Nga Blendi Gashi
Vendimi për rrëzimin e murit në Mitrovicë, i arritur me dakortësinë e dy palëve, nuk e ka qetësuar aspak politikën e Prishtinës. Aty kanë nisur t’i bien me kokë, jo murit por shoqi-shoqit, ku njëra anë pushteti e quan fitore të saj, opozita vazhdon të mbaj qëndrimin se muri nuk do rrëzohet plotësisht.
Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se marrëveshja për rrënimin e murit është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut.
“Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika urrejtëse dhe interferimet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë. Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë”, ka deklaruar Thaçi.
Edhe kryekuevndari Kadri Veseli ka thënë se nuk do të ketë mure ndarëse, duke dhënë njëherësh garancinë se Mitrovica do të të jetë qytet i bashkuar.
“Qytetarët e Mitrovicës dhe të tërë Kosovës duhet të besojnë në shtetin e tyre dhe në rrugëtimin euroatlantik”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Por për dallim nga presidenti dhe kryekuvendari, partia e parë opozitare, Vetëvendosje përmes sekretarit të saj, Dardan Molliqaj konsideron se pushteti po mashtron sërish qytetarët me (mos)rrëzimin e murit.
Ai përmes një shkrimi në Facebook thotë se muri nuk po rrënohet por vetëm po shkurtohet, duke e shoqëruar këtë më disa pyetje:
“Pse duhet që qeveria të bëj marrëveshje për heqjen e një ndërtimi ilegal, që për më tepër paraqet agresion të Serbisë në Kosovë?!
Pse në një rast të tillë duhet të jenë prezent edhe ndërkombëtarët?!
Pse Qeveria nuk ka treguar se çka nënkupton pika e tretë e marrëveshjes ku parashihet dizajni i ri që kufizon lirinë e lëvizjes në atë pjesë, ku siç po shihet, në fakt muri nuk do të rrënohet por vetëm do të shkurtohet?!”.
Molliqaj më tej thotë se qeveria përmes marrëveshjes për murin e konfirmoi edhe një herë që nuk ka sovranitet në veri dhe se kjo pjesë nuk është sikur komunat e tjera të Kosovës.
“Asnjë qeveri serioze nuk do të negocionte dhe arrinte marrëveshje për akte kriminale që cënojnë sovranitetin. Prandaj them që kjo qeveri nuk duhet të bëj asgjë lidhur me veriun, sepse çka do që bën (edhe nëse duket mirë në shikim të parë) është e dëmshme për shtetin. Qasja e saj aventureske na solli këtu. Çështja e veriut të vendit mund të zgjidhet vetëm me një qeveri të re që ka qasje të re”, thotë Molliqaj.
Për dallim nga presidenti e kryeparlamentari, kryeministri Mustafa sot nuk është deklaruar për rrëzimin e murit, ashtu siç nuk janë deklaruar as këshilltarët e tij politikë. /tesheshi.com/