Malcolm Fraser, ish-kryeministri australian, i cili shërbeu si udhëheqës i vendit nga viti 1975 gjer në vitin 1983, vdiq të premten në moshën 84-vjeçare, pas një lëngate të shkurtër.
“Me pikëllim të thellë ju lajmërojmë se, pas një sëmundje të shkurtër, John Malcolm Fraser vdiq paqësisht në orët e para të mëngjesit të 20 marsit 2015”, thotë një deklaratë e lëshuar së fundi.
Fraser-i, një liberal, e nisi mandatin e tij si udhëheqësi i 22-të i vendit pasi përfaqësuesi i mbretëreshës së Britanisë, Elizabet II, sër John Kerr-i, e shkarkoi Gough Whitlam-in në nëntor të 1975-s, pas një krize konstitucionale.
Vetë Whitlam-i vdiq tetorin e shkuar, në moshën 98 vjeç.
Fraser-i ishte një mbështetës i fuqishëm i të drejtave të njeriut, dhe gjatë qëndrimit të tij në detyrë pati si synim zvogëlimin e shpenzimeve dhe administrimin e përgjegjshëm financiar. Ai u pasua në vitin 1983 nga Bob Hawke.
Gjatë viteve të fundit ai u bë një kritik i spikatur i Partisë Liberale. /tesheshi.com/