Në vitin 2022, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian morën pothuajse një milion kërkesa për azil, ku Gjermania mori më shumë, njoftoi Agjencia Evropiane e Azilit (EUAA).
Kjo është një rritje prej gati 50 për qind krahasuar me vitin 2021 në vendet e BE+, ku përfshihen Lihtenshtajni, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra.
Nga gati një milion kërkesa për azil të paraqitura vitin e kaluar, shumica u pranua nga Gjermania (244,000), e ndjekur nga Franca (156,000), Spanja (118,000), Austria (109,000) dhe Italia (84,000), që është gjithsej 996,000 kërkesa.
Pavarësisht rritjes së konsiderueshme, një numër rekord kërkesash për azil u dorëzuan në Evropë në 2015 (1.4 milionë) dhe 2016 (1.3 milionë).
Por disa shtete anëtare raportuan më shumë kërkesa se kurrë më parë që kur filloi mbledhja e të dhënave pan-evropiane në 2008, duke përfshirë Austrinë, Francën, Spanjën dhe Portugalinë.
Shumica e kërkesave janë paraqitur nga shtetas të Sirisë, Afganistanit, Turqisë, Venezuelës dhe Kolumbisë.
“Një kombinim i krizave, duke përfshirë konflikte të reja dhe të vjetra, goditje klimatike, trazira gjeopolitike, dhunë dhe persekutim, detyruan një milion njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre në vitin 2022”, thuhet në raport.
Midis aplikantëve ishin rreth 42,000 fëmijë dhe të mitur të pashoqëruar, më së shumti që nga viti 2016, nga të cilët pothuajse dy të tretat janë nga Afganistani dhe Siria.
Këto shifra nuk përfshijnë afro katër milionë refugjatët nga Ukraina të cilët nuk duhet të kalojnë nëpër procedura komplekse të miratimit të azilit. /tesheshi.com/