Ajo që ka thënë Ilir Meta një javë më parë te Sokol Balla është bërë realitet.
Grupi Ndërkombëtar i Vettingut është përplasur që në nisje të punës së tij me Ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili.
Siç mësohet, Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit sapo ka nisur të fusë në lupë të 180 emrat e parë që do të marrin pjesë në komisionin shqiptar të vettingut.
Ata janë mbyllur në një ambient të selisë së Bashkimit Europian në Tiranë dhe po i shqyrtojnë një nga një emrat, duke u përballur me dosjet e “rënda” që kanë sjellë dy gjyqtarë amerikanë nga Departamenti i Shtetit dhe Richard Priebe, njeriu i Merkelit në këtë komision, nga Brukseli.
Kjo duket se e ka prekur menjëherë LSI-në e Ilir Metës, që ka deleguar ministrin e ri të Drejtësisë, Petrit Vasili, të bëjë presionin e parë, e me forcë.
Vasili, si të mos kishte qenë fare në Tiranë dhe të mos ishte anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, që ka miratuar ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për vettingun, deklaroi tek Ilir Babaramo se nuk dinte asgjë për ndërkombëtarët.
“Jam njohur ditë më parë për krijimin e një bordi ndërkombëtar monitorimi. Kushtetuta flet për ekspertë të cilët krijojnë Operacione Ndërkombëtare të Monitorimit. Këtu është ngritur edhe një bord. Është e paqartë. Nga mediat jam njohur. Pasi ky komunikim lidhur me ONM-në nuk përfshinte në dikasteret për informim Ministrinë e Drejtësisë, u la jashtë komunikimit. Arsyet e i kam të paqarta. Edhe faksimilet i kam parë përmes mediave. Të cilat nuk i disponoj as sot e kësaj dite, ku ishin zv/shefa të misioneve të BE-së në Tiranë, të ambasadës amerikane e të tjerë punonjës të ambasadave të cilët do punonin si interlokutorë. Pra, ishte një mekanizëm ekstra-kushtetues, pasi kushtetuta flet qartë, ka ekspertë të cilët propozohen nga SHBA-ja dhe BE-ja. Në këtë operacion komunikimi, shteti shqiptar duhet të mbajë raportin e tij. Këta janë vetëm ekspertë,” u shpreh Vasili.
Ndërkombëtarët e vettingut nuk kanë patur realisht asnjë kontakt me përfaqësues të qeverisë, dhe në deklaratën e parë për shtyp theksuan se “nuk frikësohen nga presionet”. Ata po e zhvillojnë punën në sekret të plotë, të privuar nga çdo lloj kontakti i jashtëm.
Të gjitha konkluzionet e tyre do të jenë me shkrim dhe do t’i dorëzohen komisionit vendor të vettingut. Konkluzionet e ndërkombëtarëve janë rekomandime e jo vendime, por argumentet shoqëruese do të jenë aq të plota, sa do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, t’i kundërshtosh.
Deklarata e Petrit Vasilit, në fakt, nuk ishte e vetmja nga LSI-ja.
Vetë Ilir Meta, një javë më parë në Top Story, deklaroi se, “nuk do të ketë vetting nga ambasadat,” duke iu referuar ndërkombëtarëve. Kjo ka sjellë edhe një ndërprerje totale të marrëdhënieve ndërmjet ambasadorëve Donald Lu e Romana Vllahutin me Ilir Metën, e të cilët sot janë sulmuar fuqishëm nga gazeta 55 e Fahri Balliut, i cili përveç lidhjeve të forta me ish-kryeministrin Sali Berisha, ka relacione të vjetra e të ngushta me Ilir Metën. Artikullin kundër dyshes Lu-Vllahutin e kishte botuar edhe Gazeta Shqiptare, një media shumë pranë Metës dhe që ka për drejtor një ish-ministër kur kreu i LSI-së ishte kryeministër i vendit.
Ndërkaq, sot Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim tjetër, që i ka hapur rrugë edhe më të gjerë zbatimit të vettingut. Në kohën kur janë duke u “skanuar” individët që do bëjnë procesin e vettingut, Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e gjyqtarëve për këtë ligj.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ligjit të vettingut, pasi, sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën.
Por në arsyetimin e saj, Kushtetuesja thekson se padia e gjyqtarëve është e njëjtë me padinë e Partisë Demokratike. “Ligji për rivlerësimin nuk cenon asnjë të drejtë. Në padinë e tyre gjyqtarët nuk paraqitën asnjë provë,” arsyeton Kushtetuesja. /tesheshi.com/