Ndërsa është rishfaqur sërish sëmundja e gjedhit, e njohur ndryshe si “dermatoza nodulare”, tregtarët e mishit marrin përsipër rrezikun dhe i ofrojnë konsumatorit një produkt të pakontrolluar. Ndoshta për të shmangur detyrimet financiare, apo sorollatjet nëpër zyrat përgjegjëse, por një lëvizje e tillë mund të rezultojë fatale për qytetarët.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi një dyqan mishi në rrugën “Sitki Çiço” në kryeqytet, pasi bënte therjen e paligjshme të bagëtive. Gjatë kontrollit, inspektorët kanë evidentuar shkelje të ligjit, pasi nuk respektonte kriteret minimale të tregtimit të këtij malli konsumi.
“Subjekti, i cili tregtonte mish në rrugën “Sitki Çiço” është bllokuar pasi në kundërshtim me ligjin, fuste kafshët e gjalla brenda në Tiranë dhe më pas i therte ato në një ambjent pranë dyqanit. Sipas ligjit, kafshët e gjalla mund të theren vetëm në thertore, të cilat janë kontrolluar dhe çertifikuar nga shërbimi veterinar. Më pas transportimi i mishit nga këto thertore tek dyqanet, bëhet nëpërmjet makinave frigoriferike”,- shkruan AKU.
Inspektorët kanë bërë sekuestrimin edhe të një sasie të konsiderueshme mishi pranë këtij dyqani, e cila është asgjësuar më pas. Ndaj këtij subjekti, përveç bllokimit të aktivitetit, është marrë edhe masa me gjobë./tesheshi.com