“Ne nuk duhet të frikësohemi nga të drejtat që ua japim të tjerëve, duhet të frikesohemi nëse i keqpërdorim të drejtat tona”, shprehet sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ku më tej ka shkruar:
“Para kater viteve, erdhi komandanti i KFOR-it në zyren time, atëherë në Prishtine, dhe më tha: “disa udhëheqës të lartë të Kosovës e kanë keq që po shërbehen me fjalë dhe premtime të mëdha. Duhet ta kenë të gjithë të qartë se ne nuk kemi ardhur të luftojmë në Kosovë, jemi këtu në mision paqeruajtës. Ju duhet me mjete politike të zgjidhni Veriun, luftë tjetër nuk do të lejojë Aleanca Veriatlantike”.
Asociacioni, për të cilin Kuvendi i Kosovës ka vendosur në vitin 2013 është zgjidhje e mire, jo ideale. Me parimet që i kemi marrë vesh me dt 25 gusht të këtij viti, pas muaj e ditë të tëra të dialogut politik dhe teknik , është ruajtur plotësisht sistemi kushtetues i vendit. Çdo vendim për themelim dhe ndryshime për asociacionin kalon përmes mendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ne jemi popull normal dhe shtet normal, prandaj interpretimet e akteve ua lëmë t’i bëjnë ata që kanë legjimitet dhe ekspertizë, jo rrugës dhe frustrimeve politike.
Gjatë grevës së minatorëve në fillim të këtij viti, i pata pyetur Bordin e Trepçës se a munden ata të menaxhojne me Trepçën në veri, nëse e shpallim sot kompani publike. Më thanë Jo. Por më thanë se minatoret e dëshirojnë të jetë publike. Une ju them se me këtë marrëveshje Trepçën e bëjme një, si pronë të Kosovës. Jo të Asociacionit. Ju gënjejnë ata që thonë se Asociacioni është pronar i pasurive tona.
Është e saktë se përmes Asociacionit, komunat me shumicë serbe do të kenë pamje të plotë në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik lokal, zhvillim urban e infrasturor. Kjo nuk duhet t’i pengojë askujt, sepse ne e kemi përjetuar vetë sa rëndë është kur dikush ta mohon të drejtën të mësosh fëmijet e tu e të shërohesh ashtu siç ti dëshiron. Prandaj në shekullin e 21 në procesin e integrimeve botërore ne do të pranojmë këto të drejta, sepse jemi ne ata që na janë mohuar të drejtat”.