Nga Bashkim Kastrati
Ka disa vite që në Kosovë flitet për nivelizimin e pagave dhe kategorizimin e pagave për sektorë të ndryshëm. Për t’u realizuar kjo është e domosdoshme që të miratohet Ligji për Pagat, i cili ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, edhe përkundër faktit se ka pasur premtime të shpeshta nga partitë politike që janë në pushtet.
Kategorizimi i pagave është shumë i domosdoshëm sidomos për sektorin e shëndetësisë, pasi që ka mjekë që punojnë më shumë dhe kanë punë më të vështira dhe më me përgjegjësi se disa tjerë, ndërsa paguhen njëjtë.
Si rrjedhojë e kësaj situatë, të gjithë mjekët specialistë, pavarësisht në çfarë fushe punojnë, paguhen njësoj, përkatësisht me një pagë prej rreth 600 euro në muaj. Kjo vlen edhe për infermierët, pasi që paguhen nga rreth 400 euro në muaj, pavarësisht se në cilin sektor shëndetësor punojnë.
Profesionistë shëndetësorë e vlerësojnë këtë sistem linear të pagave si jo të drejtë, pasi që sipas tyre kjo ndikon edhe në përformancën dhe motivimin e mjekëve. Kjo për faktin se në sektorin e shëndetësisë dallojnë punët dhe përgjegjësitë. Aty ku punohet më shumë ka përgjegjësi dhe rrezikshmëri më të lartë, duke përfshirë edhe dëmtimin e shëndetit të mjekut, ka vende që ka rrezatim të lartë dhe mu këtu ekzistojnë disa përfitime, si pushimi më i zgjatur, stazhi etj.
Pra, sistemi linear i pagave favorizon ata që nuk janë shumë punëtorë në krahasim me mjekët që punojnë shumë. Por, mendoj se me Ligjin e pagave kjo çështje do të rregullohet dhe mbase kjo do të zgjidhet pas krijimit të fondit të sigurimeve shëndetësore, pasi që mjekët do të paguhen në bazë të përformancës së punës që tregojnë.
Nuk ka vullnet politik për ta miratuar Ligjin për Pagat
Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani ka thënë për tesheshi.com se kategorizimi i vendeve të punës dhe i pagave, duhet të bëhet dhe do ta kishte rëndësinë e vet si për punonjësit ashtu edhe për shtetin.
“Në sektorin e shëndetësisë do të ishte i rëndësishëm sepse ata që punojnë më shumë dhe kanë eksperiencë më të madhe do të paguheshin me rroga më të larta. Aktualisht paguhemi njëjtë sikur ata që kanë profil mjekësor me përgjegjësi dhe punë më të rëndë sikur ata që këto përgjegjësi i kanë më të vogla”, thotë Selmani.
Sa i përket angazhimit dhe vullnetit të institucioneve për rregullimin e kësaj çështjeje, Selmani thotë se vullneti është i vogël, ndërsa angazhimi edhe më i vogël.
“Para tri vitesh, ministri i administratës publike na pat thënë se e ka të gatshëm ligjin mbi pagat dhe se shpejt do ta procedoj në Parlamentin e Kosovës. Në ndërkohë u pat prishë koalicioni qeveritar dhe u shty çështja. Aktualisht, ministër i administratës publike është personi i njëjtë, Jahir Maggjillar por ligji ka mbetur në sirtar”, theksoi sindikalisti Selmani.
Gjatë hulumtimeve të bëra nga organizata të ndryshme, del se një mjek specialist ka kërkuar ta ketë pagën e një deputeti, në mënyrë që të punojë vetëm në sektorin publik.
Ndërkaq, 120 deputetë të Kuvendit të Republikës se Kosovës marrin pagë mujore mbi 1,500 euro në muaj, derisa gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Ata marrin mëditje për seanca plenre, për mbledhje në komisionet të kuvendit, kur bëjnë vizita studimore, vizita zyrtare etj.
Në lidhje me këtë çështje në vazhdimësi ka reaguar edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSBK). Sipas kësaj sindikate, si rezultat i pagave të ulëta dhe sistemit jo të mirë shëndetësor, vetëm për tre vjet nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian, kanë ikur mbi 400 mjekë. Gjithashtu edhe një numër i madh i infermierëve kanë ikur nga Kosova. Shumica e tyre janë duke shkuar në gjermani. Prandaj kohëve të fundit është raportuar se shumë studentë janë duke ndjekur kurset e gjuhës gjermane për të ikur në Gjermani.
Sipas FSBK-së, hulumtimet që i ata i kanë bërë në këtë dejtim tregojnë se , njëra nga arsyet e ikjes së mjekëve nga Kosova është paga e pamjaftueshme, sidomos te ata të lëmit të kirurgjisë, emergjencës, mjekimit intensiv. Por ndikim ka edhe gjendja e përgjithshme jo e mirë e shëndetësisë në Kosovë. /tesheshi.com/