe me litarë, e më pas u bë tërheqja e tij, duke liruar pistën e duke mundësuar rinisjen e fluturimeve.
Kështu aeroporti u hap plot katër ditë pasi ndodhi aksidenti.
Sipas censusit të vitit 2011, Nepali ka 26 milionë banorë, një e treta e të cilëve është nën nivelin e varfërisë. /tesheshi.com/