Nga Tirana, ka shkuar mesazhi i parë për zgjedhjet në Kosovë, por pa u uruar fituesi. Eshtë presidenti Meta ai që dhe në këtë rast, ka çuar gjuhën atje ku “dhemb dhëmbi”, te lufta e tij me mazhorancën. Duke vlerësuar procesin e Kosovës, kreu shtetit ka nxjerrë në pah atë që sipas tij nuk ndodh në Shqipëri; që të ketë zgjedhje të lira dhe prej tyre të humbasë Rama.
“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë.
Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbare botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë!”, shkroi Meta, për zgjedhjet ku i humbur doli miku i tij i ngushtë Haradinaj. /tesheshi.com/