Nga Blendi Gashi
Kadri Veseli që nga ardhja në krye të PDK-së ka larguar dalëngadalë të “përkëdhelurit” e Thaçit që për vite të tëra, nga 2007-ta kur kjo parti erdhi në pushtet kanë mbajtur poste kyçe në institucionet e vendit.
Duket se Veseli nuk dëshiron që partia të ketë fytyrë të njëjtë dhe këtë e tregon edhe vendimi për të mos riemëruar në poste ministrash në qeverinë “Haradinaj” disa nga zyrtarët e PDK-së që kanë qenë të paprekshëm në qeveritë e drejtuara nga Thaçi, por edhe në qeverinë e fundit në koalicion me LDK-në.
Dhe janë saktësisht pesë emra “të mëdhenj” të politikës që kanë mbetur pa poste të larta në ekzekutiv, ndërsa për vite kanë mbajtur poste të zv.kryeministrit e ministrave.
Ku mbeti Kuçi, “krahu i djathtë” i Thaçit?
Padyshim që befasia më e madhe është mosemërimi në ndonjë post i Hajredin Kuçit, “krahut të djathtë” të Thaçit pa të cilin as nuk imagjinohej funksionimi i qeverisë.
Edhe pse nuk dihet nëse Kuçi është i padëshiruar nga Veseli apo me dëshirë nuk ka dashur të marrë post, mungesa e tij tregon në një mënyrë se kreu i PDK-së nuk e sheh si person kyç në parti.
Vendin e Kuçit, si zv.kryeministër Veseli ia besoi ish-ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj po ashtu një zyrtar i PDK-së, i mbajtur afër edhe nga Thaçi.
Vlen të theksohet se gjatë “mbretërimit” të Thaçit, profesor Kuçi ka mbajtur pozitën e zv.kryeministrit e ministrit të Drejtësisë.
Kuçi do të ushtrojë detyrën e nënkryetarit të PDK-së, ndërsa është i angazhuar edhe profesor në Fakultetin Juridik.
Arsim Bajrami – është po ashtu një zyrtar i lartë i PDK-së, të cilin nuk llogarit më Veseli.
Gjatë udhëheqjes së ekzekutivit nga Thaçi, ai ka mbajtur poste të larta ministrore.
Në qeverinë “Thaçi 1” gjatë viteve 2007-2010, Bajrami mbajti postin e ministrit të Administratës Publike, kurse në qeverinë “Mustafa” gjatë koalicionit PDK-LDK, Thaçi ja besoi detyrën e ministrit të Arsimit.
Bajrami mbetet nënkryetar i PDK-së, ndërsa do të vazhdojë angazhimin e tij edhe si profesor në Fakultetin Juridik.
Memli Krasniqi – një nga të preferuarit e Thaçit, nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar.
Në qeverinë “Thaçi 2” gjatë viteve 2011-2014 Krasniqi mbajti postin e ministrit të Kulturës, kurse në qeverinë e fundit mbajti postin e ministrit të Bujqësisë deri në kohën e zgjedhjes deputet.
Për një kohë ka qenë edhe zëdhënës i qeverisë.
Memli mbetet njeri me ndikim në PDK dhe i afërt me Veselin pasi më 2016 është zgjedhur nënkryetar i partisë, kurse arsyeja pse ai mund të mos jetë pjesë e kabinetit “Haradinaj” është se në zgjedhjet e 11 qershorit ka fituar postin e deputetit.
Vlen të theksohet se Memli ushtron edhe detyrën e nënkryetarit të federatës së xhudos.
Blerand Stavileci –një kuadër i ri në “epokën” Thaçi dhe i vlerësuar nga ai, nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.
Ai ka mbajtur pozita kyçe në qeveritë e kaluara duke pasur besimin e plotë të ish-kreut të parties, por tani duket se nuk e ka më nga kryetari i ri, ndoshta për shkak se shihet si një zyrtar që mjaftueshëm i janë besuar detyra të rëndësishme.
Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (prill – dhjetor 2010) – Nga janari 200 deri mars 2010 ai ka mbajtur pozitën e këshilltarit në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në qeverinë “Thaçi 1”. Më pas i është besuar pozita e ministrit të Bujqësisë që e drejtoi nga prilli deri dhjetor 2010.
Në qeverinë “Mustafa”, Blerandit ju besua një pozitë tejet e rëndësishme, ajo e ministrit të Zhvillimit Ekonomik që e udhëhoqi deri në përfundim të koalicionit.
Blerandi aktualisht ushtron pozitën e zëdhënësit të PDK-së, ndërsa është edhe drejtor i klubit basketbollistik Prishtina.
Edita Tahiri – është një emër tjetër i rëndësishëm i politikës me të cilin Thaçi ka rrugëtuar për vite të tëra.
Kryetarja e partisë së vogël Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK) që nga 2007-ta kur lidhi me koalicion me PDK-në i janë besuar pozita të rëndësishme.
Në qeverinë “Thaçi 1” mbajti pozitën e ministrës së Administratës Publike (MAP), kurse më pas i është besuar pozita e kryenegociatores.
Ndërsa në qeverinë “Mustafa” ishte ministre pa portofol, po ashtu si dhe udhëheqëse e dialogut me Serbinë.
Në dallim nga Thaçi, kreu aktual i PDK-së të paktën për momentin nuk ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me dikur “krahun e djathtë” të Ibrahim Rugovës dhe pas lufte edhe të Thaçit.
Nuk dihet nëse Edita do të vazhdojë të mbajë “gjallë” partinë e saj ADK-në apo nëse do i jepet ndonjë post në të ardhmen në institucionet e krijuara tashmë. /tesheshi.com/