Tetë punonjës shëndetësorë do të përballen me një gjykatës në qytetin argjentinas San Isidro me akuzën e përfshirjes në vrasje nga pakujdesia në rrethana rënduese, që është epilogu i hetimit për vdekjen e legjendës së futbollit Diego Armando Maradona, raporton AFP.
Një gjykatë në San Isidro ka pranuar një aktakuzë të ngritur në prill kundër një grupi ekspertësh mjekësorë, e cila tregon për mangësi dhe neglizhencë në kujdesin ndaj një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave. Ndër të tjera, aktakuza do të përfshijë një neurokirurg dhe një mjek familjar, një mjek klinik, një psikiatër, një psikolog dhe kreun e infermierëve dhe mjekëve ndihmës.
Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare nga dështimi i zemrës dhe i frymëmarrjes ndërsa po shërohej në shtëpinë e tij në Buenos Aires nga neurokirurgjia. Argjentinasi i famshëm vuante nga probleme me veshkat dhe mëlçinë, probleme me zemrën dhe neurologjike, si dhe nga varësia ndaj alkoolit dhe drogave psikotrope.
Të pandehurit do të mbrohen në gjendje të lirë dhe për akuzat ndaj tyre gjyqtari mund t’i dënojë me nga tetë deri në 25 vjet burg.
Sipas prokurorisë, personat e ngarkuar për t’u kujdesur për Maradonën janë “protagonistë të kujdesit të paprecedentë, krejtësisht të mangët dhe të pamatur në shtëpi” dhe kanë kryer “një sërë improvizimesh, vendimesh të këqija dhe lëshimesh”.
Një ekspertizë, e cila ishte pjesë e hetimit, tha se ish-futbollisti ishte “lënë në fatin e tij” nga një ekip mjekësor, duke çuar në agoni të ngadaltë.
Gjatë seancës, psikologu, mjeku dhe infermierja e akuzuar kanë mbrojtur veprimet e tyre, për të cilat pretendojnë se janë në fushëveprimin dhe kompetencat e tyre. Leopoldo Luque, mjeku personal i Maradonës, tha se ai ishte “krenar për atë që ai bëri”, duke thënë se ai “u përpoq të ndihmonte” Maradonën. /tesheshi.com/