Presidenti brazilian Jair Bolsonaro kritikoi masat e mbylljes për të luftuar koronavirusin dhe raportimin për pandeminë, një ditë pasi numri i vdekjeve në vendin e tij tejkaloi 100,000.
Në një seri postimesh në Twitter, Bolsonaro iu referua një artikulli në Daily Mail të Londrës duke kritikuar masat e mbylljes dhe pretendoi se karantina në Mbretërinë e Bashkuar vrau dy persona për çdo tre të infektuar.
Ai vlerësoi se në Brazil, edhe pa të dhëna zyrtare, shifrat nuk ndryshojnë shumë.
Një artikull në Daily Mail shprehet se besohet se midis 23 marsit dhe 1 majit, afërsisht 16,000 njerëz vdiqën sepse nuk mund të merrnin ndihmë mjekësore. Gazeta pretendon, pa paraqitur prova, se këta njerëz vdiqën sepse nuk donin të shkonin në spitale nga frika se mos infektoheshin.
Kritikat për punën e stacionit televiziv
Bolsonaro kritikoi gjithashtu televizionin më të madh brazilian, duke mos e përmendur atë, duke deklaruar se “ai vetëm përhap panik në mes të popullatës”, si dhe se “shpreh përçmim, mashtron dhe dekurajon përdorimin e hidroksilkolinës”.
Presidenti brazilian përmendi shifrën e 100,000 të vdekurve në vendin e tij vetëm në kritikat për raportimin e televizionit.
“Në një mënyrë frikacake dhe poshtëruese ndaj 100,000 brazilianëve të vdekur, ky stacion televiziv festoi dje si finalen e Kupës së Botës, duke fajësuar Presidentin e Republikës për të gjitha ato vdekje”, shkruante Bolsonaro, duke shtuar se dezinformata vret më shumë njerëz sesa virusi.
“Koha dhe shkenca do të tregojnë se përdorimi i COVID-19 për qëllime politike në këtë televizion solli vdekje që mund të ishin shmangur”. /tesheshi.com/