Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, i është kundërpërgjigjur përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili ka thënë se nuk dihet nëse edhe vitin e ardhshëm, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm.
Çollaku në një konferencë për media ka deklaruar se deklaratat e Zhbogarit nuk janë të rëndësishme, pasi liberalizimi i vizave nuk varet nga ai, duke u shprehur i bindur se në fillim të vitit të ardhshëm, Kosova do të hyjë në zonën e Shegenit dhe për këtë qytetarët nuk duhet të preokupohen për zvarritjen e saj.
Ai tha se ky raport është i fundit sepse punët janë kryer dhe të gjitha kriteret janë plotësuar qind për qind duke arsyetuar se vlerësimet e këtyre kritereve janë bërë në muajin shtator.
Çollaku shtoi se nëse dje do të vinte një ekspert, këto tetë rekomandime kanë qenë të plotësuara, por ata nuk kanë ardhur sepse vlerësimet janë bërë në muajin shtator.
“E thashë. Komisioneri e tha qartë që ky raport është pozitiv dhe pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të fillohet me punë tjera dhe këto të përfundojnë”, tha Çollaku./tesheshi.com/