Laurence Boone, ministri i Francës për çështjet e Bashkimit Evropian, tha se ngritja e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) përbën një kërcënim për stabilitetin e Evropës.
“Në vend që t’i japë mbështetjes Ukrainës dhe të ofrojë zgjidhje alternative me votat e saj në Parlamentin Evropian, AfD po udhëheq një politikë rraskapitjeje në Evropë”, tha Boone në një paraqitje të ftuar në televizionin francez LCI, raporton Anadolia.
Duke komentuar se “është e njohur që AfD ka një pozicion prorus”, Boone tha se kjo situatë është shqetësuese dhe shtoi: “Rritja e kësaj partie është një kërcënim për stabilitetin e Evropës”.
Boone shtoi se partitë e ekstremit të djathtë në kontinent janë të hapura për të shkatërruar Bashkimin Evropian duke u larguar nga blloku, duke argumentuar se kjo nuk është ajo që ata duan.
Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e shpalli më parë Bashkimin Evropian një “projekt të dështuar” në formën e tij aktuale.
Partia politike euroskeptike ka miratuar programin e saj për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit të ardhshëm, në të cilin thotë se BE-ja ka “dështuar plotësisht” në të gjitha fushat e rëndësishme, përfshirë migracionin dhe politikën klimatike, dhe ka refuzuar euron si monedhë.
Partia megjithatë hoqi dorë nga kërkesa për daljen e Gjermanisë nga BE. Në vend të kësaj, AfD bën thirrje që BE të rithemelohet si një “federatë e kombeve evropiane”, raporton DPA.
Sipas programit elektoral, detyrat kryesore të federatës së re duhet të jenë mbrojtja e kufijve të jashtëm kundër migracionit, autonomia strategjike në politikën e sigurisë dhe ruajtja e “identiteteve të ndryshme” në Evropë.
Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja e AfD-së është rritur në 19 deri në 22 për qind, duke e bërë atë partinë e dytë më të fortë në Gjermani. /tesheshi.com/