Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka hartuar një plan të rreptë masash për atmosferën e ndërrimittë viteve, duke veçuar parandalimin e vjedhjeve në zonat e braktisura nga tërmeti.
“Drejtoria e Vendore e Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë kanë marrë masa ekstra në drejtim të ruajtjes së pronës, sidomos në ato zona që u goditën nga tërmeti me qëllim parandalimin e vjedhjes së pronës. Policia e Shtetit, nëpërmjet këtyre masave synon që Festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri të kalojnë në mënyrë sa më festive dhe të mos veniten nga episode të mundshme paligjshmërie”, tha në një deklaratë Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj.
Gjithashtu paralajmërohet se në vende publike me dendësi popullsie, do instalohen forca speciale në rujtje të sigurisë.
“Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special RENEA dhe Njësinë Speciale FAST.
Policia e Shtetit ka planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, qendra tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj., duke bashkëpunuar me bashkitë respektive, me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin e masave për këtë qëllim”, thuhet në deklaratë.
E mes te tjerash, policia do u shpall luftë kapsollave e fishekzjarreve vend e pa vend.
Në këtë drejtim, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera të Task Forcës së krijuar me Urdhër të Përbashkët Nr. 661 të vitit 2018, të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë “Për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, në zbatim të detyrimeve që përcaktohen, po intensifikojnë kontrollet për verifikimin e kushteve të prodhimit, magazinimit, tregtimit dhe përdorimit nga subjektet e licencuara të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrët”, theksohet ndër të tjera në deklaratë. /tesheshi.com/