Nga Bashkim Kastrati
Gjendja e rëndë ekonomike, papunësia dhe varfëria e madhe, i ka shtyrë mijëra familje kosovare që të kërkojnë ndihmë nga shteti për ta përballuar këtë gjendje, pra për të siguruar ekzistencën. Për shumë familje, ndihma sociale vazhdon të mbetet burimi i vetëm i të hyrave. Vetëm brenda një muaji qindra familje aplikojnë për ndihmë sociale për herë të parë.
Sipas një raporti të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, rreth matjeve të fundit mbi varfërinë në Kosovë, rreth 29,3 për qind e familjeve jetojnë në varfëri të skajshme, me më pak se 1,72 euro në ditë, ndërkaq rreth 10,2 për qind jetojnë me më pak se 1,20 euro në ditë.
Sipas të dhënave zyrtare, konsumi vjetor për banor është 1,402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7,625 euro, që në muaj është 635 euro.
Kosova ka të krijuar një bazë të politikave sociale, që përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontribut-dhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara dhe pensionet e Trepçës.
Por për të përfituar ndihmën sociale duhet pasur doemos fëmijë të vegjël nën moshën 5-vjeçare, por sapo të kalohet kjo moshë automatikisht ndërpritet ndihma sociale dhe pikërisht për këtë fakt ka pasur raporte të shumta se një numër i konsiderueshëm i familjeve, lindin fëmijë për të mos humbur ndihëm sociale, e kjo dukuri është e pranishme sidomos tek komuniteti rom ashkalij dhe egjiptian. Kjo është njëra ndër arsyet pse familjet e varfra kanë shumë fëmijë të vegjël.
Sipas të dhënave që tesheshi.com i ka marrë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, aktualisht në listën e Skemës së Ndihmës Sociale janë 27 mijë e 606 familje me 115 mijë 231 anëtarë të familjeve dhe shuma e mjeteve është në vlerë prej 209068000 euro.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka thënë se ekzistojnë dy kategori të përfituesve dhe se varësisht prej numrit të anëtarëve të familjes shuma e mjeteve financiare që marrin ndihmën sociale sillet prej 40 deri në 80 euro në muaj. Ai thotë se për shkak se ka pasur raste kur ka pasur përfitues të kësaj ndihmë pa i plotësuar të gjitha kriteret, ka një kontroll të vazhdueshëm në terren.
“Ekipet e kontrollit dhe mbikëqyrjes vazhdimisht janë në teren për të verifikuar se a i plotësojnë kriteret familjet shfrytëzuese apo jo, kurse ekziston edhe një bashkëpunim i mirë me Administratën Tatimore të Kosovës për verifikimin e listave të shfrytëzuesve të ndihmës sociale”, ka thënë Demiri.
Por kjo ndihmë sociale konsiderohet e vogël duke marrë parasysh koston e shtrenjtë të produkteve në Kosovë, ku mbushja e shportës familjare me produkte elementare kërkon mjete financiare shumëfish më të mëdha sesa ndihma sociale.
Nga muaji nëntor ndihma sociale rritet për 25 për qind
Familjet e varfra kosovare që përfitojnë nga asistenca sociale e shtetit, nga muaji nëntor do të marrin ndihmën mujore 25 për qind më të lartë. Ky është vendimi i prezantuar nga qeveria e Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Varfërisë.
Sipas ministrit të Financave Avdullah Hoti, vendimi është rezultat i shpërndarjes më të saktë të buxhetit të paracaktuar për këtë kategori, duke përfshirë largimin nga lista të familjeve të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet.
“Pra, kemi 10 për qind më pak familje në skemën e ndihmës sociale dhe kjo na mundëson që përfitimi mesatar për një familje që është në asistencë sociale ta rrisim nga 76 euro në 95 euro. Kemi pasur 2.5 milionë euro në skemën e asistencës sociale gjatë këtij viti dhe kjo na ka mundësuar që sot të marrim këtë vendim, pasi është ditë e shënuar kundër varfërisë, prej 1 nëntorit”, ka deklaruar Hoti.
Kështu, një familje një anëtarësh nëse deri më sot ka marrë 40 euro në muaj, tani do të marrë 50. Ndërsa për një familje 15-anëtarësh ndihma shkon nga 120 në 150 euro.
Ja kush mund të jetë përfitues i ndihmës sociale në Kosovë
Për të pasur të drejtë të përfitohet ndihma sociale të gjithë anëtarët e familjes duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, ndërsa sipas Ligjit Nr.04/L-096 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, neni 4, paragrafi 4.1 dhe paragrafi 4.2, përfitues të ndihmës sociale mund të jenë edhe shtetasit e huaj, të cilët kanë leje qëndrimi në Kosovë, janë azilkërkues, refugjatë dhe persona të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme dhe i plotësojnë kushtet për klasifikim në njërën prej kategorive vijues: Kategoria e parë-Familja në të cilën të gjithë anëtarët e familjes janë të varur dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar.
Ndërkaq në kategorinë e dytë bëjnë pjesë familjet me një anëtar të familjes të aftë për punë, me të paktën një fëmijë nën moshën pesë vjeç apo që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeç.
Përveç këtyre kritereve bazë, familjet (të dy kategorive) për të përfituar ndihmën sociale, nuk duhet të kenë në pronësi më shumë 0.5 hektarë tokë dhe të hyra dhe të mira materiale të llogaritshme, ashtu siç është e përcaktuar me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë Skemën e Ndihmës Sociale. /tesheshi.com/