Pasi u rendit i fundit për votat e marra në garën për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli tha se kishte një arsye për t’u ndjerë gjithsesi krenar.
“Jam krenar që në partinë time ndeza shkëndijën e parë të garës më shumë se një garë ishte një sfidë, falë kësaj sfide demokratët patët mundësinë të mos shkonin symbuullur drejt mandatit të tretë. Ata që votuan dhe bojkotuan kanë dhënë mesazhe dhe kanë marrë përgjegjësi për zgjedhjen e tyre. S’jam këtu për të përligjur mandatin tim dhe as fitoren publicitare të Lulit”, tha Kadilli në një dalje para medias.
Sipas tij, gara nuk qe e barabartë.
“Pabarazi burimesh financiare. Patë një kryetar që nuk lëshoi zyrën. Brenda partisë zgjedhjet ishin më keq se ato parlamentare. Megjithatë unë nuk jam Luli unë e pranoj këtë rezultat dhe vendimin e demokratëve.
Unë nuk iki, nuk dorëzohem nuk krijoj parti të re, do vijoj me këmbëngulje këtë projekt kryengritjeje, vetëm kështu demokratët do të kenë një parti të tyre dhe vetëm kështu politika bëhet e vërtetë”, ishin komentet e Kadillit.
Kujtojmë se pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit, Kadilli qe i pari që shpalli kandidaturën për kreun e partisë, i ndjekur më pas nga Harxhi e Shehaj, qe dhe ata s’mundën dot ta mundnin kreun aktual Basha. /tesheshi.com/