Në edicionin e fundit të emisionit “360 shkallë” në Alsat-m, si mysafir ishte i ftuar ministri i drejtësisë Adnan Jashari, i cili kërkoi nga Prokuroria Speciale të iniciojë procedurë për rastet “Monstra” dhe “Sopoti”.
“Për rastin e Sopotit kemi dëgjuar nga të ashtuquajturat bomba se si qëndron situata. Rasti “Monstra”, edhe pse u paralajmërua se do të publikohet i njëjti, nuk u shpall nga opozita maqedonase. Besoj se ato materiale që nuk janë të publikuar duhej të publikohen. Ato u janë dorëzuar prokurores për procedim”, tha Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.
Jashari refuzoi të spekulojë informatën se gjoja janë vendosur kamera përgjuese në ambientet e Prokurorisë Speciale, duke shtuar se ende nuk ka informata zyrtare për këtë rast. Mirëpo nëse vërtetohen informatat, kërkon përgjegjësi nga shërbimet që kujdesen për sigurinë e hapësirave të kësaj prokurorie.
“Çdo deklaratë e imja do të ishte me karakter spekulues prandaj edhe nuk dua të bëj koment nëse janë instaluar, por kam dëgjuar nga media dhe e lëmë si konstatim në kuadër të asaj që ju e quani spekulim”, deklaroi Jashari.
Sipas tij, resori i drejtësisë ka asistuar e ka siguruar hapësira shtesë për Prokurorinë Speciale dhe ky resor ka raporte të mira me këtë prokurori. Ministria e Drejtësisë ishte ndër më të kritikuarit viteve të fundit në raportin e Pribesë dhe atë të Komisionit Evropian, sipas të cilëve gjyqësori nuk i mungon aspak puna në mënyrë selektive, sidomos kur bëhet fjalë për raste që kanë të bëjnë me raste ku janë të përfshirë politikanë të nivelit të lartë./tesheshi.com/