Të gjithë votuesit e Maqedonisë do të votojnë pasi të kenë identifikuar në mënyrë elektronike shenjat biometrike me anë të gishtit.
Kjo ka qenë arritja më e dukshme ku drejtuesit e 4 forcave politike kanë rënë dakord gjatë takimit me Komisionerin europian për Zgjerimin, Johanes Hahn.
Pas takimeve të ndara, udhëheqësit e 4 partive kryesore në Maqedoni janë zotuar se do t’iu përmbahen afateve për zbatimin e reformave, që parashikohen në marrëshjen e 2 qershorit.
“Ne jemi dakord, që të gjitha hapat duhet të përshpejtohen. Sa më parë të përmbyllen çështje, si Kodi Zgjedhor por edhe të tjerat që përfshihen në marrëveshjen e 2 qershorit, aq më mirë është për ne”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Gjatë takimit me komisionerin Hahn, kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi është fokusuar te zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor.
“Pjesa kryesore ku u përqëndruam bashkërisht është aspekti i zgjedhjeve të parakohshme, miratimi i Kodit Zgjedhor, por edhe përmbushja e kërkesave tona, arsyeja kryesore përse e kemi firmosur këtë marrëveshje. Lista e zgjedhësve duhet të evidentohet edhe një herë, votuesit duhet të votojnë me pika identifikuese në gisht gjatë procesit të votimit. Ramë dakord, që kjo të përfundojë deri më 6 tetor”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Përveç Kodit Zgjedhor, me udhëheqësin e LSDM-së, Zoran Zaev, zyrtari i lartë europian ka diskutuar edhe reformat në gjyqësor dhe formimin e komisionit anketues lidhur me skandalin e përgjimeve, që parashikohen në marrëveshjen e 2 qershorit.
“Më vjen mirë, që Bashkimi Europian po imponon afate konkrete për zbatimin e pikave të marrëveshjes, që do të përcaktohen pas takimeve me të gjithë krerët politikë. Për ne është shumë e rëndësishme, që të fillojë sa më parë implementimi i plotë i paktit për zgjidhjen e krizës”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes, në afatet e caktuara, komisioneri Hahn ka biseduar gjatë një dreke pune, edhe me kryeministrin Nikola Gruevski./tesheshi.com/