Fushata zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, i cili do të mbahet më 24 prill, ka filluar zyrtarisht në mesnatë.
Shtatë kandidatë janë në garë për postin e presidentit, dhe sipas anketave të opinionit publik, presidenti aktual dhe kandidati i Bashkimit Social Demokrat të Maqedonisë (LSDM), Stevo Pendarovski, i cili po lufton për një mandat të dytë pesëvjeçar, ka mbështetjen e qytetarëve.
“Unë pres që në raundin e parë votat të ndahen në disa parti dhe nuk pres që dikush të ketë shanse të fitojë në raundin e parë, por pres që të hyj në raundin e dytë dhe përfundimisht të fitoj zgjedhjet”, tha Pendarovski në hapjen e shtabit qendror zgjedhor në Shkup, përcjell A1.
Ai theksoi se në zgjedhjet e pritshme konkurrojnë shtatë kandidatë, më së shumti deri tani, dhe shtoi se Maqedonia e Veriut vetëm në zgjedhjet presidenciale në vitin 1999 kishte gjashtë kandidatë.
Menjëherë pas Pendarovskit, sipas hulumtimeve, qëndron Gordana Siljanovska – Davkova, kandidatja e partisë kryesore opozitare VMRO-DPMNE dhe koalicionit të tyre, e cila kandidoi edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.
Fushata përfundon më 22 prill në mesnatë
Profesoresha e drejtësisë Biljana Vankovska, e cila kandidon për partinë e majtë, ministri aktual i Jashtëm Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik, që është pjesë e koalicionit qeverisës, si dhe Arben Taravari nga kaolicioni opozitar shqiptar VLEN janë gjithashtu në garë për presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut.
Për koiçidencë, që të dy janë doktorë me profesion e të dy ish-ministra Shëndetësie.
Fushata për zgjedhjet presidenciale përfundon më 22 prill në mesnatë.
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut mbahen në dy raunde dhe kandidati në raundin e parë duhet të marrë më shumë se 50 për qind të votave nga gjithsej 1.8 milionë votues të regjistruar për t’u bërë president i vendit.
Nëse asnjë kandidat nuk fiton vota të mjaftueshme, dy kandidatët kryesorë do të përballen në balotazh, i cili do të përkojë me zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj.
Në raundin e dytë, pjesëmarrja duhet të jetë së paku 40 për qind që rezultati të jetë i vlefshëm. /tesheshi.com/