Mijëra palestinezë falën namazin e xhumasë në rrugët e Jeruzalemit, ndërkohë që Izraeli ndaloi personat e moshës nën 50 vjeç të hyjnë në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa.
Policia izraelite ngriti pika të shumta sigurie rreth kompleksit të Haram al-Sharif dhe zaptoi Jerusalemin Lindor në pritje të protestave masive.
Një turmë e madhe palestinezësh të rinj mbeti jashtë kompleksit të Al-Aqsa duke u falur në rrugët e ngushta, të rrethuar nga policët izraelit që mbanin veshur uniformën kundër trazirave.
Pavarësisht nga kufizimet e imponuara nga Izraeli ndaj burrave nën 50 vjeç, rreth 10,000 vetë morën pjesë në namazin e së premtes brenda Haram al-Sharif-it, sipas Al-Aqsa Vaqf, që administron me vendin e shenjtë.
Gjatë hytbesë, myftiu i Jerusalemit dhe Palestinës, Muhammed Hussein u bëri thirrje palestinezëve të tregojnë durim.
“Kapuni fuqishëm për besimin tuaj. Ne nuk jemi për dhunë, por ne nuk do të pranojmë pushtuesit të dhunojnë shenjtërinë e Haram al-Sharif-it. Ne duam të falemi në xhaminë tonë, pasi ajo është kibla e parë e muslimanëve”, tha Hussein.
Përveç disa pikave të nxehta ku protestuesit palestinezë u përleshën shkurtimisht me oficerët izraelitë, nuk pati dhunë serioze pas faljes së namazit.
Jerusalemi është vend i shenjtë për muslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët. Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët, pas Qabesë në Mekë dhe el-Masjid el-Nabawi në Medinë./tesheshi.com/