Premtime pozitive lidhur me hapjen e negociatave me Shqipërinë mbërrijnë sot nga ambasadori i ri gjerman Peter Zingraf.
Zingraf, i cili sapo filloi mandatin e tij, u taku me kreun e Kuvendit Gramoz Ruci, me të cilin shkëmbeu jo vetëm premtime për një “PO” nga Gjermania, por edhe për bashkëpunim mes gjigandit ekonomik te Evropës dhe Shqipërisë.
Ruci bëri me dije perspektivën pozitive të Gjermanisë që është transmetuar nga ambasadori i ri duke thënë: “Gjermania është lokomotiva ekonomike dhe politike e Evropës. Ne i jemi mirënjohës Bundestagut, qeverisë gjermane dhe personalisht kancelares Merkel për fokusin e tyre të veçantë ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së rrugëtimit tonë evropian. Shpresojmë që kjo mbështetje do të vazhdojë dhe se Bundestagu dhe Qeveria gjermane do tu thonë ‘PO’ çeljes së negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian në tetor.”
Kujtojmë se në korrik, pozicioni i Gjermanisë ishte kundër masave të shpejtuara për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Kancelarja Angela Merkel deklaroi se angazhimi i vendit për reforma duhet të vlerësohet. /tesheshi.com/