Në një tubim kushtuar përkujtimit të përvjetorit të 12-të të vdekjes së Jaser Arafatit, presidenti i Autoritetit Palestinez ka deklaruar se e dinte se kush e vrau atë në 2004-n.
“Ju më pyesni se kush e vrau atë. Unë e di, por nuk mjafton vetëm dëshmia ime,” u ka thënë Mahmud Abbasi mijëra të pranishmëve.
“Një komision hetimi po gërmon… do të habiteni kur ta mësoni se kush e bëri atë,” ka vazhduar Abbasi.
“Nuk dua të përmend emra, sepse këto emra nuk meritojnë të kujtohen,” do të shtonte ai.
Ish-lideri i lëvizjes palestineze, Jaser Arafati ndërroi jetë më 11 nëntor 2004 në një spital pranë Parisit. Në moshë 75-vjeçare asokohe, ndërsa arsyet e dhëna për vdekjen e tij nuk qenë kurrë bindëse.
Trupi i tij u zhvarros katër vite më parë, më 2012-n, por një hetim francez nuk gjeti prova për helmim. Një raportim i hedhur poshtë nga palestinezët, që e vunë theksin te papajtueshmëritë midis gjetjeve të hetimit francez dhe të ngjashmëve nga Zvicra dhe Rusia, që nuk e përjashtonin helmimin nga poloniumi.
Vdekja e Jaser Arafatit mbetet ende një temë e nxehtë diskutimi, edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite. /tesheshi.com/