….Jehona Fetaj-Lani, zyrtare për komunikim me publikun në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka thënë për tesheshi.com se gjatë fushatës zgjedhore janë paraqitur gjithsej 79 ankesa për deputetë dhe parti politike…
Nga Bashkim Kastrati
Numrat e telefonave të qytetarëve po përdorën në mënyrë joligjore nga politikanë në kohë fushatash dhe nga kompani të shumta, të cilat përmes tyre bëjnë marketing të drejtpërdrejt duke promovuar veten përkatësisht produkte të ndryshme dhe duke përfituar.
Kjo formë e marketingut është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me Ligjin për Telekomunikacionin. Zyrtarë të Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, thonë se përdormi i numrave të telefonit pa pëlqimin paraprak të atij që telefonohet përbën shkelje ligjore dhe është e sanksionuar me ligj. Shkelësit e ligjit mund të dënohen nga 200 deri në 4000 euro.
Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave personale ende nuk i ka proceduar ankesat që kanë të bëjnë me kandidatët për deputetë të cilët kanë dërguar sms tek qytetarët një ditë para zgjedhjeve duke ua kërkuar votën. Pra edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, kjo agjenci ende nuk ka marrë vendim për personat në fjalë, e që një pjesë e tyre tashmë janë deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Jehona Fetaj-Lani, zyrtare për komunikim me publikun në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka thënë për tesheshi.com se gjatë fushatës zgjedhore janë paraqitur gjithsej 79 ankesa për deputetë dhe parti politike. Ajo thotë se ankesat lidhur me partitë politike janë trajtuar dhe janë proceduar kërkesat për fillimin e procedurave kundërvajtëse kundër kompanive të cilat nuk e kanë respektuar Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (MDHP) sa i përket dërgimit të SMS-ve.
“Sa i përket deputetëve edhe ato janë trajtuar por akoma janë në procedim e sipër. Sipas nenit 82 (paragrafi 1), personi juridik ose personi që ushtron veprimtari të pavarur dënohet, për kundërvajtje me gjobë prej dymijë deri në katërmijë euro nëse në pajtim me këtë ligj përpunon të dhënat personale për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë dhe nuk vepron në pajtim me nenet 59 ose 60 të këtij ligji. (Paragrafi 2)- Personi përgjegjës i personit juridik ose i personit që ushtron veprimtari të pavarur dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej katërqind (400) deri në njëmijë (1.000) Euro për shkelje nga paragrafi 1 i këtij neni. (paragrafi 3) -Individi dënohet për kundërvajtje me gjobë prej dyqind (200) deri në tetëqind (800) euro për shkelje nga paragrafi 1 i këtij neni”, thotë Fetaj-Lani.
Ajo sqaron se Agjencia, pas pranimit të ankesës fillon shqyrtimin e saj dhe pastaj njoftohet ankuesi se ankesa e palës pranohet tërësisht ose pjesërisht apo refuzohet në bazë të kompetencës lëndore.
“Mbikëqyrësi i fushës ndërmerr veprimet e mëtutjeshme (inspektime, kontrolle) dhe njofton subjektin e të dhënave lidhur me veprimet e ndërmarra”, theksoi ajo.
Sms marketingu edhe pas mesnatës!
Por jo vetëm në kohë zgjedhjesh dhe fushatash të ndryshme bëhen keqpërdorime të numrave të telefonit të qytetarëve të Kosovës, një gjë e tillë ndodh shpesh nga supermarkete, banka si dhe kompani tjera, të cilat në çdo kohë dërgojnë mesazhe telefonike reklamuese ndaj produkteve, përkatësisht shërbimeve të tyre.
Kompani të shumta marketingu dhe kompani të sigurimeve janë duke përdorur marketing të drejtpërdrejtë ilegal përmes përdorimit të të dhënave personale të qytetarëve. Kjo marrje e të dhënave personale paraqet shkelje të Ligjit për të Dhënat Personale dhe Ligjit për Telekomunikacionin, i cili parasheh masa sanksionuese të konfiskimit të dosjeve dhe gjobitjes së kompanive në fjalë.
E një gjë e tillë i pengon edhe qytetarët, të cilët thonë se marrin shpesh sms të tillë me përmbajtje marketingu.
“Sms të tillë vijnë shumë shpesh, por po i përmend dy raste, e para gjatë fushatës me ka ardhur një sms nga një kandidat për deputet, ku së pari ceket emri im, e pastaj kërkesa për ta votuar. Është e çuditshme se si një kandidat mund të ketë qasje në numrat e telefonit dhe në identitetin tonë dhe se kush i mban ata numra.
Ndërsa rasti i dytë ka qenë kur pas mesnatës, që realisht është shqetësues sepse nuk e dinë se çka ka ndodhur. Pra më vjen një sms nga një bankë ku shkruan për një ofertë për të marrë kredi. Dhe kjo është tejet shqetësuese. Kam provuar t’i thërras apo t`i shkruaj, por kjo është e pamundur,sepse as thirrja e as sms-ja nuk mund t’i kthehet prapa atij sms-si”, thotë Shkëlqimi një qytetar nga Prishtina.
Në lidhje me këtë, Jehona Fetaj – Lani thotë se Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale pranon ankesa ku bëhet dërgimi i sms-ve nga kompani të ndryshme banka apo subjekte tjera juridike.
“Pas pranimit të ankesave ne kemi realizuar inspektime dhe kontrolle ku kemi urdhëruar për shkatërrimin e të dhënave të cilat janë grumbulluar në mënyrë të jashtëligjshme disa janë proceduar për gjykatën kompetente. Kjo fushë është ndër prioritete e Agjencisë gjatë këtij viti dhe kjo çështje është e rregulluar në harmoni me ligjin në sistemin bankar dhe e njëjta çështje do vazhdojë dhe në kompani tjera juridike”, thotë ajo.
Mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë. Neni 36 mbron privatësinë dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale. Pika 1 e këtij neni thotë se “çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera”. Ndërsa pika 3 thotë se “Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e pacenueshme. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të vendimit gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj”. /tesheshi.com/