Të bësh ndonjë praktikë në një laborator të vetmuar në një mal të frikshëm, ndoshta nuk është ideja më e mirë. As lëvizja e asaj leve me simbolin e kafkës për të ushqyer kuriozitetin tënd, s’ishte fort lëvizje e mençur. Por tani nuk është koha për pendime, sepse ty të duhet t’u largohesh këtyre mumjeve… shpejt! A mund ta përdorësh matematikën për t’u larguar ti bashkë me shokët e tu mbi urë, para se mumjet të të arrijnë. Pa jepi vetës një shans!
Me vete ke rojtarin, asistenten e laboratorit dhe profesorin e vjetër. Ti, fatmirësisht, u je larguar pak atyre dhe ke fituar pak kohë, mirëpo tani ke vetëm një rrugë për shpëtim: të kalosh përgjatë një ure të vjetër, të bërë nga litari, që duhet kaluar me shumë kujdes.
Koha që ty të duhet për ta kaluar urën është 1 minutë, kurse asistentes së laboratorit i duhen 2 minuta kohë. Rojtari është pak më i ngadaltë dhe i duhen 5 minuta, ndërsa profesorit i duhen 10 minuta të tërë, ngase duhet të mbahet në litarë për çdo hap gjatë rrugës.
Nga kalkulimet e profesorit, mumjet mund të të arrijnë për 17 minuta. Pra ti ke kaq kohë që t’i kalosh të gjithë dhe më pas ta presh litarin.
Fatkeqësisht, ura mund të mbajë vetëm 2 njerëz. Për t’u bërë punët edhe më keq, është shumë errët dhe mezi mund të shohësh, kurse fanari i vjetër që ke marrë, ndriçon vetëm një hapësirë të vogël, duke e bërë të domosdoshme posedimin e fanarit gjatë kalimit të urës.
A mund të gjesh ndonjë mënyrë për t’u arratisur të gjithë në kohë?
Kujto: nuk mund ta kalojnë urën më shumë se 2 vetë së bashku. Ai që kalon ose duhet ta mbajë fanarin, ose t’i rrijë afër. Të sigurt jeni vetëm atëherë kur e kaloni urën para se mumjet të arrijnë. Dhe, për t’u pasur parasysh, nuk mund të bësh ndonjë hile, s’mund ta kalosh urën me ndonjë litar si tarzan, e aq më pak të shoqërohesh me mumje.
Provo të përgjigjesh vetë; nëse s’mund ta gjesh zgjidhjen dhe dorëzohesh, atëherë përgjigjen e gjeni në këtë video…