I përzgjedhuri i Haradinajt për të bërë matjet e reja për Demarkacionin me Malin e Zi, ish-deputeti Shpejtim Bulliqi, tani kryetari i Komisionit Shtetëror, ka thënë se janë duke realizuar vazhdimisht dalje në terren dhe akoma ka punë për të bërë.
“Rezultatet e terrenit nuk i kemi kompletuar ende. Kemi realizuar dalje në terren, do të dalim prapë e pastaj do të tregojmë rezultatet”, ka thënë ai.
Bulliqi ka bërë të ditur po ashtu se komisioni është duke kombinuar edhe fazat e ndryshme të punës që nga kërkimi i materialit (të ri) deri te analizimi i materialit që mund të ishte siguruar më herët.
I pyetur nga portali koha.net se sa janë optimistë që do të arrijnë të përmirësojnë ato që ata i kanë cilësuar si gabime, Bulliqi ka thënë se do të flasë vetëm me fakte pasi të arrijë t’i kompletojë ato.
“Ne jemi të sigurt që punën tonë do ta kryejmë, do të japim kontributin tonë që lëshimet e gjetura t’i adresojmë, duke ofruar gjetjet nga materialet që i kemi hulumtuar dhe analizuar. Nuk është punë e lehtë, është presion i madh, mirëpo ne do t’i kryejmë obligimet tona. Detaje të punës për momentin nuk mund të japim. Ne ju sigurojmë se as në të kaluarën nuk kemi folur/publikuar asgjë e as tash nuk do të flasim/raportojmë pa u bazuar në fakte të bazuara në materiale kredibile. Kyçja jonë në komision është bërë tash së voni andaj një kohë na ka kaluar për krijim të ekipit dhe sqarim të autorizimeve dhe misionit që na është dhënë”, ka deklaruar Bulliqi. /tesheshi.com/