Shkëndija e Tetovës nuk ka mundur të bëjë shumë përballë Milanit në ndeshjen e parë të vlefshme për Europa League, duke humbur 6-0.
Shqiptarët e Tetovës kanë vuajtur presingun e italianëve që në fillim të ndeshjes dhe kanë pësuar 3 gola brenda 30 minutave lojë, me autorë Andre Silva, Montolivo dhe sërish Silva.
Pavarësisht përpjekjeve të shqiptarëve, Milani ka qenë “kockë” e fortë për t’u kafshuar. Nuk ka patur shumë histori të tjetërsuar edhe pjesa e dytë e ndeshjes, ku tetovarët u përpoqën në disa raste për të shënuar.
Por ishin milanistët që u treguan më efiçentë në lojë, duke shënuar me anë të Borinit e më pas Antonelit. Mbrojtja e skuadrës shqiptare nuk e kishte të mundur të kontrollonte sulmuesit italianë, e portieri Zahov ndikoi që rezultati të mos thellohej më tej.
Pesë minuta para fundit, Montolivo shënoi dhe golin e gjashtë të ndeshjes, duke mbyllur goleadën e kuqezinjve italianë, ndaj kuqezinjve shqiptarë të Tetovës. /tesheshi.com/