Në qytetin belg të Gentit, së shpejti do të mbyllet edhe pika e fundit e basteve sportive.
Vitet e fundit autoritetet në këtë qytet kanë vendosur të refuzojnë vazhdimin e licencave për baste sportive dhe këto institucione janë mbyllur gradualisht në të gjithë qytetin.
Para disa vitesh ishin 10, ndërsa tani është vetëm një, të cilit licenca i skadon më 11 dhjetor. Megjithatë, siç thekson kryebashkiaku Ëim Dries, mundësitë për lojëra fati do të ekzistojnë ende.
“Ka makineri bastesh sportive dhe makina bingo në kafene dhe vende të tjera. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për këto, por ne nuk do të heqim dorë nga kjo luftë,” tha Dries.
Nga ana tjetër, pronari i tre pikave të basteve të mbyllura, Seydi Tekin, tregon se për këto vendime të autoriteteve i është dashur të shkarkojë 10 persona. “Këta janë njerëz që nuk kanë diplomë universitare, do ta kenë të vështirë të gjejnë punë”, thotë Tekin.
Siç thotë ai më tej, bastet tashmë do të kalojnë në tregun e zi.
“Të gjithë në Genk kanë një smartphone përmes të cilit mund të bastojnë në internet. A do të konfiskojë kryebashkiaku telefonat tani?”, pyet Tekin, sipas VRT News.
E gjitha kjo na kujton përvojën shqiptare nga 2018-ta e deri dje. Para pesë vitesh, në emër të një morali shoqëror, kryeministri Rama do ndërmerrte si qeveri mbylljen e basteve sportive e lojrave të fatit. Por ato, bastet sportive, vijuan në ilegalitet ose në rrugë të tjera, falë teknologjisë.
Tashmë, qeveria po i rikthen ato, siç thotë, në një formë të kontrolluar. /tesheshi.com/